Osetia e Jugut nuk është Kosovë

Me shumë entuziazëm, Rusia këtë javë njohu pavarësinë e Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut, dy enklavave që i dhanë shkas për luftën e saj në Gjeorgji. Abkhazët dhe osetët festuan shpërblimin e tyre për faktin se jetuan nën mbrojtjen e Rusisë për 15 vjet. Rusët e panë se ishte një rrjedhojë logjike e fitores së tyre, një shkallë më tej në konfrontimin me Perëndimin dhe një kopje e asaj që ndodhi në Kosovë. Siç argumentoi edhe vetë presidenti rus Dmitri Medvedev, “nuk mund të kesh një rregull për disa dhe një tjetër për të tjerët”. E megjithatë, Perëndimi ka të drejtë t’i përgjigjet ashpër trimërisë së Rusisë, duke refuzuar të njohë dy shtetet e reja. Pa harruar se Rusia po tregohet vetë inkoherente, duke insistuar se pavarësia e Kosovës prej Serbisë është ende e jashtëligjshme, (një qëndrim ky që ka ardhur pjesërisht si pasojë e dëshirës për të evituar një precedent për Çeçeninë dhe republikat e tjera brenda Rusisë). Vlerësimi i Medvedev për të hequr paralele mes Kosovës dhe Osetisë së Jugut është thuajse plotësisht fals. Kjo nuk është për të mohuar ngjashmëritë sipërfaqësore që Perëndimi do të bënte mirë t’i pranonte. Sulmi ajror i NATO-s në Serbi në vitin 1999 ishte si lufta në Irak në vitin 2003, e kryer pa një aprovim të Kombeve të Bashkuara. Që të dyja luftërat kishin si qëllim ndryshimin e regjimit. Shkurtin e kaluar, njohja nga shumë vende evropiane e pavarësisë së Kosovës nga Serbia sërish pati mungesën e bekimit të OKB-së, falë vetos së Rusisë. E gjithë kjo e bëri të paevitueshme që Kosova, ashtu si Iraku, të citoheshin si justifikime për aventura të tjera. Perëndimi e dinte se pavarësia e Kosovës në veçanti rrezikonte të shndërrohej në një justifikim për njohjen ruse të Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut. E megjithatë, pikërisht këtu paralelet nuk bashkohen. Në enklavat gjeorgjiane, forcat ruse kanë vepruar si “rrëmujaxhinj” dhe jo si paqeruajtës neutralë. Ndërsa Sllobodan Millosheviçi i Serbisë i shtypte prej kohësh shqiptarët e Kosovës, përveç luftërave dhe pastrimit etnik nëpër ish-Jugosllavinë. Por ishin gjeorgjianët të cilët përfunduan si viktimat më të mëdha të spastrimit etnik në Abkhazi në vitet ‘90 dhe janë sërish gjeorgjianët në Osetinë e Jugut gjatë konfliktit të fundit në Kaukaz. Ndryshe nga Millosheviçi, Mikail Sakashvili i Gjeorgjisë është një president i zgjedhur në mënyrë demokratike, i cili padyshim që do të japë llogari para votuesve për vendimin e tij për të sulmuar Osetinë e Jugut në 7 gusht. Motivi përbën një ndryshim edhe më të qartë. Përgjatë viteve 1990, amerikanët dhe evropianët ishin ekstremisht të paduruar që të përfshiheshin në Ballkan. Pas tërheqjes së Millosheviçit nga Kosova në 1999-ën, roli kryesor i OKB-së dhe NATO-s atje ishte mbrojtja e minoritetit dhe vendeve fetare serbe. Fuqitë perëndimore i kushtuan vite të tëra negociatave mbi të ardhmen e Kosovës, që kulmuan në bisedimet shqiptaro-serbe të udhëhequra nga ish-presidenti finlandez Marti Ahtisari. Vetëm atëherë kur këto bisedime dështuan, kryesisht falë intransigjencës ruse, atëherë pavarësia e Kosovës u bë e paevitueshme. Në një kontrast total, Rusia ka ndjekur krejt hapur interesat e saj në Kaukaz. Ajo bëri të pamundurën për të provokuar Sakashvilin të niste luftën. “Paqeruajtësit e saj” nuk kanë bërë as përpjekjen më të vogël për të mbrojtur minoritetet në Abkhazi dhe Osetinë e Jugut. Moska nuk është përpjekur asnjëherë të promovonte negociata serioze mbi të ardhmen e dy territoreve. Por në vend të saj ka çimentuar marrëdhëniet e tyre me Rusinë, duke ngritur depo armësh dhe duke u dhënë banorëve lokalë pasaporta ruse (një marifet transparent për të justifikuar nevojën e mëvonshme për të mbrojtur shtetasit rus). Megjithëse Sakashvili mori më pas vendimin katastrofik për të dërguar ushtrinë gjeorgjiane, duke rezultuar në vdekjen e disa civilëve, megjithëse nuk ka prova nga Rusia që mbështesin pretendimet e saj për gjenocid apo spastrim etnik. Ndryshimi mes Kosovës dhe Osetisë së Jugut ka qenë i thellë që para luftës. Në vitin 1999 fuqitë perëndimore ndërhynë si mundësia e fundit për t’i dhënë fund represionit serb, duke sjellë paqeruajtësit ndërkombëtarë të OKB-së në Kosovë. 8 vjet diplomaci i paraprinë pavarësisë së Kosovës. Rusët pushtuan Gjeorgjinë në një atmosferë entuziazmi lufte, refuzuan të largohen dhe hodhën poshtë përpjekjet ndërkombëtare për të sheshuar konfliktin dhe tani njohën pavarësinë e enklavave, vetëm tri javë pas fillimit të luftës. Në princip, shtetet subkombëtare duhet të jenë të afta të shkëputen, por Osetia e Jugut dhe Abkhazia qartësisht nuk përmbushin kriteret për një gjë të tillë. Asnjë prej tyre nuk është konsultuar me njerëzit e vet, përfshirë këtu një numër të madh refugjatësh gjeorgjianë. Tani Sakashvili duhet të ndalojë së premtuari për rimarrjen e kontrollit të tyre, dhe Perëndimi duhet insistojë në dërgimin e paqeruajtësve. Por agresioni rus në Gjeorgji nuk duhet të shpërblehet duke u lejuar pavarësinë e dy enklavave. Kjo gjë do të shënonte me të vërtetë një precedent të rrezikshëm në Ukrainë, Moldavi dhe brenda vetë Rusisë.