Shoqata e Hidrokarbureve: Gjobat ndaj biznesit për mungesë kasash, paradoks
Nga ana tjetër është po kjo ministri që penalizon me gjoba bizneset. Sekretari i shoqatës së kompanive të mëdha të tregtimit të karburanteve, Viktor Nushi tha se situata në të cilën gjenden këto subjekte të tregut është paradoksale. Nga njëra anë qeveria dështon në vendosjen e kasave e nga ana tjetër administrata tatimore vendos gjoba për mungesë të tyre. Jemi totalisht të gatshëm të financojmë, të përballojmë të gjitha shpenzimet për të pajisur pikat e karburanteve me ato çfarë përcakton vendimi i Këshillit të Ministrave. E çuditshme është se ne paguajmë para. Kompanitë që kanë fituar tenderin në ministrinë e Financave nuk e zbatojnë kontratën. Gjobat i hamë me. Këto kompani marrin milionat dhe bëjnë biznesin e tyre në dëm të biznesit tonë. Qeveria duhet të na mbështesë. Çdo gjobë që vihet sot nga shteti apo privatisht apo presionet është në dëm të kompanive të karburantit. Duhet menjëherë të gjejë zbatim vendimi i qeverisë dhe të imponojë kompanitë të cilat janë të detyruara të vendosin pajisjet, thotë Nushi. Ditët e fundit kompanitë e tregtimit të karburanteve janë gjobitur nga administrata fiskale me nga dhjetëra milionë lekë. Në këto kushte shoqata e shoqërive hidrokarbure ka kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të autoriteteve, pasi fajtor për mosmontimin e kasave fiskale nuk mund të jenë kompanitë e hidrokarbureve. Nga pesë shoqëri që janë zgjidhur për fiskalizim, këtë lloj pajisje fiskale e ofron vetëm një prej tyre, por edhe kjo shoqëri nuk e implementon dot në praktikë, duke nxjerrë pretendime për llojin e pompave dhe duke e shtyrë procesin kohë pas kohe, shprehen përfaqësuesit e shoqatës. Sipas tyre me vendime të njëpasnjëshme qeverie, duke shkelur gjithë parimet e lirisë së tregut, kompanive u caktohet lloji i pajisjes dhe shitësi ku duhet ta blejnë. Në të njëjtën kohë kur vetë shitësi nuk i përgjigjet dot kësaj lloj pajisjeje, ai ka të drejtën të vendosë çfarëdo lloj çmimi shitjeje, sepse është pa konkurrencë në treg. Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve, më shumë se njëherë, i ka propozuar Ministrisë së Financave të mbronte vendimin e saj për fiskalizimin e pajisjeve hidrokarbure, por duke nxjerrë një vendim të zbatueshëm, të drejtë. Ndërkohë mësohet se Shoqëritë e karburanteve është e gatshme dhe po krijojnë kushte për të implementuar procesin dhe nëse gjykohet se pagesën duhet ta përballojnë këto shoqëri, ta bëjnë pranë DPT dhe jo në llogarinë e shoqërive të autorizuara për fiskalizim.