Pellumbi: Anët e errëta të Nanos dhe Berishës
Profesori i njohur i politikës shqiptare, Servet Pellumbi, në librin e vet të publikuar ditët e fundit bënë një analizë të hollësishme edhe të sjelljes së Nanos dhe Berishës në raport premtimet publike. Në pjesën që po botojmë sot, autoriPellumbi thekson se të ashtuquajturit "liderë karizmatikë" me anë të me anë të premtimeve dhe deklaratave bombastike kanë arritur të manipulojnë qytetarët në vazhdimësi.
Fragment i shkëputur nga pjesa e pestë "Manipulimi si akt i pamoralshëm"
Nga realiteti, te përrallat
Realiteti i sotëm, sidomos orët e zgjatura pa drita dhe premtimet pa doganë të kryeministrit, më sollën në mendje një përrallë që e kisha dëgjuar që në fëmijëri. Dy bashkëshortë të varfër po ktheheshin të lodhur nga puna në arën e vetme që kishin, dhe rrugës gjejnë një potkua kali, të cilin e marrin gjithë qejf. Duke e përkëdhelur nëpër duar, burri i thotë gruas: "Ja, pasi të gjejmë edhe tre potkonj të tjerë, do t'i vijë radha të bëhemi edhe me kalë!" - "Oh, sa mirë! - ia ktheu gruaja. - Unë pastaj i hipi kalit dhe vete të shoh nënën, që e kam aq larg!" - "Jo, jo, - ia pret burri, - se kali është i lodhur dhe ti do ta lodhësh edhe më shumë, po të shkosh te nëna." Fjalë pas fjale, sherri u bë sherr e vazhdoi deri sa arritën në kasollen e tyre të varfër, ku ndërhynë komshinjtë për t'i ndarë e qetësuar disi, por mëria midis tyre, siç thotë përralla, vazhdoi gjatë, edhe pse nuk mundën të gjenin më as potkonj të tjerë dhe, kuptohet, as kalë.
Një histori e tillë, por kësaj here jo si në përralla, po na ndodh në mënyrë të njëmendtë me centralin bërthamor të Berishës. Një vit më parë, kur nisi kriza energjetike, ai u tha shqiptarëve që të bënin durim edhe për atë dimër, se në fund të 2007-ës jo vetëm që do të kishim energji elektrike për vete, por edhe do të eksportonim! Pa harruar ta shoqëronte këtë me sloganet: "Shqipëria pa korrupsion", "Shqipëria një euro", "Do të shkripëzojmë detin për t'u furnizuar me ujë të pijshëm 24 orë në ditë", "Shqipëria në moshën e internetit" etj. Kështu, iku dimri dhe erdhi vera dhe korrupsioni mori përmasa të reja, ndërsa puna e dritave vajti keq e më keq - disa orë ndërprerje në ditë, madje edhe në pikun e verës. Kur erdhi sërish dimri, kriza energjetike e çoi në kolaps gjithë ekonominë e vendit. Ndërkaq Berisha ka mbetur po ai: i papërgjegjshëm në talljet e tij të radhës për shqiptarët që pranojnë të manipulohen edhe më tej prej tij. Kësaj here radha i erdhi centralit bërthamor, që do t'u ndërtuaka nga firma më e njohur në botë për kësi punësh dhe që pas kësaj Shqipëria do t'u bëka superfuqi nukleare dhe energjetike në rajon dhe në botë! Prandaj, shqiptarë, përdorini orët e errësirës për t'iu gëzuar "parajsës së dritave bërthamore"! Asnjë fjalë për të shpjeguar se sa kohë kërkon dhënia e një leje për këtë lloj burimi energjie, asnjë fjalë se sa kohë duhet për ndërtimin e një centrali bërthamor; gjithçka si në përrallë, si në atë përrallën me potkuan e kalit, "për të shkuar kaluar te nëna"!
Por çuditë te ne nuk kanë të sosur. Opozita, në vend që ta denoncojë këtë blof manipulues ndaj shqiptarëve që po jetojnë në terr, e merr të mirëqenë përrallën bërthamore të Berishës, duke thënë se kjo mund të na çojë në një Çernobil të dytë me përmasa edhe më katastrofike, prej nga rrjedh një sherr tjetër. Dhe përfundimi: më mirë të kënaqemi me kaq dritë sa na jep Saliu sot, se sa të rrezikojmë nesër jetën tonë dhe të brezave që do të vijnë! Pra, mos u revoltoni, shqiptarë, mos dilni në rrugë e sheshe për të kërkuar drita, se "kali është i lodhur" dhe mund të na ndërtojë, sa hap e mbyll sytë, ndonjë central bërthamor"! Ndërkohë, Berisha, tashmë nga pozitat imagjinare të "një superfuqie energjetike", akuzon opozitën se qenka kundër globalizimit dhe kundër modernizimit të Shqipërisë. Ndërsa shqiptarët e përgjumur nga errësira, rendin të arrijnë ato pak orë me drita, për të kaluar nga realiteti te përrallat, pra për të dëgjuar, të ngazëllyer, politikanët e tyre manipulues.
