Edhe INSTAT: 2007 viti i rekordeve për KESH
• Viti 2007 ka qenë një vit i vërtetë rekordesh për Korporatën Elektro-Energjetike Shqiptare.Sipas raportit më të fundit të publikuar nga INSTAT, gjatë këtij viti prodhimi i energjisë është ulur ndjeshëm, ndërsa importi ka qenë në kuota maksimale. Krahasuar me 2006 humbjet e energjisë në rrjet kanë pësuar ulje. Ky përmirësim i këtij treguesi ka ardhur si rezultat i aksioneve të kryera nga KESH, për ndërprerjen e energjisë elektrike konsumatorëve debitorë. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, gjatë vitit 2007 prodhimi total i energjisë elektrike në vend u ul ndjeshëm me 46.9 për qind, krahasuar me vitin 2006. Rënia e konsiderueshme në sasinë e energjisë së prodhuar prej HEC-ve, me 47.7 për qind ka dhënë ndikimin kryesor në rënien e prodhimit total të energjisë. Energjia elektrike e prodhuar nga TEC-et u ul me 21.9 për qind krahasuar me vitin 2006. Importi i energjisë elektrike pati një rritje të thellë prej 136.2 për qind krahasuar me vitin 2006. Humbjet në rrjet janë ulur me 16.0 për qind në krahasim me vitin 2006. Gjatë këtij viti familjarët kanë konsumuar më pak energji se një vit më parë. Sipas INSTAT energjia e konsumuar nga sektori i familjes ka rënë me 2.2 për qind. Ky sektor ka konsumuar 57.1 për qind të sasisë së energjisë të disponueshme për konsum final. Sasia e energjisë elektrike të konsumuar nga përdoruesit e tjerë është rritur me 7.9 për qind krahasuar me vitin 2006.Bilanci 5,881 GWh energjia e prodhuar dhe importuar 2,947 GWh prodhimi i energjisë 2,934 GWh importi i energjisë 2,085 GWh humbjet e energjisë në rrjet 17.1 për qind janë ulur humbjet në shpërndarje 16 për qind janë ulur humbjet në rrjet