Shpëtojnë kroatët, fitojnë Dinamo e Tirana
Zllakto Daliç me buzëqeshje të rikthyer. Trajneri kroat i Dinamis arriti fitoren e parë në Superligë. 3-1. Pikërisht ndaj Shkumbinit, që një javë më parë kishte shkatërruar Bylisin 4-1. Tri pikë, që i dhanë 17-herë kampionëve të Shqipërisë, bashkëkryesimin me Tiranën, që nga ana e saj fitoi 1-0 me Teutën në Shijak. Në një takim të ndjekur nga shumë tifozë të ardhur nga Peqini e nën sytë e trajnerit të Kombëtares, Ari Han, ishte
kroati Frane Petriçeviç, që firmosi në minutën e 8-të jo vetëm golin e tij të parë në Superligë (i dyti bashkë me atë në finalen e Superligës), por dhe golin e parë të Dinamos në sezonin 2008-2009. Goli i shpejtë provokoi nervozizëm në radhët e peqinasve.
Në minutën e 9-të mbrojtësi veteran i Shkumbinit, Alpin Gallo frenoi në mënyrë të parregullt sulmuesin e Dinamos jashtë zonës, Sabino Plaku, dhe duke qenë lojtari i fundit i peqinasve gjyqtari Mentor Sopjani (një ish-gardian në burgun e Peqinit) e ndëshkoi me të drejtë me karton të kuq ish-lojtarin e të treja skuadrave të kryeqytetit. Pak minuta më pas edhe një karton të verdhë për Mikel Bizhuti. Petriçeviç, Plaku e Allmuça goditën nga larg portën e Ervin Llanit, por pa mundur të ndryshojnë shifrat 1-0 të 45 minutave të para. Fraksioni i dytë me entuziast për blutë, teksa ishte mesfushori Igli Allumuça, protagonisti i madh. Ish-lojtari i Partizanit dhuroi një asist të mrekullueshëm e sulmuesi Sabino Plaku, i cili nuk e pati të vështirë të shënonte golin e dytë në minutën e 58-të. Goli i parë në kampionati i ish-sulmuesit të HamKamit në Norvegji. Në të 75’, Allmuça hodhi mjeshtërisht një top drejt zonës së Llanit, dhe aty sfera e devijua nga Xhyra i Peqinit, i kontaktuar tërthorazi edhe nga Sabino Plaku. Një gol ndoshta me dy autorësi, por që çoi befasisht shifrat në 3-0. Më bukur se kaq nuk mund të shkonte për Dinamon përballë një kundërshtari që luajti që nga minuta e 9-te me dhjetë lojtarë. Por, gjithsesi Shkumbini nuk u largua nga vizita e parë në kryeqytet pa shijen e golit, kur Gjata realizoi golin e nderit në minutën e parë shtesë (91’). Kjo ishte fitorja e 20-të e Dinamos në 36 takime, kundrejt vetëm 9 fitoreve të peqinasve (9 barazime). Pas dy javësh pushim, për shkak të ndërprerjes së kampionatit për llogari të ndeshjeve ndërkombëtare të përfaqësueses sonë, në javën e tretë Dinamo do të përballet në Kavajë me Besën, ndërsa Shkumbini do të presë në shtëpi Teutën.
Ari Han
Trajneri Ari Han, i mbërritur dje në Tiranë ndoqi takimin Dinamo-Shkumbini në “Selman Stërmasi”, e jo Teuta-Tirana, siç ishte parathënë në media. Të dielën trajneri i kombëtares do të ndjekë në “Qemal Stafa” ndeshjen Partizani-Vllaznia (ora 17:00).