Por me "potkoin" bërthamor Berisha ngatërroi edhe tërë "dynjanë", habiti mediat botërore, ndërsa ambasadori i Iranit, në emër të qeverisë së tij, shprehu xhelozi dhe protestë njëherësh, pse veprohet me dy standarde, pse Shqipërisë i lejohet ndërtimi i centralit bërthamor, ndërsa Iranit jo. Shqiptarëve, të përgjumur nga errësira, fillon t'u duket vetja tërë shpresa, si "protagonistë botërorë"!
Hapësirat e manipulimit - ana e errët e demokracisë
Demokracia ecën përpara përmes kundërshtish që janë brenda natyrës së saj. Në rastin e dhënë, me interes më duket analiza e kundërshtisë midis hapësirave të lirisë që ajo ofron dhe mundësive më të mëdha që ajo përmban për manipulimin e qytetarëve nga "liderë karizmatikë" apo nga grupe drejtuesish që synojnë vetëm votën e qytetarëve për të marrë e mbajtur pushtet. Thënë më thjesht, kjo është kundërshtia midis anës më të ndritur dhe anës më të errët të demokracisë. Veçanërisht në rastin e lirisë së fjalës. Duket sikur atë që demokracia ua jep gjithë bujari qytetarëve, rrezikon t'ua marrë përsëri, gjithsesi t'ua kufizojë, përmes mundësive që u krijon disa strukturave dhe individëve, që ata të luajnë me lirinë e qytetarëve. Më e keqja është se të fundit që e kuptojnë këtë janë qytetarët, të cilët duan një kohë relativisht të gjatë për t'u aftësuar që t'u bëjnë ballë praktikave gjithnjë e më të sofistikuara të manipulimit të tyre nga politikanë "pehlivanë" apo demagogë socialë. Nisur nga kjo mund të formulojmë ligjësinë sipas së cilës sa më efektive të jenë praktikat manipuluese, aq më e rrezikuar dhe më e cunguar ka për të qenë demokracia.
Por ç'është manipulimi, ç'mjete përdor dhe si mund t'i kundërvihemi, si mund ta bëjmë atë të padëmshëm për demokracinë?
Në politologjinë bashkëkohore ka lloj-lloj përkufizimesh të konceptit "manipulim", por gati të gjithë bashkohen në një pikë: manipulimi është "arsyeja e programuar", është shpëlarje e trurit ose, më troç, është një lloj "debilizimi" i qytetarëve. Prandaj manipulimi fillon atje ku përfundon bindja dhe mendimi i pavarur, kur qytetarët veprojnë sipas "rregullave të lojës", që nuk janë të tyret, por u duket sikur veprojnë sipas vullnetit të tyre. Pra, manipulimi fillon nga padija, nga mungesa e informacionit të saktë, nga paaftësia për të kuptuar se çfarë ndodh përreth, çka u hap rrugën informacioneve të rreme, premtimeve që nuk mbahen, spektakleve politike, muhabeteve të kafeneve, metaforave të rreme, "kokave që flasin", standardizimeve lehtësisht të drejtueshme. Të preferuar për manipulim janë ata që, sipas fjalës së urtë popullore, "e hanë sapunin për djathë", pra njerëzit që nuk e vrasin shumë mendjen dhe besojnë në çdo gjë që u thuhet nga "liderët historikë", nga politikanët apo nga "të zgjedhurit" e tyre për t'i përfaqësuar.
Për konkretizim të sjelljes politike manipuluese, po i referohem një tjetër "lideri historik", që po habit shqiptarët, sidomos ata me bindje të majta, gati në të njëjtat përmasa me "potkoin" bërthamor të Berishës. Fatos Nanoja, ish-kryetar i PS-së, ka nisur një "lëvizje" që, siç thotë ai, paska si qëllim t'i japë një fytyrë të re Partisë Socialiste, ta shpëtojë atë nga "uzurpatori Rama", të vihet përsëri në krye të saj dhe, pas kësaj, si një "gjenerator i fuqishëm" idesh, ta shpëtojë edhe Shqipërinë, t'i hapë rrugën një Shqipërie pa konflikte, një Shqipërie europiane. Pra, mblidhuni, o shqiptarë, pa dallime partiake, që të dëgjoni "shpëtimtarin", i cili kësaj here do të bëka me të vërtetë atë që nuk e bëri dot në vitet që kaluan. Ngazëllehuni e lutuni për "shpëtimtarin"!
