E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dule: PD do të krijojë struktura paralele në PBDNJ

Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, shpërtheu ditën e djeshme në akuza ndaj Partisë Demokratike, lidershipit të saj dhe partive të koalicionit të djathtë. Përgjatë fjalës së mbajtur në Kongresin e Jashtëzakonshëm të PBDNJ-së, kreu i partisë së minoritetit i akuzoi demokratët se kishin më shumë se dy vjet që po kërkonin të krijonin struktura paralele brenda kësaj partie. Po kështu, Dule e konsideroi koalicionin e së djathtës shqiptare si jo europian, i cili kishte në gjirin e tij parti të mbështetura në objektiva fantazmë. Në këtë pikë, Vangjel Dule la të kuptohej se PBDNJ-ja nuk mund të ishte pjesë e një koalicioni, i cili kishte parti që mbështesnin zgjidhjen e çështjes çame. Në këtë kongres, kryetari i PBDNJ-së, Dule, u zgjodh edhe për një mandat tjetër katërvjeçar si kryetar i partisë së minoritetit. Dule akuzoi edhe PS se nuk mbrojti votat e PBDNJ. Por në reagimin e tij, kreu socialist tha se e vërteta ndodhej në kutitë e votimit.

Përçarja

Partia Demokratike, në mënyrë sistematike, kishte dy vite që po tentonte krijimin e strukturave paralele brenda strukturave drejtuese të Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Ky ishte një nga arsyet që përmendi kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, për të cilat partia e tij nuk pranoi të ishte pjesë e koalicionit të drejtuar nga PD-ja. "Ne nuk mund ta vazhdonim më këtë bashkëpunim, sepse PD-ja u përpoq sistematikisht që në vitin 2007 të krijojë brenda PBDNJ-së struktura drejtuese paralele", pohoi dje Dule, gjatë mbajtjes së Kongresit të Jashtëzakonshëm të partisë që ai drejton. Po kështu, Dule deklaroi se pas mospërfshirjes së PBDNJ-së në koalicion me PD-në, demokratët kanë nisur edhe hakmarrjen ndaj nëpunësve minoritarë në administratë. Sipas kryetarit të PBDNJ-së, prej kohësh po bëhen shkarkime masive nga puna e atyre individëve që mbështesin partinë e minoritetit.

Çamët

Disa parti në koalicionin e djathtë, të drejtuar nga Kryeministri Berisha, janë të mbushura me armiqësi dhe kërkojnë arritjen e disa objektivave fantazmë. Kjo ishte mënyra se si kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, i konsideroi kërkesat për zgjidhjen e çështjes çame të shtruara nga aleatët e Kryeministrit Berisha. Duke folur për një protestë të komunitetit çam, jashtë selisë së Komisionit Europian në Tiranë, Dule e konsideroi PBDNJ-në si një parti thellësisht europiane, e cila distancohej nga këto qëndrime të prapambetura dhe jo europiane. "PBDNJ-ja, duke qenë me bindje të qartë europiane, nuk mund të pranonte të ishte në kuadrin e një koalicioni me forca politike, në thelbin e programeve të të cilave është armiqësia, e shkuara, të cilat sot e kësaj dite, jashtë ambasadës së BE, kërkojnë që të mos eci procesi i integrimit nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre të mbështetura në objektiva fantazmë", shtoi Dule në fjalën e tij. Kryetari i PBDNJ-së theksoi se këto parti, pjesë e koalicionit të drejtuar nga Kryeministri Berisha, nuk kishin asnjë të përbashkët me vizionin europian që kërkohej për integrimin e vendit në Bashkimin Europian.

Vangjel Dule do të vazhdojë të jetë edhe për katër vitet e ardhshme kryetar i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, që mbron të drejtat e minoritarëve në vend. Kjo u vendos në Kongresin e Jashtëzakonshëm të mbajtur paraditen e djeshme nga ana e PBDNJ-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›