KËSHILLI ETIKËS KOMBËTARE PËR VEPRAT PUBLIKE, NJË DOMOSDOSHMËRI
Mund të mendohet se bëhet fjalë për vepra të letërsisë, muzikore apo figurative. Edhe këtu problemi është i mprehtë, se kanë qasje publike dhe në rastin kur nuk bien vlera, bëjnë të kundërtën, mbjellin e kultivojnë antivlera, ndaj të cilave çdo shoqëri do mbante qëndrim dinjitoz e të papajtueshëm. Por në veprat e mësipërme, subjektiviteti është i pakushtëzuar, se për mobilitetin e tyre, janë praktikisht të lëvizshme, sipas dëshirës dhe pa kosto komunitare. Problemi janë vlerat artistike arkitekturore në vepra ndërtimi, me një shtrirje të paparë tashmë. Nëse ‘tallavatë’ s’të pëlqejnë, këmben kanal, po nëse çdo ditë ke në sy një objekt pa vlerë, që s’e zhduk dot me buton apo mbyllje sysh, ky është më tepër se problem, me kosto dhe pasoja afatgjata për shoqërinë.
Arkitektura cilësohet si një art utilitar, pra është një realitet, që krahas plotësimit të funksioneve jetësore, sjell dhe vlera artistike pavarësisht në ato përkojnë me dëshirat, pjekurinë dhe nivelin e shoqërisë e individit. Nuk ka si të jetë ndryshe gjersa ‘uni’ është tharmi në çdo produkt artistik. Por produkti artistik si vlerë në arkitekturë është imobiliar, përkundër prodhimeve të tjera artistike, dhe si i tillë ai ka një jetë të gjatë. Një shoqëri që respekton vlerat e saj, ka nevojë për interferim ekuilibrues profesional, jo me sfond keqdashës, por rregullator mes produktit artistik i-mobiliar, dhe vlerave të asaj shoqërie e individëve, me të cilat ky produkt artistik, është i detyruar të bashkëjetojë për kohë të gjatë. Si në artet e tjera, edhe këtu veprojnë ligjet misterioze, të qasjeve shpirtërore individ / epokë, individ / shoqëri, individ / familje, individ / ide, që ‘uni’ përqafon, në ecjen drejt asaj që ‘ai’ do e perceptonte si përsosje artistike. P.sh. në rastin e fundit, në arkitekturë kemi shumë vepra, si në botë edhe tek ne, përfaqësuese tipike epokash të caktuara të shoqërisë, në stadet e zhvillimit të saj, me trend ideologjik, i cili në të gjitha rastet është antihuman ose i dhunshëm në imponimin e ideve që ai përçon atje ku akomodohet. Ato në disa raste, kanë provokuar, hapa regresi shoqëror nga mbetjet e epokave përkatëse, që sot frymojnë në çdo shoqëri të lirë. Më e keqja është, se këto vepra si çekiç pa ndalur pulsojnë mbi psikozat kolektive duke mbjellë farëza në dukje të brishta, që në momente e rrethana të caktuara, shumohen e bëhen rrezik për riciklimin, në kushte të reja, të epokave që ju përkasin. Nuk e kam fjalën për sisteme me referencë religjioze, si kristiane, përgjegjëse për së drejti e shumë shkatërrimeve të vlerave artistike të njërëzimit, realizuar në kohën e antikitetit (që se thonë me nënkuptimin se janë prishur nga ‘koha’!?), e ato Islame, akti fundit i të cilave, qenë statujat Afgane të Budës, apo diku gjetkë, dhe që janë nga krimet më të egra ndaj njerëzimit, se shoqëria e kaloi atë stad. Por me ato ideologjike! Andaj edhe në demokracitë e traditës, në këto vepra, është ndërhyrë në mënyrë të tillë, që të mpihet deri zhduket qasja ideologjike dhe të evidentohen edhe më, vlerat artistike dhe funksionale, me përjashtime kur është dashur shkatërrimi i plotë e pjesor i tyre, për pamundje akomodimi në vlerat e shoqërive përkatëse. P.sh., bulevardi “Dëshmorët e Kombit” dihet se me ndërtimet gjer në Luftën e Dytë, përfaqësonte ‘sëpatën e liktorit’ simbol i bashkimit me dhunë të Shqipërisë me Italinë fashiste. Nuk do të prishej tërë ansambli, po me shtesa do prishej konfigurimi i atij simboli, e për mendimin tim ka nevojë akoma për ndërhyrje. Po kështu për objektet e diktaturës lypet ritrajtim i tyre imediat, që nuk