Raporti, ILDKP: Prokuroria mbyll çështjet pa argumente
Në raportin e punës njëvjeçare, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive insiston në faktin se Prokuroria vazhdon të mbyllë çështje pa argumentime ligjore bindëse. Sa i takon vitit 2010, raportohet se nga 18 raste: për shtatë kallëzime penale çështjet janë dërguar për gjykim, për shtatë të tjera është pushuar procedimi penal, dhe për katër vazhdojnë ende hetimet. ILDKP thotë se nga tetë kallëzime për refuzim deklarimi, tre raste janë dërguar për gjykim nga organi i akuzës, ndërsa pesë raste të tjera janë pushuar, pavarësisht se është provuar me prova shkresore nga ana e inspektoratit mosdorëzimi në afat i deklaratës. Sakaq, në 10 kallëzime për fshehje pasurie rezulton se për katër zyrtarë çështja ka kaluar për gjykim, ndërsa për dy të tjerë është vendosur pushimi i hetimeve ose mosfillim i procedimit penal, pavarësisht provave shkresore të administruara nga ILDKP. Për katër zyrtarë të tjerë po vazhdojnë ende procedurat e hetimit. Nga të dhënat e raportit thuhet se në vitin e shkuar janë trajtuar 195 raste të konfliktit të interesave, janë vendosur 20 masa administrative me gjobë dhe janë kallëzuar penalisht 18 subjekte.