Sot ditëlindja e artistes Vaçe Zela.
Sot këngëtarja e mirënjohur e skenës shqiptare Vaçe Zela mbush plot 69 vjeç.
Zela është artiste e popullit dhe këngëtare me famë të madhe gjatë periudhës së diktaturës komuniste. Ka lindur në Lushnje më 7 prill të vitit 1939 . U zbulua rastësisht në moshë të re në këtë qytet të Shqipërisë së mesme. Vaçe Zela ka një zë të jashtëzakonshëm. Këngët e saj në vite mbeten popullore dhe të preferuara nga publiku. Prej kohësh Vaçe Zela e ka reduktuar në menyrë dramatike aktivitetin muzikor. Sidoqoftë ajo mbetet "Zëri" i jashtëzakonshëm që mbushte me energji skenat shqiptare.
Vaçe Zela është një këngëtare e cila ka marë pjesë në të gjitha festivalet e muzikës në radio dhe më vonë në radio televizion që prej organizimit të parë të tyre në vitin 1962 dhe deri në vitin 1981 kur u largua nga skena si fituese e çmimit të parë me këngën "Komunistët" (dubluar nga Marina Grabovari).
Vaçe Zela ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit në të cilin ka interpretuar shumë këngë pjesë e muzikës së filmave.
Prej disa vitesh e sidomos këto të fundit gjendet në shërim në Zvicër. Ajo është nderuar me Urdhrin "Nderi i Kombit" nga ish- presidenti Alfred Moisiu.