Nuk është e para herë që Nanoja përdor praktika të tilla populiste e manipuluese duke "mbathur opingat" për të shkuar në bazë. Kështu veproi në vitin 1999, për t'u kthyer në krye të PS-së dhe për të mundur P. Majkon. Kështu veproi më 2001-shin për të mundur I. Metën nëpërmjet "lëvizjes për katarsis" dhe një vit më vonë për t'ia marrë përsëri Majkos postin e kryeministrit. Veçse "lëvizja institucionale" e 2007-ës është e paprecedent për nga shkalla e mashtrimit dhe e shërbimit ndaj Berishës dhe pushtetit të tij, me të cilin e lidhin shumë interesa e pazare të së shkuarës dhe të së sotmes. Nuk është e rastit që sallat e takimeve i mbushen nga militantë dhe nëpunës të PD-së në rrethe, që të tjera thotë në takime dhe të tjera fjalime shpërndan në media dhe në internet, që takimet në bazë i paraqit sikur të gjithë socialistët mbështetkan Nanon e vetëm Nanon, ndërsa Rama me të vetët qenkan "mish i huaj në trupin e PS-së"!
Sjellje të tilla politike e tronditin rëndë moralin e njerëzve dhe sjellin mosbesim e zhgënjime. Por, me sa duket, ky është dhe qëllimi i vetëm i "lëvizjes" së fundit të Nanos. Prandaj punën e madhe që po bëhet nga strukturat e PS-së për të hartuar - në konsultim të drejtpërdrejtë me anëtarësinë e partisë dhe elektoratin - një program sa më realist e sa më të besueshëm, Nanoja, me një cinizëm megaloman, e paraqiti në takimin e Gjirokastrës si një punë të kotë, si "narodnizëm", ngaqë socialistët e paskan të gatshëm në fjalimet e tij projektin për të ardhmen! Një rast kuptimplotë për të mos kërkuar asnjëherë modesti tek ata që i venë qëllim vetes të manipulojnë të tjerët.
Në të vërtetë, në "marshimin" e Nanos në rrethe dhe në deklarimet e tij të çoroditura dhe kontradiktore, nuk ka asgjë të re e të besueshme, për më tepër shpëtimtare. Ai vetëm shan e fyen E. Ramën dhe drejtuesit e tjerë të PS-së, që, sipas tij, qenkan bashkë dhe kundër ish-kryetarit "vetëm për tendera dhe lejet e ndërtimit". Më tej, duke përdorur "armën psikologjike", tipike kjo për demagogët socialë, Nanoja gjatë turit të vet populist e heq veten si viktimë e përvuajtur, që paska qëndruar në pushtet më pak se të tjerët, pra edhe si një "zog vetmitar", që paska mbetur më i varfri. Për të dalë i pastër "para historisë", meqë ajo i ardhka pas, u përbetohet dëgjuesve të vet, tashmë të rralluar, se ai nuk paska bërë asnjëherë pazare të fëlliqura as me Berishën dhe me askënd tjetër. Madje, në takimin e zhvilluar në Elbasan, pas një artikulli që pata botuar te Panorama, ku bëja fjalë për disa nga pazaret e tij të njohura tashmë, Nanoja iu drejtua të pranishmëve me fjalët: "Që nuk kam bërë pazare të pista, e di mirë edhe "atë"(Servet) Pëllumbi, që rren për me jetue mirë".
Nëse do të kisha qenë i pranishëm, do t'i thosha zotit Nano se do të ishte më mirë të mos e deformonte titullin e librit shumë të mirë Rrno për me tregue të atë Zef Pllumit, që u nda nga jeta kohët e fundit. Dhe pas kësaj, do të shtoja se kam treguar jo pak për disa nga pazaret e tua me Berishën, që nga Triestja dhe deri tek ai i 20 korrikut për zgjedhjen e presidentit, të cilin po përpiqesh ta përdorësh për interesat e tua të pista, fshehur keq pas "nevojës së bashkëpunimit të krahëve të politikës". Unë nuk jam dëshmitar i vetëm i pazareve të tua dhe nuk po të kërkoj t'ua përkthesh të pranishmëve domethënien e shprehjes "Cross the bridge", por gjithsesi po të këshilloj miqësisht (dhe jo "për me jetue mirë"): hiq dorë nga lëvizja manipuluese dhe përçarëse që dëmton rëndë PS-në, opozitën dhe interesat e Shqipërisë në tërësi, mos e kalo kësaj here urën e rrënuar, se do të jetë fatale për këdo që pretendon se është shpëtimtar dhe që "i vjen pas historia"!
