E Diel, 1 Nëntor 2026

OLIVER BIERHOF: Kjo është Gjermania më e fortë!

Përgatiti: DENIS HAKANI

Menaxheri i kombëtares gjerman, ish-sulmues në Serinë A e ndjen si personale sfidën me Italinë: Do të jetë revanshi i gjysmëfinales së humbur në vitin 2006.

Italia dhe Gjermania përsëri përballë njëra-tjetrës. Dhe përsëri në një gjysmëfinale, pas asaj të 2006-ës ku axurrët kanë befasuar gjermanët në shtëpinë e tyre, duke ngritur më pas trofeun në Berlin. Por, menaxheri i kombëtares së Joakim Lëv, Oliver Bierhof, është i bindur se gjërat do të shkojnë ndryshe.

Më vjen mirë që do të ndeshemi me Italinë, edhe për shkak të historisë sime personale. Dhe sepse në krahasim me 2006-ën, favoritët jemi ne, ka thënë ish-sulmuesi i Milanit.

E prisni këtë revansh për humbjen e pësuar në gjysmëfinalen e Botërorit gjashtë vite më parë?

Flas me respekt, jo vetëm me dëshirën për tu hakmarrë. Por që nga 2010-ta pozicionet e dy ekipeve kanë ndryshuar. Italia ka luajtur një ndeshje të madhe me Anglinë, por është e thyeshme.

Pa dyshim, do të jenë më të lodhur se ju. Por deri tani nuk keni fituar asnjë nga 7 përballjet e mëparshme të zhvilluar në Europian ose Botëror.

Statistikat janë bërë për tu ndryshuar dhe duket se ka ardhur momenti i duhur. Nuk mendoj se e kaluara është një faktor përcaktues.

Çfarë është përcaktuese, atëherë?

Kjo Gjermani është përmirësuar edhe në krahasim me Botërorin e Afrikës së Jugut: ka shumë lojtarë të bashkuar, që ndihmohen gjithmonë të mbushur me cilësi dhe entuziazëm.

Por mbi të gjitha qëndrojnë me këmbë në tokë: e dinë se ku duan të arrijnë, domethënë te titulli, por pa qenë mendjemëdhenj. Më pas kemi një stol më të mirë. E keni parë se kush ka qëndruar jashtë skuadrës kundër Greqisë?

Po, dhe mbi të gjitha stërvitja e lojtarëve rezervë një ditë më mbrapa: me Myler, Gëtce, Gomez, Podolski, Kros, Bender dhe të tjerë. Çfarë luksi.

Pikërisht. Nuk duhet të jap shpjegime të tjera.

Domethënë, jeni që tani në Kiev?

Jo, do të jetë një gjysmëfinale e ekuilibruar dhe e bukur. Por ne jemi të vetdijshëm se mund të fitojmë.

Keni thënë para fillimit të Europianit: Italia është një kafshë e plagosur, do të jetë më e rrezikshme. E konfirmoni?

Po. Skandalet dhe problemet e forcojnë skuadrën, shtojnë motivimin. Dhe heqin presionin. Në krahasim me Botërorin ekziston edhe një lojë më e freskët, lojtarë të rinj dhe interesantë. Prandeli po bën një punë shumë të mirë.

Kjo është parë me anglezët: shumë raste, skuadra gjithmonë në sulm, meritonte ta mbyllte më shpejt ndeshjen. Duhet ta studiojmë mirë këtë përballje.

Formacionet tuaja janë shpesh befasuese. Vendosni edhe ju?

Jam i pranishëm në mbledhjet e stafit teknik, dëgjoj dhe mësoj. Shikoj ndeshjet nga lart dhe kem një perspektivë të ndryshme. Mund të them mendimin tim. Por qëndroj jashtë përgatitjes së ndeshjeve, pavarësisht se kam patentën e trajnerit.

Me përjashtim të cilësisë së organikut, keni arritur të kontrolloni edhe ankesat: ka pasur, por kanë qenë të përmbajtura.

Është normale që dikujt të mos i pëlqejë të qëndrojë në stol. Shumë lojtarë janë personazhe të rëndësishëm në klubet e tyre, por këtu duhet të shikojnë. Do të shqetësohesha për të kundërtën. Me gjithë ndryshimet që ka bërë Lëv, shumë lojtarë kanë pasur hapësira. Dhe është parë kur janë futur në lojë, rendimenti i ekipit ka mbetur i shkëlqyer.

Domethënë nuk është meritë e byzylykut fatsjellës që mbani në dorë?

Flisni për shambalën?

Pikërisht, përkthimi: dritë dhe dashuri…

Është një byzylyk me perla të zeza tek të cilat janë gdhendur inicialet e emrave të çdo lojtari ose anëtari të stafit, tre yjet që janë simbol i Europianëve të fituar dhe logoja e federatës. E mbajmë të gjithë, duke përfshirë edhe gratë dhe të fejuarat.

Është simboli i bashkimit tonë dhe i bashkëjetesës sonë në këto javë. Do të thotë edhe: të gjithë punojmë për të njëjtin objektiv dhe jemi të bindur se do ta arrijmë.

Duke zhgënjyer kështu miqtë tuaj italianë: në lidhje me këtë, do tju kërkojnë shumë bileta për gjysmëfinalen nga Italia?

Do të jepja bileta vetëm për sektorin e gjermanëve. Kam disa miq të afërt edhe në Itali, por besoj se do të qëndrojnë larg.

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›