KSABI ALONSO: Asnjë plan kundër Ronaldon, ne kemi strategjinë tonë
Mesfushori i Spanjës: Pavarësisht nga kundërshtari që do të kemi përballë ne nuk do ta ndryshojmë mënyrën e të luajturit. Duam me çdo kusht finalen e Kievit.
Nuk kemi një plan kundër Ronaldos. Ne do të luamë ashtu si kemi bërë gjithmonë, me të njëjtat ide, pavarësisht nga kundërshtari që do të kemi përballë.
Synojmë të jemi pranë njëri-tjetrit në çdo moment dhe të luajmë më të bashkuar se kurrë, – këto kanë qenë fjalët e Ksabi Alonsos, gjatë konferencës për shtyp së ditës së djeshme, ku ka analizuar sfidën Spanjë-Portugali, e cila vlen një vend në finalen e Euro 2012.
Spanja u kualifikua për në gjysmëfinale, pasi fitoi 2-0 ndaj Francës, pikërisht me dy gola të shënuar nga Ksabi Alonso. Pas ndeshjes u krijua një polemikë në lidhje me fakti që iberikët luajtën me dy mesfushorë shkatërrues, por Alonso deklaron: Nuk ka pasur asnjëherë debat brenda ekipit tonë.
Jemi të sigurt se po të luajmë ashtu si dimë mund të fitojmë ndaj kujtdo kundërshtari. Trajneri përcakton formacionin dhe pastaj na jep shumë liri veprimi në fushë. Ashtu si kemi luajtur deri tani do të bëjmë edhe në të ardhmen. Kemi fituar dy trofe madhorë njëri pas tjetrit dhe jemi në garë për të tretin radhazi.
Në lidhje me kritikat e ardhura kryesisht nga shtypi italian, për një Spanjë që nuk po luan bukur si dukur, Alonso pohoi: Thonë se nuk jemi të rrëmbyeshëm si dikur dhe ne e pranojmë diçka të tillë. Por fakti është që po vazhdojmë të fitojmë rregullisht dhe nuk do të ndryshojmë strategjinë tonë. Portugezët do ti kenë këmbët 48 orë më të freskëta se spanjollët.
Eshtë diçka që mund ti favorizojë, por duhet të bashkëjetojmë me një situatë të tillë. Sapo u mbyll ndeshja ndaj Francës, ideja jonë kryesore dhe puna e stafit teknik është bazuar te mënyra për të rikuperuar sa më shumë energji.
Po stërvitemi në mënyrë të tillë që ditën e mërkurë të jemi në 100% të mundësive. Portugalia do të ketë një avantazh të vogël në këtë aspekt, por kjo nuk do të shërbejë si justifikim.
Ksabi Alonso do të ketë si kundërshtarë tri shokë që luajnë me Realin e Madridit, Kristiano Ronaldon, Fabio Koentraon dhe Pepen. Jam që të tri shumë të aftë dhe e treguan duke na ndihmuar të fitojmë titullin kampion. Në fund, Alonso flet për arritjen e 100 ndeshjeve me përfaqësuesen spanjolle.
Kur e arrin këtë shifër nuk mendon më për të. Unë jam më shumë i lumtur që do të luaj në gjysmëfinalen e Euro 2012, sesa që kam arritur këtë shifër. Padyshim që dy golat e shënuar ishte mënyra më e mirë për të festuar këtë arritje, por kualifikimi për në raundin tjetër është ajo që më ka gëzuar më shumë.
