E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komuniteti Mysliman: Ferexheja s’cenon laicizmin

• “Veshja e vajzave myslimane me shami koke nuk është simbol dhe doktrinim fetar, por një obligim i besimit islam”.zirina llambroKy është reagimi i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, pas përjashtimit nga shkolla “28 Nëntori” të dy nxënësve që mbanin ferexhe. Në një deklaratë për mediat, ky komunitet ka sqaruar se e drejta e arsimimit dhe lirisë së besimit mbështetet dhe garantohet me ligj nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. “Duke marrë parasysh se edhe nga drejtoria e shkollës nuk zbatohet rregullorja për uniformën, rasti i lartpërmendur nuk cenon karakterin laik të arsimit publik parauniversitar, duke qenë se nuk është propagandë, por liri e besimit dhe preferencë individuale”, thuhet në deklaratën e Komuniteti Mysliman. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e tij i kanë sugjeruar instancave përkatëse, që në kuadrin ligjor për arsimin 9-vjeçar të detyrueshëm në vendin tonë, çështjes në fjalë t’i jepet zgjidhja brenda Kushtetutës, normave etike dhe rregullores së shkollës. “Të gjitha këto nuk përmbajnë ndalesa të tilla, duke mos marrë masa ekstreme për t’i privuar nxënëset nga e drejta e shkollimit të tyre”, thuhet në reagimin e Komunitetit Mysliman. Përjashtimi Dy motra, nxënëse të shkollës “28 Nëntori” në lagjen e Laprakës në kryeqytet, nuk janë lejuar të hyjnë në mësim për shkak të veshjes fetare. Gentjana Hasani, nxënëse e klasës së tetë bashkë me të motrën Marselën, që ndiqte klasën e 6-të, kanë rreth një muaj që qëndrojnë në shtëpi. Përballë reagimit të drejtoreshës së shkollës, Lirie Ahmeti, e cila e ka argumentuar përjashtimin me ligjin që nuk lejon simbolet fetare në shkollë, prindërit e dy vajzave janë të palëkundur. Ata nuk pranojnë asnjë argument për t’i bindur se e vetmja mënyrë që dy vajzat të rinisin mësimin është heqja e ferexhesë. Sipas tyre, ato kanë të drejtë të shkollohen, edhe pse mbajnë këtë veshje. Madje, pohojnë se do ta çojnë këtë problem edhe në rrugë gjyqësore. Sipas dy vajzave, edhe pse në shkollë është vendosur uniforma, këtë rregull nuk e zbaton askush. “Nuk e kuptoj pse duhet jetë problem veshja ime, kur unë zbatoj të gjitha rregullat e shkollës, unë s’kam shkaktuar asnjë problem. Në shkollë vajzat vijnë pa uniformë, me barkun përjashta dhe me rroba të ngushta, s’ka pse të jem unë problemi”, është shprehur Gentjana, më e madhja e motrave. Ajo ka pohuar se do të arsimohet, por do të sakrifikonte dijet e shkollës për fenë islame. “Unë dua edhe të shkollohem, edhe të ndjek rregullat e Allahut, që të ndihmoj të tjerët. Por nëse më duhet të zgjedh mes të dyjave, patjetër që do të mbaj ferexhenë”, thotë vajza. Udhëzimi i MASH: Rregulloren për uniformën e vendosin shkollatNë udhëzimin e Ministrisë së Arsimit për shkollat 9-vjeçare dhe të mesme, thuhet se çdo shkollë duhet të ketë uniformë. Ajo caktohet nga nxënësit, prindërit dhe mësuesit. Më pas secili prej tyre është i detyruar ta zbatojë këtë kusht të vendosur në rregulloren e shkollës. Por në pjesën më të madhe të shkollave tona nxënësit shkojnë të veshur sipas dëshirës. Problematike mbetet veshja e vajzave, që shpeshherë i kalon kufijtë e ekstravagancës. E ndërsa për to nuk ka asnjë ligj që t’i pengojë, veç rregullores së shkollës, sipas ligjit simbolet fetare në shkolla nuk lejohen. Për sa kohë ferexheja është njëri prej tyre në fenë islame, masa të tilla nga drejtuesit e shkollës janë të ligjëruara. Për Ministrinë e Arsimit moslejimi i simboleve dhe veshjeve fetare në shkolla është i përcaktuar në një ligj të veçantë. “Marrja e kësaj mase është e mbështetur ligjërisht. Shkollat janë laike”, sqaron zyrtarisht MASH. Sa i përket uniformës në shkolla, sipas këtij dikasteri është nxjerrë një udhëzim i posaçëm për vendosjen e saj në secilën prej tyre. “Ministria ka nxjerrë një udhëzim të veçantë për uniformën në shkolla. Sipas këtij udhëzimi, do të jenë vetë nxënësit, prindërit dhe mësuesit që do ta përcaktojnë atë dhe më pas duhet të vishet nga të gjithë”, bën me dije Ministria e Arsimit. Sipas këtij dikasteri, i takon drejtorive të shkollave dhe atyre arsimore që të kontrollojnë dhe të marrin masa për zbatimin e kësaj rregulloreje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›