E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ka edhe libra që bien në kundërthënie hap pas hapi

19-12-2011 / Nga Kostaq Xoxa

Një veçori e çekuilibrit që vihet re në “Kurbanin” që është bërë objekt kritikash të gjithanshme nga mjaft lexues dhe që nuk është vlerësuar siç do të dëshironte autori nga kritika letrare, është zmadhimi tej mase i gjërave të parëndësishme, nga njëra anë, - dhe rrëshqitja e temave që kanë lidhje me të njëjtin person, i cili e vë vërtet në vështirësi autorin e librit. Mjafton të merren dy episode që kanë të bëjnë me Mustafa Nanon, apo Muçin - siç e quajnë rëndom gazetarët. Lexuesi mund të kuptojë se episodi i parë është thuajse i parëndësishëm, kurse nga i dyti mund të nxirren konkluzione të hidhura për E. Ramën. Në episodin e parë, që përfshin mjaft faqe të librit, Mustáfa kritikohet rëndshëm se duket që nuk e çmon si duhet luajalitetin e kryetarit të mëparshëm të bashkisë ndaj biznesmenëve të përkushtuar ndaj tij. Madje Muçi paska bërë një paralele ndërmjet kryeministrit britanik David Kameron dhe biznesmenit Rupert Murdok. Duke lexuar këto fletë të “Kurbanit”, që fillojnë me faqen 226, lexuesi mund të bindet se arsyetimet e gazetarit M. Nano, që kishte ndërruar prej kohësh kahen e politikës, në të cilën kishte hyrë fillimisht, kishin rrëshqitur, mbase pa dashur, në çështje “me argumente hiç”, siç thotë autori i “Kurbanit”.
Mustafa Nano replikohet në librin e Edit se ky i fundit nuk paska qenë luajal me biznesmenin e tij, KK-në. Ashtu siç kishte hyrë Murdoku nga dera e pasme e godinës  nr. 10 të Downing Street-it, për takim me kryeministrin David Kameron, në të njëjtën mënyrë tanimë Koçoja hynte nga dera e pasme e bashkisë. Na del që “Edi i lë njerëzit në baltë dhe i begenis të tjerët vetëm kur është nevojtar”. Natyrisht nuk mungojnë në këtë libër edhe shprehje të forta ndaj gazetarit të tij që paditet, tanimë, për “insinuata personale, absolutisht të padenja për lartësinë morale ku ka zgjedhur të qendrojë”. Thotë edhe se “përfundimisht, Muçi ia ka mbytur kot”. Shkruhet edhe se asnjëherë nuk ka pasur ndonjë prishje ndërmjet Edit dhe Koços. “Sipas Muçit, Kokëdhima paskësh hyrë me mijëra herë nga dera e pasme e bashkisë”, - shkruhet në një frazë të faqes 227”. Kjo “me mijëra herë” është e Muçit apo e Edit? Ka mbetur enigmë; sepse të dy janë të etur për stil të fryrë, me hiperbola që synojnë ta bëjnë të bujshëm shkrimin, artificialisht. Meqë këtu nuk kemi të bëjmë me  hijeshi stili (si në të 24 mijë të puthurat e Çelentanos), atëherë ato mijërat e herëve që hyet nga dera e pasme, duhet të kenë kuptimin e dhjetë mijëve apo 80-90 mijëve. Por vetëm 1 mijëshi nënkupton 3 vjet, ditë për ditë! Hiperbola veç në qentë këtu për një stërzmadhim të panevojshëm, jo për bukurí fraze!
***
Ky telash në të cilin Muçi e futi veten, është i parëndësishëm në krahasim me atë debatin televiziv në të cilin u mbërthye keq, përballë të ftuarit kundërshtar në panel, Edi Palokës. Gjer në njëfarë kohe Mustafa Nano ishte në atë euforinë e tij me batuta e me prerje fjalësh, me shprehje  jo të zakonshme, por të bujshme. Kishte huazime nga stili i bujshëm i ustait të tij, E. Ramës. Paçka se ustai është usta. Dhe nuk e ka për gjë t’i shkelë në kallo  lakeut të vet, kur ky merr si kot, nganjëherë, siç e pamë më lart. Kishte marrë kot dhe në këtë panel kur fliste për shkrimet e veta dhe për rrogën e tij që ishte më e madhe se ajo e deputetit Edi Paloka! 3000 heuro në muaj! - siç thoshte me krenarí. -Avash, mos na u mburr kaq shumë, - i tha Paloka. - Kur fitoke kaq shumë, përse more shtëpi nga Fidel Ylli dhe nuk e zgjidhe qesen tënde? -Nuk është e vërtetë se më ka dhënë shtëpi Fidel Ylli,- kundërshtoi me “bindje” dhe me azganllëk Muçi. -Ah, po, se Fidel Ylli ka qenë ndërmjetës. Apartamentin  ta ka dhënë Edi Rama, me ndërmjetësinë e Fidel Yllit! - i vuri vulën Paloka.
M. Nano u paralizua. Humbën fjalët e tij kumbuese, të folurit açik; u shter kapadaillëku i tij dhe tonaliteti i zërit u dyzua, në dy kohë: Në fillim, kur bënte propagandë majtiste me nënvetëdijen e një oratori. Dhe më pas, si doli ai muhabeti i shtëpisë, kur gojëtaria e tij u flashk, pas rënies nën kurthin e deputetit Edi Paloka.
Tani ato historitë e Edvinit të cilat, nga faqja 13 e librit të tij e në vijim,  synojnë të na mbushin mendjen për gjendjen e tij të fukarait me shtëpi me qirá, ato histori mashtruese, pra, që janë të pamundura që të përligjen. Si është e mundur që Edi t’i japë shtëpi Mustafait, vetëm se ndërmjetësoi Ylli, dhe vetë nuk marrka dot një shtëpi, përveçse 75 m² me qira? Që “fukarallëku” i Edvinit do t’i kishte këmbët e shkurtra, kjo dihej prej të gjithë atyre që e kishin dëgjuar këtë fabul, si shumë e shumë të tilla, që përmban ky libër. Kjo është një arsye që e bëjnë librin të pabesueshëm, domethënë edhe të palexueshëm. Së dyti është stili me fraza të tejzgjatura, me UN-in e pranishëm kudo, me vetëpërkëdheljen që nuk të zgjon asnjë ndjenjë estetike, në librat që lexohen përgjysmë.
Me atë denduri materialesh, të ngjeshura kapic, libri mund të bëhej interesant, po të kishte elementet që e bëjnë një vepër interesante. Mbi të gjitha, stilin. Ishte një histori dashurie ajo ndërmjet shkrimtares Zhorzh Sand dhe poetit Alfred dë Mysé (Musset). I vëllai i poetit të dashurisë, Alfredit, e sulmoi shkrimtaren Sand, që e kishte tradhtuar të vëllanë, kur kishin vajtur në Itali për pushime. Pol dë Mysé, - thamë, - u orvat ta diskreditonte me një libër të tërë shkrimtaren çapkëne, me librin “Elle et lui”. Por nuk vonoi e doli libri vetëjusitifikues “Lui et elle”. Librat e dashurisë, ndonëse me ngjarje jo të pazakontë, u quajtën si një event letrar. Ishte stili që u jepte vlerë.
Kurse libri i Edit, që ka një stil bombastik (nëse do të ekzistonte një stil i tillë) është i mërzitshëm në çdo pjesë të tij, se bie erë mashtrim.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›