E Shtunë, 31 Tetor 2026

KSHH: Fushata agresive dhe me incidente, përdoren shkollat e administrata

TIRANE- Komiteti Shqiptar i Helsinkit pritet të publikojë së shpejti një raport mbi monitorimin e procesit parazgjedhor. Nëpërmjet një deklarate ky institucion ka bërë publik disa prej gjetjeve të këtij raporti.

Fillimisht KSHH ka monitoruar funksionimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të cilin konstaton se ka marrë shpeshherë vendime të njëanshme dhe të politizuara.

“Jemi të mendimit se gjatë veprimtarisë së tij ky organ ka manifestuar, në disa raste, qëndrime të njëanshme dhe të politizuara, si p.sh në kuadër të miratimit të numrit të zonave zgjedhore dhe mandateve për secilën prej tyre. Pozicionimi politikisht i anëtarëve të KQZ krijoi pamundësi vendimmarrjeje dhe si pasojë dy çështjet e para u zgjidhën, përkatësisht, nga Kolegji Zgjedhor dhe Kuvendi. Përsa i përket vendimit të tretë ai është kritikuar, si jo ligjor, si nga vëzhguesit ndërkombëtarë, ata vendas, përfshi dhe K.Sh.H. Siç dihet, anëtarët e KQZ-së propozohen nga partitë politike të shumicës dhe opozitës parlamentare dhe përfundimisht zgjidhen nga Kuvendi, duke bërë betimin përpara këtij organi. K.Sh.H mendon se anëtarët e KQZ janë të detyruar të veprojnë në mënyrë të pavarur e të paanshme, duke zbatuar vetëm Kushtetutën dhe ligjin. Në këtë kontekst ne kemi shprehur publikisht mendimin se nuk duhej t’i ndërpritej mandati, para kohe, anëtarit të KQZ-së të propozuar nga Partia LSI dhe i emëruar nga Kuvendi, sepse KQZ nuk duhet konceptuar dhe as të funksionojë, në asnjë rast, si organ politik. Kjo do të rrezikonte vendimmarrjen ligjore dhe të paanshme të tij, siç dhe ka ndodhur realisht”, thuhet në raport.
K.Sh.H vlerëson se situata e krijuar në KQZ, nga mos zëvendësimi i 3 anëtarëve “mund të shoqërohet me pasoja të dëmshme, e të rënda për mbarëvajtjen e zgjedhjeve, certifikimin e tyre dhe arritjen e standardeve për zgjedhje të lira e të ndershme, prandaj duhet riparuar sa më parë”.

Sipas KSHH ka pasur probleme edhe me publikimin e listave të zgjedhësve. “Për procesin zgjedhor dhe zgjedhësit, në veçanti, përgatitja dhe publikimi i listave zgjedhore është me shumë rëndësi. Ne kemi monitoruar publikimin e ekstrakteve të përbërësve zgjedhor, që sipas ligjit duhet të shpalleshin çdo muaj, duke filluar nga 3 janari 2013. Nga verifikimet tona në vend, ekstraktet e sipërpërmendura, ose nuk u publikuan në afatin e caktuar, ose publikimi i tyre nuk u bë sipas mënyrës së parashikuar nga Kodi Zgjedhor”, thekson KSHH.
“Ka indicie dhe arsye të besohet se ka ende pasaktësi në listat e zgjedhësve dhe në mënyrë të veçantë, shqetësues është fakti se ende ka zgjedhës, që duke mos pasur adresë të saktë banimi, ose sepse QV e tyre ndodhet në një mjedis privat, pa adresë të saktë, nuk dinë ende se ku duhet të shkojnë për të votuar”, vëren KSHH në raport.
Ndërsa duke u ndalur tek fushata zgjedhore, KSH bën me dije se ajo jo vetëm ka filluar 5-6 muaj më parë se afati i caktuar në ligj, por edhe ka qënë e shoqëruar me incidente. Sipas KSHH ka të dhëna se, administrata dhe institucionet arsimore detyrohen të jenë pjesë e saj.

“K.Sh.H e shikon të nevojshme të theksojë se fushata zgjedhore, ndonëse jo zyrtarisht, ka filluar 5-6 muaj më parë se afati i caktuar në ligj. Ajo ka qenë e shoqëruar edhe me probleme. Sipas informacioneve që kanë ofruar mediet, por edhe nga informacioni që kemi marrë nga shtetas të ndryshëm, rezulton se administrata zgjedhore dhe institucionet arsimore, përfshi dhe nxënësit e mitur, janë përfshirë në aktivitete të fushatës, që zhvillohen brenda orarit zyrtar, ose gjatë kohës së mësimit, veçanërisht në rastin e inaugurimeve të objekteve të ndryshme të infrastrukturës, ose mitingje elektorale. Gjithashtu ka të dhëna se ushtrohet presion ndaj punonjësve të administratës shtetërore për të dalë në mitingje ose për të votuar në favor të partive të maxhorancës. Sjellje të tilla cenojnë lirinë e votës, cenojnë standardin e zgjedhjeve, por janë edhe të dënueshme penalisht. KSHH. konstaton me keqardhje se fushata aktuale zgjedhore shoqërohet me tone agresiviteti dhe me incidente, të cilat sa vjen e bëhen më të rënda. Gjuha e urrejtjes është një karakteristikë tjetër e kësaj fushate. Te gjitha këto influencojnë negativisht në atmosferën që na rrethon dhe pengojnë zgjedhësit për të marrë qetësisht vendimin e tyre në lidhje me ushtrimin e të drejtës së votës”, theksohet ndër të tjera.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›