Nuk regjistrohen fituesit në Vlorë, ministria: Çështja do të zgjidhet
Fituesit e Universitetit të Vlorës që kanë mesatare më të ulët se 6, nuk janë regjistruar as dje, në ditën e fundit të aplikimit në universitet. Drejtuesit e këtij institucioni nuk kanë pranuar urdhrin e ministrit të Arsimit, z. Myqerem Tafaj, që të regjistronin të gjithë studentët e shpallur fitues, duke sjellë protesta në hyrje të godinës së Universitetit të Vlorës, nga të gjithë fituesit që nuk patën mundësinë e regjistrimit.
Ndërkaq, Ministria e Arsimit dhe e Shkencës bëri të ditur se do të gjendet një zgjidhje për të gjithë studentët në fjalë dhe se në fund ata do të regjistrohen. Drejtoresha e Arsimit të Lartë në Ministrinë e Arsimit bëri të ditur për “standard”: “Do të gjendet një zgjidhje në favor të studentëve”. Ajo sqaroi se “ministri i Arsimit u ka dërguar një letër drejtuesve të universitetit, ku u kërkonte regjistrimin e të gjithë fituesve, por nuk mund të them se përse nuk u zbatua ligji nga ana e universitetit”.
Problemi nisi pas shpalljes së fituesve në universitete. Ndonëse Agjencia e Pranimit dhe Regjistrimit në Institucionet e Arsimit të Lartë (APRIAL) shpalli listën e fituesve, Universiteti i Vlorës njohu si fitues vetëm ata që kishin mesatare mbi gjashtë, në kundërshtim me udhëzimet e Ministrisë së Arsimit, Vendimet e Këshillit të Ministrave dhe legjislacionin në fuqi.
Ministria e Arsimit reagoi menjëherë me anë të një deklarate për shtyp, ku theksoi qartazi se vendimi i Universitetit të Vlorës për të mos pranuar studentë që kanë përfunduar arsimin e mesëm me mesatare nën 6, është i jashtëligjshëm dhe i papranueshëm. Duke e nënvizuar këtë pjesë, njoftimi theksoi se “regjistrimi i studentëve nëpër të gjitha universitetet do të kryhet vetëm sipas listës zyrtare të fituesve të nxjerrë nga Agjencia e Pranimeve në Institucionet e Arsimit të Lartë, APRIAL”.
Ndërkohë që asnjë universitet nuk ka të drejtë të veprojë sipas rregullave të veta, të vendosura në çastin e fundit dhe pa marrë mendimin e ministrisë. “Asnjë IAL nuk ka të drejtë të ndërhyjë në këto lista. Kjo listë është e detyrueshme për t’u zbatuar prej tyre. IAL-të të mos nxjerrin pengesa në regjistrimin e të gjithë kandidatëve fitues brenda afateve të caktuara”, - theksoi ministria.
Edhe pas shkresës së drejtuar nga ministri i sapoemëruar i Arsimit, z. Myqerem Tafaj, qëndrimi i Universitetit të Vlorës nuk ndryshoi dhe asnjë prej këtyre studentëve nuk u pranua të regjistrohej, pa dhënë asnjë shpjegim për këtë vendim. Fituesit kanë paralajmëruar protesta masive, nëse nuk regjistrohen sipas rregullave në fuqi, ndërkohë një reagim zyrtar nga ministria pritet gjatë ditës së sotshme, kur do të përcaktohet edhe fati përfundimtar i pranimit të tyre në universitet.