ka kosto të lartë po për ‘varrin e komandantit’ lypet zhdukja e tij me ndërtim tjetër, ‘Flamurin tonë Kombëtar’! Asnjëherë mos gënjehemi se me ndërrimin e funksionit, ai ndërron frymën! Ndërhyrje do lypej në objektet ideologjike të qendrës së kryeqytetit që ai i vetëquajturi “plani F”, i injoroi se s’prodhonin metërkare, veç muzeut, ku shtoi metërkare komike, sipas kërkesës së inventorëve të vërtetë të tij. Kjo iniciativë i takon qeverisë së re dhe dikasterit që mbulon ato institucione, sepse edhe kosto për ristrukturimet e tyre është e papërfillshme kundrejt investimeve që kryhen në vend dhe përballohen me fondet vjetore të tyre, në i ndajmë në vite, duke filluar së pari me pamjet. Veç pas kësaj, do mund të arrinim në përfundim të saktë për qendrën e Tiranës, dhe jo “derrin në thes” që nguten të na e shesin, me vendime pa vlerë gjoja të marra tashmë, po nga ata!? Pra siç shihet vlerat artistike që përcjell arkitektura e një vepre publike, nuk mund të jenë vetëm subjektive, sado nga autorë të njohur të jenë, sepse ndodh si në Indi, me një ‘kryevepër’ të Korbusiesë. Sot kullosin lopët. Ne kemi ansamblin universitar te artet ku duhet të fillohet të ndërhyhet me guxim për ‘zhveshjen’ e mantelit fashist të tij, por edhe duke përfituar. Ka ndonjë mendim se dhe në shkallinat e një pallati na paska mbetur shenja me ‘sëpatën e liktorit’, se kjo përfaqëson një epokë dhe duhen ‘ruajtur’. Ti shihnin ‘krokodilët’ byroistë pa do i bënim nga e para, por nuk shkon si krahasim me mollokët e komunizmit tek ne, me ‘Tombën e Diktatorit’ në krye, as gjer tek historiza e ‘dhisë me delen’. (E të mendosh se i kultivojnë këto ide tek të rinjtë!) Prandaj mendoj se është bërë domosdoshmëri ngritja e Këshillit të Etikës Kombëtare, për veprat me qasje me publikun, e të tjera. Jo vetëm do përqaste objektet e sistemeve të dhunës me realitetin, por roli i tij veç parandalimi i veprave ideologjike, do të ishte kryesisht ai i para ndalimit të plagjiaturave, së paku motamo, e që krekosen qendrave urbane në mjedisin shqiptar së bashku me ‘autorët’ e tyre. Misioni tjetër i tij do ishte ndalja e çdo zotërie, që pasi vë një shirit të kuq me një vijë të zezë në qafë, ka të drejtën të poshtërojë si të mundet zgjedhësit e tij, duke ju lyer banesat me një mënyrë stigmatizuese ku shprehet hapur, një përbuzje e fobi antishqiptare! Nuk ka arkitekt të operojë ashtu me fasadat, siç zë ultasi po na lakohet, sepse në rastin më të parë do t’i fluturonte licenca, e më pas do ballej me drejtësinë për përbuzje racore kolektive! Dikush do dojë memorial për “satanain”, Hitlerin, e çdo personazh gjakpirës të historisë, sepse faktet tregojnë, që imponohen antivlera shqiptare dhe humane, nga vendimmarrës, jo në odat dhe furriqet ku fshihen duke kaluar kohën me tabiatet e tyre, po ndër hapësirat tona publike! Përgjegjësia duhet të jetë ligjore për raste të tilla, dhe kjo do të sanksionohet përmes një kodi etik, hartuar ky, nga ekspertë ligjorë dhe profesionalë të fushës me të cilin do punonte Këshilli Etikës Kombëtare, e asnjë lloj vepre me qasje publike, nuk do mund kalonte pa miratimin e tij, ashtu si dhe të tjerë na caktojnë kapacitetet profesionalë përmes lincencimit, me të cilin, jo përherë jemi dakord, por ulim kokën sepse argumenti përballet me murin e ligjit! Natyrisht prerogativat operatore të tij do ishin të limituara vetëm për veprat me qasje të gjerë publike për gjithë moshat, sepse ndër këta farë ‘të zgjedhur’, ka të atillë, që në s’ka ligj që ti ndalë, mundet ndonjë ditë, nëpër sheshe, rrugë apo vende publike, të shohim “kamasutra”. Artet publike nuk kanë kufij në shprehje, por në perëndim, shfrimet e tyre limitohen!
