E Diel, 1 Nëntor 2026

KSHH: Kushte skandaloze në burgje, duhet ndërhyrje

Komiteti Shqiptar i Helsinkit u tërheq vëmendjen burgjeve shqiptare për kushtet e mjerueshme në vendet e vuajtjes së dënimit. KSHH-ja ka vëzhguar disa burgje, ndër të cilët dy në Tiranë, ku ka vërejtur një sërë problemesh dhe ka rekomanduar zgjidhjen e tyre urgjente. Për këtë, Helsinki i ka drejtuar tri shkresa me rekomandime Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Sipas të dhënave, janë dërguar rekomandime për problematikën e konstatuar për femrat e dënuara dhe të paraburgosura nga misionet e monitorimit në Institucionin e Paraburgimit "Jordan Misja", në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale tek "Ali Demi", në IEVP të Fushë-Krujës dhe në Institutin e ekzekutimit të vendimeve penale në Shënkoll të Lezhës.

Burgjet në Tiranë

KSHH-ja ka vënë në dukje se qëllimi i vëzhgimit në dy vende të vuajtjes së dënimit në Tiranë ishte monitorimi i respektimit të të drejtave të femrave të ndaluara dhe të dënuara. Nisur nga të dhënat e marra dhe nga konstatimi në terren, u vërejt mbipopullim alarmant në regjimin e femrave tek IEVP "Ali Demi", pothuajse dyfishi i kapacitetit. Në institucionin e paraburgimit "Jordan Misja", seksioni i grave në krahasim me kapacitetin ishte i njëjtë, por mbyllja e një prej dhomave për shkak të lagështirës krijonte mbipopullim. "Në dhomat e paraburgimit qëndronin 6-8 femra në dhoma, kur kapaciteti ishte 4-6, duke detyruar kështu fjetjen e dy femrave në një krevat", detajon KSHH. Më tej detajohet se kushtet e dhomave të paraburgimit dhe të institucionit të vuajtjes së dënimit lënë për të dëshiruar në drejtim të amortizimit të godinave në tërësi. Ndërtesat janë të vjetra dhe nuk përmbushin standardet minimale të kërkuara. Problem kryesor mbeten kushtet jo të mira higjieno-sanitare në mjediset e brendshme dhe lagështira në dhoma dhe në tualete. Flagrante ishin kushtet e tualeteve në seksionin e femrave në paraburgimin "Jordan Misja", ku vihej re jo vetëm amortizimi i tyre, mungesa e dyerve, por edhe kryerja e të gjitha veprimeve në një tualet vetëm me ndarje gjysmë muri, duke përbërë kështu shkelje të të drejtave të personave të paraburgosur. Gjithashtu, u konstatuan probleme me ujin e pijshëm dhe me energjinë elektrike, e cila ndërpritej disa herë gjatë ditës. Megjithatë, nga ana e institucionit të vuajtjes së dënimit, "Ali Demi" ishte zgjidhur me vendosjen e një gjeneratori, i cili ishte i kushtueshëm. E drejta për takim në përgjithësi realizohej, por në kushte shumë të vështira, sidomos në institucionin e paraburgimit "Jordan Misja". Dhoma e takimit me familjarët në këtë institucion nuk krijonte as kushtin më minimal për të realizuar këtë të drejtë, pasi ishte pa ndarje, pa stola dhe tavolina, vetëm një dhomë e errët. Gjithashtu, në këto dy burgje, Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka vënë re mungesën e vizitave gjinekologjike, mungesën e psikiatrit, pavarësisht se ka të dënuara me çrregullime mendore. Flagrant ishte edhe fakti se gjatë shqyrtimit të dosjeve dhe kontakteve me të paraburgosurat dhe të dënuarat rezultoi se ato kishin qëndruar disa ditë në komisariate të ndryshme, si dhe këqyrja e tyre ishte kryer nga personel jo femër, duke shkelur kështu një ndër parimet kryesore.

Burgu i Fushë-Krujës

Edhe në Burgun e Fushë-Krujës, Helsinki ka vënë re probleme të infrastrukturës, ku gjatë momentit të vëzhgimit ishin 39 persona mbi kapacitetin normal. Disa dhoma në regjimin e sigurisë së zakonshme ishin të mbipopulluara, ku nga 4 persona kapaciteti normal, ndodheshin 4-7 persona. Ndërsa për kushtet e jetesës, KSHH vë në dukje se ky burg është i ri dhe ka gjendje më të mirë, pavarësisht se ka mungesë të ujit, që vë në diskutim problemin e higjienës. Megjithatë, një problem për të burgosurit është përdorimi i dhunës fizike dhe psikologjike. Gjatë kontaktit me të dënuar në këtë institucion, u paraqitën disa pretendime për përdorim force në datën 4 tetor 2008, për të cilat Prokuroria e Rrethit gjyqësor Krujë ka filluar procedimin penal. Por edhe shërbimi shëndetësor nuk ka qenë i kompletuar. Pavarësisht ambienteve të krijuara, gjatë vëzhgimit KSHH konstatoi qëndrimin në godinën e ofrimit të shërbimit mjekësor të Shpëtim Zisos, i cili merr mjekimin për skizofreni, por ekspertiza mjeko-ligjore nuk i kishte përcaktuar diagnozën, e rekomandohej vetëm mjekimi. Gjithashtu, dhe sipas personelit, ky person nuk mund të mbahej për një kohë të gjatë në spital. "Për këtë arsye do t‘ju rekomandonim të transferohet në ambiente të specializuara për trajtime të tilla", i drejtohet KSHH-ja Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Burgu i Shënkollit

Ndërsa në Burgun e Shënkollit, Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka vënë re se ka më shumë rregull dhe problemet janë më të vogla. Megjithatë, gjatë momentit të vëzhgimit u vërejt mbipopullim në regjimin e paraburgimit, 50 persona mbi kapacitetin normal. Kjo u vërejt dhe në disa dhoma, në të cilat ndodheshin persona mbi kapacitetin normal. Në seksionin e të miturve kryesisht respektohej kapaciteti për dhomë, pasi ishin vendosur 2-4 persona në dhomë. Sipas organikës së personelit të IEVP-së Lezhë, ishin të punësuar: 4 persona në sektorin juridik, 1 mjek, 1 dentist, 1 farmacist, 4 infermierë në sektorin e shëndetësisë dhe 10 punonjës në sektorin e kujdesit social. Në institucion u informuam se psikiatri shkonte vetëm 1 herë në javë. Nga takimet me personelin e institucionit dhe monitorimin e kryer kishte mungesë të personelit në sektorin e shëndetësisë dhe të kujdesit social. Gjithashtu u vërejt se në Burgun e Shënkollit ka probleme, si mungesë të mjeteve të nevojshme për fjetje (çarçafë dhe batanije), të cilat siguroheshin kryesisht nga familja; amortizim i dyshekëve dhe krevateve, madje dhe dalje jashtë funksionit të tyre; mungesa e tualeteve nëpër dhoma; mungesa e ambienteve të mbuluara për të ushtruar të drejtën e ajrimit në rast të kushteve të këqija atmosferike. Për këtë vëzhgim, Komiteti Shqiptar i Helsinkit i ka dërguar tri shkresa Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, duke i dhënë edhe rekomandimet përkatëse dhe duke dënuar çdo rast që binte në kundërshtim me ligjet dhe të drejtat e të burgosurve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›