E Shtunë, 31 Tetor 2026

IOM, konferencë rajonale dyditore për emigrantët

• Statusi i emigrantëve të rregullt e të parregullt, baza ligjore si dhe administrimi i të dhënave për migracionin në rajon, ishin temat kyçe të konferencës së IOM-it të mbajtur më 5 dhe 6 mars.Gjithçka u organizua në kuadër të projektit “Ngritja e mekanizmave për zbatimin efektiv dhe të qëndrueshëm të marrëveshjeve të ripranimit midis Shqipërisë, Komunitetit Evropian dhe shteteve të treta të interesuara”, e cila po zbatohet nën drejtimin e Ministrisë së Brendshme greke. Në vijim të programeve për komunitetin të AENEAS, IOM organizoi konferencën rajonale me qëllim shkëmbimin e eksperiencës dhe praktikat më të mira lidhur me procedurat e kthimit dhe zbatimit të marrëveshjeve të ripramimit me KE. Në forum morën pjesë përfaqësues të qeverive të vendeve të Ballkanit Perëndimor si dhe ekspertë të BE-së në çështje të kthimit dhe ripranimit. Sipas përfaqësuesve të IOM-it, kthimi dhe ripranimi janë çështje të një rëndësie të vazhdueshme për vendet anëtare të BE-së, si dhe vendet që do të anëtarësohen. Ato përbëjnë një komponent të nevojshëm të menaxhimit të mirë të politikave të migracionit dhe përpjekjeve të përbashkëta për zvogëlimin e migracionit të parregullt, duke respektuar të drejtat njerëzore të personave. Shqipëria është vendi i parë në rajon që ka ratifikuar marrëveshjen e ripranimit me KE-në në 2006, me klauzolën për shtetasit e vendeve të treta, që do të hyjë në fuqi në maj 2008, ndërsa vende të tjera të Ballkanit Perëndimor kanë përfunduar marrëveshjen e lehtësimit të vizave dhe të ripranimit me KE në shtator 2007". Aktiviteti solli lehtësira për krijimin e praktikave të përbashkëta për shkëmbimin e informacionit dhe bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor”, sqaruan specialistët e IOM-it. Gjatë forumit, pjesëmarrësit diskutuan çështje lidhur me bazat ligjore kombëtare dhe aktet administrative që kanë të bëjnë me statusin e emigrantëve të parregullt dhe të rregullt, si dhe çështje të tjera praktike që lidhem me to. Një vëmendje e veçantë iu kushtua menaxhimit të të dhënave të migracionit në rajon, me fokus në kthimin dhe ripranimin. Aktivitetet e këtij projekti janë të bashkëfinancuara nga Bashkimi Evropian, Ministria e Brendshme greke dhe partnerët e tjerë të projektit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›