Mendohet se rolin parandalues e kryejnë K.Rr.T.-të po nuk është ashtu. Sot ato janë kthyer në bursa të lobeve merkantile të metërkareve, mos më zi. Sot në ndërtimet e reja nuk ka asnjë kufi në plagjaturë dhe kopje motamo, të mos flasim për vlera kombëtare. Ato kanë humbur edhe si ‘term’. Objektet e kultit te ne kishin krijuar një traditë. Tani shohim mori stilesh tek të rejat, që s’mund të kalohen, kjo në gjitha konfesionet. Si shembull po marr kishën, atë të Korçës. Mishmash i pagodave ‘Thai’, minareve të Azisë së Mesme, e kubeve aziatike, (me gamilet që kullosin para dhe disa silueta njërzish, të veshur me xhybe të gjata e turbanë, të kujton paketat ‘Diamant’). Aspak evropiane e aq më pak shqiptare. Një gjë e huaj. Investitorët, mos mendojnë se ky konfesion fillon me ta në këtë vënd? Ta dinë mirë ata dhe të tjerë, se ky vend ka kisha të ndërtuara nga Perandorë, me një bukuri të pashoqe në kontinent, që sikur vetëm të imitohen, do arrinin parametra të pranuara me veneracion prej nesh. Sot ajo duket si ndërtim religjioz i ndonjë province përtej kaukaziane, diku në hapësirat lindore e të prapambetura me ndërtime 2-3 kate, me horizonte bosh jo në Korçën tonë, ‘Parisin e vogël’ si e quanim me krenari, që për tektoninë e saj, lejon shumëkatëshe. Me ato në sfond dhe do të stononte pa mëdyshje. Befasi është xhamia në Shkodër, që përbën risi e duhet nxitur për atë besim, tek sheh ndërtimet e dobëta që ka kryer ngado. Po problemi më i madh janë ndërtimet urbane, ato në sheshet kryesore, të vjetra e të reja, ku abuzohet dhe më shumë me kopjime neto, nga objekte apo projekte konkursesh në Evropë. Dhe nuk janë rrugëve e shesheve dytësore, po në qendra qyteti e kryeqyteti! Kjo, na zvogëlon shumë në sy të botës! Mendoni p.sh., ‘sikur’ fasada e një ndërtese si Pallati i Kongreseve të jetë një kopje! Të rinjtë dhe të apasionuarit e arkitekturës duhet të hulumtojnë për të kapur të tilla, në nder të profesionit që aspirojnë si dhe vendit të tyre. Këmbëngulja dhe ekzigjenca profesionale, do bjerë frytet për një ‘fytyrë’, në fushën e arkitekturës! Rolin kryesor do ta kishte, Këshilli i Etikës Kombëtare, KEK, në veprat publike. Nëse do kishim këtë Këshill, ‘kullëzat binjake’, nuk do ta prishnin bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, se fare mirë do u lejohej të shfrytëzonin gjithë platenë duke ruajtur metërkaretë, edhe më për oreksin e investitorëve, por ulja që do përftohej, do ruante mizurat e bulevardit e s’do kishim sforcot e gabuara të projekt idesë së Kuvendit, për t’u përshtatur me to, dhe fasada duke ruajtur valëzimin e gjatë qelqor me një prerje mbulimi të pjerrët po qelq nga rruga, do sillte më shumë vlera si realizim unik, se 2, 3 e 4-‘njake’ ka pa fund e për vendin ku janë ato, simotrave në Evropë, u shkojnë anës. Po dhe do shtyheshin ca metra më pas, duke i ikur ‘synetit’, nga baleti mbi rrugë, që në se bëjmë ne, e bëjnë ata pas nesh. Ajo që lypet nga ne është kërkimi në formë duke ju ikur atyre deri tani. Fenomeni i zënies të vendeve më të mira të Tiranës dhe Shqipërisë me metër katrorë për fitim të shpejtë, që pas pak vitesh “plaken”, duhet ndalur me ligj! Për ‘gjembaçin’, që u ngrit mes të Tiranës, flet vetë stonatura në ambient, në sytë e të gjithëve e nuk do koment! Pasja e një organizmi si KEK, Këshilli i Etikës Kombëtare, jo vetëm do ndalonte këto, por çdo ‘plan F’, jo serioz me ‘marketim’ çfarëdo dhe çdo projektues do të dinte, se ka një filtër për veprat publike, që rreket pa pra për montimin e një portreti tonin në qendrat urbane!