Ariel Shtini firmos kontratë 2-vjeçare me moldavët e FC Milsami
Ariel Shtini firmos kontratë 2-vjeçare me moldavët e FC Milsami
Sulmuesi kavajas ka nisur një aventurë të re, që shpreson ti shërbejë si trampolinë për të ardhmen e tij. Skuadra e re merr pjesë ne Europa Ligë
Sulmuesi i Dinamos në sezonin e fundit, Ariel Shtini, nga mesdita e djeshme është bërë pjesë e skuadrës FC Milsami në kampionatin moldav. Kontata e firmosur prej tij është 2-vjeçare dhe futbollisti ka një klauzole në një shumë te caktuar për ta prishur kontratën pas një viti me Milsamin, në rast se kërkon të transferohet në një ekip tjetër.
Duke nisur nga dje, kavajasi ka nisur një aventurë të re me moldavët e Milsamit, që ndodhen në Brashovë të Rumanisë për të zhvilluar fazën përgatitore. Më 1 korrik skuadra do të kthehet në kryeqytetin moldav, ku Ariel Shtini do të jetojë dhe do të stërvitet me skuadrën e tij të re.
Fc Milsami në sezonin e fundit ka zënë vendin e katërt në kampionatin moldav dhe do të luajë edhe në Ligen e Europës, ku në turin e dytë kualifikues pret fituesen e çiftit Atobe (Kazakistan)Torpedo Kutaisi (Gjeorgji).
Stafi teknik I skuadrës moldave e ka pëlqyer sulmuesin kavajas, i cili para se të nënshkruante ka kryer edhe një test te Milsami. Ariel Shtini ndihet i lumtur dhe kërkon që ta nisë mbarë këtë aventurë të re.
“Ndihem shumë i lumtur, që jam pjesë e skuadrës së Fc Milsamit, pasi këtu të gjithë më kanë pritur shumë mirë. Shpresoj që tua shpërblej besimin drejtuesve të Milsamit dhe stafit të saj teknik besimin që patën tek mua. Firmosa me ketë ekip, sepse do të më shërbejë si trampoline për të gjetur një ekip më të madh.
Falënderoj të gjithë personat, të cilët më qëndruan pranë deri në këtë arritje dhe në mënyrë të veçantë familjen time”, – u shpreh dje sulmuesi Ariel Shtini, pas nënshkrimit të kontratës me moldavët e Milsamit. Eshtë hera e parë që një futbollist shqiptar kalon në kampionatin e Moldavisë.