KATEGORIA SUPERIORE
JAVA II
DINAMO-SHKUMBINI 3-1
Shënues: Petriçeviç 8’, Plaku 56’, Xhyra 75’(autogol)/ Gjata 90+1’
TEUTA-TIRANA 0-1
Shënues: / Memelli 42’
BYLIS-BESA
Shënues: Kapaj 8’, K.Dalipi 36’/ Kuli 70’ (p)e 75’, Progri 80’
Sot, ora 17:00
Partizani-Vllaznia
Flamurtari-Elbasani
Aplonia-Lushnja
Vendos Memelli, rikthehet Tirana
Migen Memelli me golin e tij kundër Teutës (1-0) tri minuta para përfundimit të pjesës së parë i dhuroi Tiranës fitoren e parë në sezonin e ri e të parën për trajnerin kroat Bllazhe Slishkoviç. Ish-sulmuesi i Gaisit në Suedi shënoi kështu golin e parë të 23-herë kampioneve pas barazimit pa gola në Shkodër kundër Vllaznisë. Tirana dominoi plotësisht takimin në fushën asnjanëse “Tofik Jashari” të Shijakut ndaj një Teutë ende të parritur e me lojtarë të rin. Gjithsesi, në minutën e 3-të, Qazim Buna i Teutës goditi mjeshtërisht, por portieri veteran i Tiranës, Blendi Nallbani, e devijoi topin në goditjen këndi. Në minutën e 13-të Xhafaj goditi me kokë, e më pas Ansi Agolli rrezikoi për bardheblutë. Në të 18’ pas krosimit të Bledar Devollit, Daniel Xhafaj gjuajti por, Vashaku eliminoi një gol të sigurt, derisa do të vinte goli i ish-sulmuesit të Bran Bergenit, Migen Memelli në minutën e 42-të, një gol që mbijetoi deri në përfundim të 90 minutave të gjykuara nga laçiani Sokol Çekaj. Për Tiranën kjo ishte fitorja e 72-të në 144 ndeshje me Teutën (34 fitore).
Në javën e tretë, më 14 shtator Tirana do të përballet me Partizanin, të cilit në merkaton e këtij sezoni i ka marrë tre lojtarë: Devollin, Osmanin e Muzakën. Teuta do të udhëtojë në Peqin për t’u përballur me Shkumbinin, që vjen nga humbja 3-1 me Dinamon.
Befasuese, Besa përmbys Bylisin
Besa realizoi një përmbysje epike në vetëm 20 minuta lojë teksa përmbysi deficitin 2-0 në fitoren 2-3 kundër Bylisit në “Adush Muça”. Sinjali i parë ishte i Besës, kur Alikaj gjuajti në minutën e 2-të nga 25 metra, por nigeriani Egbo reagoi mjaft mirë. Vetëm gjashtë minuta më pas, ish-futbollisti i Vllaznisë, Maringlen Kapaj realizoi golin e parë për Bylisin, duke shënuar një gol të mrekullueshëm nga 30 metra në minutën e 8-të e duke çuar në delir tifozerisë ballshiote. Në minutën 36-të, pas një kombinimi të bukur me Roland Nenaj, ish-sulmuesi i Shkumbinit elbasanasi Klevis Dalipi dyfishoi shifrat me një gol të zgjuar në portën e Zendelit. 2-0 pjesa e parë për Bylisin dhe atmosfera në Ballsh ishte në kulm, teksa dukej se Faruk Sejdini do të shijonte fitoren e parë në Superligë me Bylisin pas humbjes 4-1 në javën e parë me Shkumbinin. Pjesa e dytë ishte një ferr i vërtetë për skuadrën vendase. Në lojë për Besën hyri meksikani Elokan. Kosovari Fitim Haliti fitoi penallti në të 70’ për Besën, ndërkohë që te pika e bardhë nuk mund të gabonte një “vrasës” si Bekim Kuli (4 penallti të realizuara sezonin e kaluar). Silurë e kapitenit kavajas Bekim Kuli nga 25 metra me të djathtën dhe rezultati u vendos në ekulibër (2-2) më minutën e 75-të. Pesë minuta më pas erdhi dhe goli i fitores për Besën. Enkel Alikaj ekzekutoi një goditje këndi e Progri realizoi me kokë në minutën e 80-të, duke mposhtur për herë të tretë nigerianin Egbo, i cili ka pësuar 7 gola në 180 minuta. Kjo ishte fitorja e dytë e Besës ndaj Bylisit në 10 takime direkte (5 fitore Bylis).
RENDITJA SUPERLIGA
Java II
Skuadra P F B H Gol
1 Dinamo 4 1 1 0 3-1
2 Tirana 4 1 1 0 1-0
3 Shkumbini 3 1 0 1 5-4
4 Partizani* 3 1 0 0 1-0
5 Flamurtari* 3 1 0 0 1-0
6 Besa 3 1 0 1 3-3
7 Teuta 1 0 1 1 0-1
8 Vllaznia* 1 0 1 0 0-0
9 Elbasani* 1 0 1 0 0-0
10 Apolonia* 1 0 1 0 0-0
11 Lushnja* 0 0 0 1 0-1
12 Bylis 0 0 0 2 3-7
1 Shtator 2008