E Shtunë, 31 Tetor 2026

KS, shqyrton raportin për Kosovën

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara mblidhet sot për të shqyrtuar raportin më të ri të sekretarit të përgjithshëm, Ban Ki-moon, për zhvillimet në tremujorin e fundit në Kosovë. Në seancën që do të zhvillohet në orët e pasdites sipas kohës lokale, Kosovën do ta përfaqësojë ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni. Ndërkaq raportin në emër të UNMIK ut do ta prezantojë shefi i tij, Lamberto Zannier, ndërsa Yv de Kermabon do të flasë në emër të EULEX-it, misionit europian në Kosovë. Në raportin e publikuar ditë më parë, Ban Ki-moon u bën thirrje të gjitha palëve që të jenë pragmatike dhe të përmbahen si dhe të zhvillojnë politikë konstruktive lidhur me çështjet e ndjeshme ndëretnike.
Ndërkaq raporti i Zannierit thekson rolin e UNMIK ut si ofrues i shërbimeve ndërmjetësuese për bashkëpunim që, sipas tij, është i domosdoshëm për stabilizimin dhe zhvillimin e Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor.
Në vijim asambleja e përgjithshme do te votojë për anëtarët e rinj të KS. Bosnja dhe Libani besohet se do të jenë në mesin e pesë vendeve fituese , duke u bërë kështu anetarë të Këshillit të Sigurimit për një periudhë dy vjeçare. Kjo do të ishte hera e parë që Bosnja do të ishte anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›