E Shtunë, 31 Tetor 2026

KSHZ dënon konferencën që cenon imazhin e shqiptarëve

Në një komunikatë për media, Kuvendit i Shqiptarëve të Zvicrës reagon në lidhje me konferencën e mbajtur në Universitetin e Gjenevës me temën “Trafikimi i organeve dhe armëve kimike në Siri dhe në konflikte tjera luftarake”. Këtë konferencë KSHZ e ka cilësuar si “përpjekje që luftën e Kosovës dhe shqiptarët në tërësi t`i vë në një paralele ogurzezë me regjimet gjakatare të shumta që njeh historia e njerëzimit”.

Më 12 qershor, shoqata e quajtur “Instituti Ndërkombëtar për paqe dhe të drejtat e Njeriut”, bashkë me “Bashkësinë gjenerale të femrave arabe” dhe “Bashkësinë e juristëve arabë”, ka mbajtur një konferencë në Universitetin e Gjenevës, të titulluar “Trafikimi i organeve dhe armëve kimike në Siri dhe në vende të tjera lufte”. Në fakt, titulli fillestar i temës ishte “Trafikimi i organeve dhe armëve kimike në Kosovë dhe në Siri”.

“Përkundër tematikës së dhënë si më lartë, konferenca, në fakt, ishte fokusuar kundër ‘Imperializmit Amerikan’, sipas fjalëve të përdorura nga folësit, të cilët gjithashtu bënë apologji ndaj regjimeve tiranike, duke shpjeguar masakrat në botën arabe, por edhe në Ballkan, të cilat sipas tyre ishin inkurajuar nga fuqitë e mëdha”, shkruan KSHZ.

Reagimi i KSHZ ka shtyrë Universitetin e Gjenevës të distancohet nga ky organizim, thuhet më tutje në komunikatë. “Pas reagimit të Kuvendit të Shqiptarëve të Zvicrës (KSHZ) ndaj Rektoratit të Universitetit të Gjenevës, ky institucion ishte distancuar nga organizatorët e konferencës, duke shkruar në çdo njoftim se ky universiteti nuk është organizator, nuk merr kurrfarë përgjegjësie në lidhje më këtë konferencë dhe se nuk e përkrah atë, transmeton portali Albinfo.

Përmbajtja dhe tematika e zgjedhur nga organizatorët ishte jo serioze dhe skandaloze. Pas reagimit të KSHZ dhe Ambasadës së Kosovës, edhe pse organizatorët premtuan se do të ndryshojnë emërtimin e konferencës, ata në fakt nuk e ndryshuan në masmedia, por vetëm në portalin e internetit, në panotë/fletushkat dhe në Konferencë. Gjithashtu, organizatorët, sigurisht për të rritur numrin e pjesëmarrësve, kishin njoftuar se një prokuror i EULEX-it do të jetë pjesëmarrës në konferencë. Por një ditë para konferencës, organizatorët ndërruan listën e referuesve, duke shlyer emrin e prokurorit të EULEX-it.

Një tjetër inskenim ndodhi kur organizatorët shpallën se qyteti i Gjenevës e mbështet organizimin e konferencës, gjë që, sipas informacioneve zyrtare doli e pavërtetë, thuhet më tutje në reagimin e KSHZ.

Gjatë Konferencës disa referentë, sidomos një gazetare serbe, tentuan ta paraqesin luftën dhe masakrat e ndodhura në Kosovë kinse ishin iniciuar, inskenuar dhe bërë nga vetë autoktonët (shqiptarët), në bashkëpunim me amerikanët, dhe jo nga pushtuesi serb.

KSHZ i konsideron këto organizata dhe shoqata si jo serioze dhe të papërgjegjshme, të cilat propagandojnë kundër popullit shqiptar dhe shtetit të Kosovës, duke bërë përpjekje që luftën e Kosovës dhe shqiptarët në tërësi t`i vënë në një paralele ogurzezë me regjimet gjakatare të shumta që njeh historia e njerëzimit, apo edhe, si në rastin konkret, duke asociuar Kosovën me konfliktin arabo - oksidental.

“KSHZ dënon ashpër konferenca të tilla, të cilat kanë për qëllim vetëm diskreditimin e luftës dhe të imazhit të shqiptarëve dhe të Kosovës kundrejt opinionit vendas zviceran dhe më gjerë. KSHZ njëkohësisht do të reagojë edhe në mediet e huaja që e kanë bërë publike këtë konferencë. Gjithashtu nuk përjashtohen edhe hapa të tjerë.

KSHZ do të jetë vazhdimisht përkrah interesave të shqiptarëve në Zvicër dhe të drejtave legjitime kombëtare e njerëzore të shqiptarëve në përgjithësi. I ftojmë bashkëkombësit tanë, që në situata të tilla dhe të ngjashme si kjo, të kontaktojnë Kuvendin për t`i koordinuar punët bashkërisht”, thuhet në fund të komunikatës së Kuvendit të Shqiptarëve të Zvicrës./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›