Le të kthehemi përsëri te kuptimi politologjik i manipulimit. Edhe pse politika shpesh quhet "lojë", në kuptimin se zhvillohet sipas disa rregullave të vendosura bashkërisht, askujt prej politikanëve, historikë apo të ardhur rishtas në politikë, nuk i lejohet që në vend të fitores në betejën e hapur të konkurrencës së alternativave, të aftësive organizative dhe taktikave të zhdërvjellëta, të përdorë manipulimin e zgjedhjeve, premtimet mashtruese, pazaret e pista apo sofizmat dredharake dhe lojën me shifra dhe "argumente" të rreme për të fshehur të vërtetën dhe për të siguruar një mbështetje të pamerituar. Nga mjetet që përdoren, kuptohet pse manipulimi është edhe më i keq se falsifikimi, sepse dihet që falsifikimi nënkupton, gjithsesi, një lloj ngjashmërie me origjinalin. Kjo është një nga arsyet pse politika te ne vazhdon të ketë potencial të ulët racionaliteti dhe të karakterizohet nga mungesa e respektit për qytetarin, për njeriun e thjeshtë e "konsumues" të politikës. Në raportet e politikanëve me mbështetësit e tyre, shpesh harrohet ajo që vëren Tip O'Neill: "Njerëzit që deklarojnë se duan të ndjekin një lider të caktuar, në të vërtetë duan që ai t'i ndjekë ata" (Politika është vendore).
Ndërsa studiues të tjerë vërejnë se politika dhe demokracia nuk janë një telenovelë, por një "roman" i pandërprerë, që e shkruajnë vetë qytetarët, si ata që janë aktivë, ashtu dhe ata që janë indiferentë dhe abstenues. Eh, sa larg vazhdojmë të jemi nga të vërteta të tilla të bukura dhe të dobishme!
Nevoja e ndërrimit të paradigmës
Vetë realiteti i sotëm i demokracisë shqiptare duket sikur ka nevojë për praktika manipulimi. Ekonomia e tregut e fetishizuar, që nuk mund të realizojë çdo shpresë e dëshirë për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe të mënjanojë varfërinë, problemet e cilësisë së jetës dhe prirja për të ecur drejt kufizimit të lirive dhe të të drejtave të njeriut, retorika demokratike për të mbuluar politikat gjysmautoritariste apo autoritariste, konfliktualiteti politik dhe pazaret politike kanë si bashkudhëtare manipulimin dhe përsosjen e praktikave manipuluese. Hasen në jetën politike të përditshme deri dhe strategji të përbashkëta manipulimi nga palët kundërshtare apo dhe inskenime të grindjeve politike, siç është rasti i hapjes ose jo të dosjeve të ish-Sigurimit të periudhës totalitare, që përsëritet nga njëri vit në tjetrin, kur dihet se nuk ka mbetur më gjë për të hapur.
Berisha, duke pretenduar se, si president në vitet 1992-1997, ka pasur mundësi t'i ketë akaparuar "kartelat e bashkëpunëtorëve" të Sigurimit, bën shantazhe për të nënshtruar të vetët dhe për të "urtësuar" opozitën. Të njëjtën taktikë "mbrojtëse" ka përdorur dhe vazhdon të përdorë F. Nanoja, që "habiti dynjanë" në mbledhjen e "famshme" të KPD-së në dhjetor të vitit 2001. Po këtë taktikë ("nuk fluturon dot në poste drejtuese, po nuk mësove të zvarritesh") është duke përdorur edhe tani në turin e vet populist për të marrë përsëri kreun e PS-së, që e quan si pronën e vet. Në thelb, praktikat manipuluese i çojnë drejt zeros shanset e njeriut të thjeshtë, edhe pse ato paraqiten si të barabarta për të gjithë. Kuptohet, "të mëdhenjtë" nuk mund të tolerojnë që "pushtetin" ta kontrollojnë njerëzit e thjeshtë apo "të papërshtatshmit". Pushteti i të pasurve nuk mund të jetë në nivelin e "shërbesave" apo në dorën e popullit të thjeshtë. Prej këtej buron nevoja e përhershme për praktikat e manipulimit të njerëzve, e përdorimit të tyre për interesat e "protagonistëve" që duan të sundojnë dhe të spekulojnë me demokracinë dhe me pluralizmin politik.
