“ODIHR-i nuk tha se Edi Rama ka fituar bashkinë e Tiranës”
PD, Gerti Bogdani
Selia e Partisë Demokratike ka reaguar ndaj kreut socialist, kandidat për Bashkinë e Tiranës, duke deklaruar se nuk mund të ketë asnjë fitues për Tiranën pa u shpallur ende rezultati përfundimtar. Kjo deklaratë erdhi nga deputeti demokrat Gerti Bogdani duke qene se për tre ditë rresht qindra simpatizantë të Partisë Socialiste, kanë protestuar para godinës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për ndryshimin e rezultatit. Deputeti i Partisë Demokratike Bogdani theksoi se kjo garë është shumë e ngushtë dhe megjithëse rezultati i tanishëm duket premtues, ende nuk kemi një rezultat përfundimtar, dhe nuk mund të ketë fitues derisa të dalë rezultati përfundimtar.
Më tej, Bogdani nënvizoi se çdo votë duhet të numërohet, dhe zëri i çdo qytetari duhet të dëgjohet duke shtuar gjithashtu se Edi Rama se ka zgjedhur një rrugë tjetër.
“Pse është përpjekur Edi Rama ta shpallë veten fitues, në fillim para se të numëroheshin të gjitha kutitë për Kryetar Bashkie, dhe më pas pa u numëruar çdo votë”, ka apeluar deputeti i selisë blu, Bogdani.
Bogadani iu referua edhe faktit se Edi Rama ka deklaruar se raporti i ODHIR-it e shpall atë fitues, ndërkohë që sipas Bogdanit “raporti i ODHIR-it vetëm thotë se Edi Rama e ka shpallur veten fitues, dhe se procesi zgjedhor duhet të vazhdojë.
Në vijim të kësaj deklarate për mediat, deputeti demokrat, Bogdani theksoi gjithashtu se Edi Rama i cili i ka thurur lavde sundimit të ligjit ka bllokuar rrugët duke djegur goma dhe ka rrethuar KQZ-në vetëm për të ndalur në mes procesin e numërimit të votave.
“Pse ka bërë Edi Rama akuza absurde për vota të manipuluara, ndërsa të gjitha fletët e votimit kanë vulën dhe nënshkrimin e komisionerëve të tij, dhe të gjitha kutitë u vulosën sapo u mbyll numërimi fillestar dhe më pas u hapën, vlerësuan dhe numëruan drejtpërdrejt në televizion”, deklaroi më tej deputeti demokrat Bogdani duke theksuar se Edi Rama po tenton të mbytë zërat e qytetarëve pasi ka frikë nga numërimi i çdo vote.