“Ka ardhur koha që palët politike të tregojnë maturi”

Flet Kreu i delegacionit për Evropën Juglindore në Parlamentin Evropian, Eduard Kukan
Kreu i delegacionit për Evropën Juglindore në Parlamentin Evropian, Eduard Kukan, ka deklaruar duke iu referuar situatës post-zgjedhore në Shqipëri se palët politike duhet të tregojnë maturi, në mënyrë që Shqipëria të mos humbasë shansin për të ecur përpara në rrugën e integrimit evropian. Përmes një reagimi zyrtar për mediat shqiptare në Bruksel, Kukan thotë se ia ka ndjekur nga afër procesin e votimit në Shqipëri më 8 maj dhe si i tillë ai vlerësoi se zgjedhjet u zhvilluan në një klimë pozitive.
“Ditën e zgjedhjeve isha shumë i kënaqur me procesin. Unë isha vetë aty, por kjo është vetëm një pjesë e procesit. Situata siç paraqitet tani është tepër e pafavorshme. Vendi po përballet me krizë politike që pas zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2009. Kjo është arsyeja pse Shqipëria nuk arriti të marrë statusin e vendit kandidat siç e mori Mali i Zi në raport progresin e Komisionit. Unë vetëm sa mund të shpreh keqardhjen për një situatë të tillë, pasi shqiptarët meritojnë shumë më tepër”, tha Kukan.
Duke përforcuar deklaratën e baroneshës Ashton, të dhënë me urgjencë, pas tensionimit të situatës në Tiranë, Kukan tha se politikanët e Tiranës, ata të bëjnë thirrje për militantizëm agresiv dhe protesta, duhet të jetë më të përgjegjshëm.
“Të gjithë politikanët nga të gjithë krahët politikë duhet të jenë të përgjegjshëm, të vendosin interesat e vendit dhe të popullit të tyre në plan të parë dhe të gjejnë një kompromis. Ne mund t’i ndihmojmë ata, t’i nxisim, apo dhe t’i lutim, por janë ata që duhet të merren vesh, Ne nuk mund të nënshkruajmë ndonjë marrëveshje në emër të tyre”, tha më tej ai.
Reagimet e Brukselit gjatë ditëve të fundit kanë qenë thuajse të përditshme, duke i apeluar klasës politike që të heqë dorë nga sjelljet destruktive si dhe gjithçka t’i përmbahet kuadrit ligjor në fuqi.