Vetë pluralizmi politik duket sikur e stimulon një prirje të tillë, përderisa e ndan elektoratin në grupe të shumta konkurruese, sipas përkatësive partiake. Kjo u mundëson elitave politike që të ruajnë statuset e tyre të privilegjuara dhe të deklarojnë para zgjedhjeve se populli ka shansin të votojë për më të mirët, ndërsa pas zgjedhjeve, se me votën e popullit fituan më të mirët. Rrjedhimisht, ju o njerëz, binduni, bëni siç ju thonë, se ja, po drejtojnë "më të mirët". Ja edhe fillimi i çdo manipulimi! Shpesh njerëzve u duket se janë të rëndësishëm e pjesëmarrës në politikë, se i dinë mirë të drejtat e hapësirat e tyre të lirisë, por nëse i pyet rreth tyre, në të vërtetë nuk i dinë. Nga disa sociologë kjo quhet "epidemi demokratike", pra një gjendje kur njerëzit duket sikur nuk shohin, nuk dëgjojnë, nuk arsyetojnë, nuk kuptojnë se çfarë ndodh rreth tyre. Në një rast të tillë zgjedhjet dhe gjithçka tjetër i drejtojnë manipuluesit, njëlloj si në një supermarket, ku blerësi është nën ndikimin e dritave vezulluese të reklamës.
Këtë e favorizojnë edhe prirjet postmoderniste, që depërtojnë në gazeta, radio, në kanalet televizive e në internet, prirje që leximin e librave e shpallin të vjetruar, që fragmentarizojnë dhe shkatërrojnë kulturën klasike, që njeriut të sotëm i kërkojnë të mos e vrasë mendjen dhe që në vend të arsyetimit të vërë mbresat e ditës, të shohë televizionin, nëpërmjet të cilit, si nga një dritare, fikson çaste situatash të veçanta, pa kuptuar mirëfilli se çfarë ndodh në të vërtetë. Një presion i tillë ka ardhur duke u rritur mbi mediat edhe te ne. Po ndodh largimi i mendimit dhe i kontributeve të intelektualëve të njohur, "u hiqet zëri" analistëve dhe opinionbërësve më të thellë në argumente dhe më kritikë në raport me qeverisjen e sotme të vendit. Deri dhe duke u hequr nga puna njerëz të afërt të tyre! Pa folur për terrorizimin qeveritar të mediave "të padëgjueshme", nëpërmjet gjobave shumëmilionëshe.
"Berisha ka mbetur po ai: i papërgjegjshëm në talljet e tij të radhës për shqiptarët që pranojnë të manipulohen edhe më tej prej tij. Kësaj here radha i erdhi centralit bërthamor, që do t'u ndërtuaka nga firma më e njohur në botë për kësi punësh dhe që pas kësaj Shqipëria do t'u bëka superfuqi nukleare dhe energjetike në rajon dhe në botë! Prandaj, shqiptarë, përdorini orët e errësirës për t'iu gëzuar "parajsës së dritave bërthamore"
"Nanoja përdor praktika të tilla populiste e manipuluese duke "mbathur opingat" për të shkuar në bazë. Kështu veproi në vitin 1999, për t'u kthyer në krye të PS-së dhe për të mundur P. Majkon. Kështu veproi më 2001-shin për të mundur I. Metën nëpërmjet "lëvizjes për katarsis" dhe një vit më vonë për t'ia marrë përsëri Majkos postin e kryeministrit. Veçse "lëvizja institucionale" e 2007-ës është e paprecedent për nga shkalla e mashtrimit dhe e shërbimit ndaj Berishës dhe pushtetit të tij, me të cilin e lidhin shumë interesa e pazare të së shkuarës dhe të së sotmes"
"Edhe pse politika shpesh quhet "lojë", në kuptimin se zhvillohet sipas disa rregullave të vendosura bashkërisht, askujt prej politikanëve, historikë apo të ardhur rishtas në politikë, nuk i lejohet që në vend të fitores në betejën e hapur të konkurrencës së alternativave, të aftësive organizative dhe taktikave të zhdërvjellëta, të përdorë manipulimin e zgjedhjeve, premtimet mashtruese, pazaret e pista apo sofizmat dredharake dhe lojën me shifra dhe "argumente" të rreme për të fshehur të vërtetën dhe për të siguruar një mbështetje të pamerituar".