E Diel, 1 Nëntor 2026

Lojrat Mesdhetare, Nishani i dorëzon flamurin ekipit kombëtar

TIRANË- Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në një ceremoni të veçantë, i dorëzoi të premten Flamurin Kombëtar Ekipit Shqiptar që do të përfaqësojë vendin tonë në Lojërat e 18-ta Mesdhetare "Mersin 2013", që do të zhvillohen më 20-30 qershor në Turqi. 

Presidenti Nishani, duke vlerësuar rëndësinë e këtij aktiviteti, nënvizoi se sportistët shqiptarë duhet të jenë krenarë për trashëgiminë e vendit në kulturë dhe sport, por dhe për përgatitjen e tyre sportive në përfaqësimin sa më dinjitoz të Shqipërisë në këtë kompeticion ndërkombëtar. 

"Jam i sigurt që do ta përfaqësoni me dinjitet emrin e Shqipërisë, të sportit shqiptar, flamurin kombëtar", u shpreh Presidenti në përshëndetjen e tij, duke i uruar sportistëve të Ekipit Shqiptar të kthehen në Shqipëri me sa më shumë medalje e vende nderi në Lojërat Mesdhetare "Mersin 2013". 

Flamurin Kombëtar e mori në dorëzim sportistja Anxhela Kashari, e cila në emër të delegacionit shqiptar në Lojërat e 18-ta Mesdhetare, premtoi se do të japin maksimumin për të përfaqësuar sa më denjësisht kombin. 

Në këto Lojëra, Shqipëria do të përfaqësohet me 75 sportistë, të ndarë në 14 disiplina sportive.
(e.m/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›