E Diel, 1 Nëntor 2026

Kabinat telefonike të shkatërruara në kryeqytet tregojnë investimet e Albtelekom pas privatizimit

Gjysma e kabinave telefonike publike të vendosura nga Kompania Albtelekom në rrugët dhe kryqëzimet kryesore të Tiranës, pothuajse nuk funksionojnë për tu shërbyer qytetarëve, pasi në këto kabina mungon sinjali telefonik. Ndërkaq, në vend të kabinave telefonike publike, janë vendosur matrapazët me telefona fiks familjarë, në mënyrë që të kryejnë funksionin e kabinave dhe të rrjepin qytetarët duke u shitur këtyre të fundit impulset që blejnë në Kompaninë Albtelekom, me 10 fish të vlerës reale. Shumë kabina telefonike, aktualisht nuk u shërbejnë për qytetarët, ngaqë ato janë shkatërruar nga njerëz të papërgjegjshëm, ndërkohë nuk është marrë asnjë lloj mase nga organet përgjegjëse për rregullimin e tyre. Në disa të tjera, dhe pse teknikisht janë në gjendje normale në shërbim të qytetarëve, çuditërisht mungon sinjali telefonik. Ky fenomen negativ vëzhgohet lehtësisht nga çdo qytetarë, teksa shikon se si janë masakruar kabinat telefonike nëpër rrugë, kryqëzime të rëndësishme, pranë qendrave shëndetësore, pranë shkollave, institucioneve publike dhe stacioneve të autobusëve. Cilësia e shërbimit telefonik nëpërmjet kabinave publike, është në gjendje të mjerueshme, pasi numëratorët e kabinave janë thyer, receptorët janë hequr fare, gjithashtu edhe të dy pjesët prej gjami, të cilat mbrojnë aparatin nga shiu, janë thyer. Edhe ato kabinat që funksionojnë aktualisht, janë ruajtur në sajë të interesimit të matrapazëve të paligjshëm, të cilët bëjnë tregti me qytetarët, duke u shitur impulset e kartave të shërbimit telefonik me çmime katërfish më të larta sesa vlera reale që ka vendosur Kompania Albtelekom. Në këso rastesh, tregtarët i ruajnë kabinat publike, me qëllim që të shesin kartat që i kanë blerë me shumicë pranë zyrave postare. Megjithatë, më shqetësues mbetet fakti mungesa e kartave telefonike në treg dhe ekzistenca e tyre në duart e matrapazëve. Më konkretisht, në zyrat postare në kryeqytet, një impuls kushton vetëm 6 lekë, dirsa pranë kabinave telefonike nëpërmjet të cilave mund të kryhen të gjitha llojet e thirrjeve, kushton 25-30 lekë. Ndërkaq, për shkak të mungesës së këtyre kartave në zyrat postare, qytetarët detyrohen që ti blejnë këto tek tregtarët e paligjshëm, duke pësuar kështu një kosto financiare prej 24 lekë për impuls. Meqenëse, një përqindje e madhe nga qytetarët, për arsye ekonomike apo rrethana të tjera, për të kryer punët e ndryshme nëpërmjet thirrjeve telefoni, preferojnë që telefonatat me personat e interesuar ti kryejnë nëpërmjet kabina telefonike, ato po përballen çdo ditë me dy fenomene tepër shqetësuese dhe korruptive. Pra me mungesën e sinjalit në kabinat telefonike dhe shitjen e kartave telefonike me çmime të papërballueshme. Kështu, nganjëherë, ata përballen me mungesën e kartave telefonike nëpër qendrat e zyrave postare, dhe gjithmonë përballen me çmimet 4- fish të kartave pranë kabinave telefonike. Qytetarët ankohen se për shkak të mosfunksionimit në disa raste të kabinave telefonike, janë të detyruar të ecin disa minuta, deri kur të gjejnë një kabinë publike që funksionon për të kryer telefonatat e planifikuara. Sidomos nëpër qendrat shëndetësore, kabinat telefonike duhet të funksionojnë 24 orë. Nëse ndodhesh ne QSUT, për të krye një thirrje telefonike duhet të zbresësh në Unazë dhe ta blesh një impuls me 30 lekë, pasi kabinet që ndodhen rrotull spitalin nuk funksionojnë, E njëjta situatë është edhe në të anët e Lanës, ku pjesa më e madhe e kabinave telefonike janë jashtë funksionit, u shprehën për gazetën SOT, disa qytetarë të kryeqytetit. Përveç mungesës së kartave telefonike dhe shitjes së tyre me impulse në rrugë me çmim disa fish më të lartë sesa vlera reale e tyre, qytetarët përballen edhe me mungesën e sinjalit telefonik në kabinat e vendosura në vende publike. Abuzimet me impulset e kartave telefonike dhe me mungesën e kabinave publike, kanë qenë evidente prej kohesh në kryeqytet duke u shkaktuar dëme financiare, si gjithmonë në kurriz të qytetarëve.
Mungesa e kabinave telefonike publike
Përveç mungesës së sinjalit telefonik në disa kabina publike, qytetarët e Tiranës përballen edhe me mungesën e këtyre kabinave në disa vende publike që kanë nevojë të domosdoshme për tu pajisur me këtë shërbim. Mungesë të shërbimit telefonik nëpërmjet kabinave, konstatohet pranë konvikteve të Qytetit Studenti, në të dy krahët e Lanës, në Kinostudio etj. Ndërsa numri i kufizuar i kabinave telefonike vihet re pranë QSUT, në Kodër Kamëz, pranë Stacionit të Trenit, pranë Filologjikut, ku ekziston vetëm nga një e tillë dhe ajo e zaptuar nga matrapazët e paligjshëm të kartave telefonike.

Last Updated on Saturday, 11 April 2009 22:55

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›