E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjirokastër, 15 vjet nga terrorizmi grek në kufi, ja rrjedha e ngjarjeve pas vrasjes së 2 efektivëve

Terroristët e MAVI nuk u dënuan nga gjykata. Populli grek i cilësoi heronj  
Mbushen 15 vjet nga ngjarja e rëndë e Pekshkëpisë në rrethin e Gjirokastrës, ku u ekzekutuan nga ekstremistët grekë, dy efektiva të kufirit. Për këtë ngjarje të rëndë është zhvilluar një ceremoni e thjeshtë përkujtimore mbasditen e të premtes. Përfaqësues të Drejtorisë Rajonale të Kufirit, organizatës së dëshmorëve, familjarë etj, kanë përkujtuar rënien në krye të detyrës të oficerit të Postës Kufitare të Peshkëpisë Fatmir Shehu dhe ushtarit Arsen Gjini. Posta kufitare e Peshkëpisë mban sot emrin e oficerit Fatmir Shehu. Sipas notës së protestës të Qeverisë Shqiptare, atë natë në mbrëmje thuhej se ''Sot, më 10 prill 1994, në orën 02:40 të pas mesit të natës, një komando terroriste greke, e përberë nga rreth 8 veta midis të cilëve njeri fliste shqip me theks grek, të armatosur me armë zjarri, me uniformë ushtarake të ushtrisë greke, hynë në territorin shqiptar në afërsi të fshatit Peshkëpi të rrethit të Gjirokastrës. Duke u futur në thellësi të territorit shqiptar, rreth 4 km në një qendër stërvitore ushtarake të trupave shqiptare, vrasin në befasi me armë zjarri ushtarin Arsen Llazar Gjini, 20 vjeç nga fshati Seman i rrethit të Fierit. Pasi vranë ushtarin, hynë në fjetore në momentin kur ushtarët po flinin dhe hapën zjarr kundër tyre. Nga këto veprime kriminale mbeti i vrarë komandanti i stërvitjes, kapiteni i parë Fatmir Sali Shehu nga Tepelena banues në Gjirokastër si dhe u plagosën tre ushtarë. Mbasi kryen këto akte kriminale kundër terësisë territoriale dhe ushtarakëve tanë, ata thërrisnin ''Këto i kini për Vorio Epirin'' si dhe ''Mos kujtoni se ne kemi harruar''... Në deklaratën e qeverisë greke të një dite më pas thuhej: ''Qeveria greke u informua e befasuar për ngjarjen e përshkruar në notën shqiptare, si dhe gjithë akuzat që përfshihen dhe drejtohen kundër qeverisë greke. Kjo qeveri nuk ka asnjë informatë dhe se është njohur vetëm me akuzat e qeverisë shqiptare të cilat janë jo të sakta me tendencë që tja përcjellin fajin palës greke... ''. Ditën tjetër, herët në mëngjes në 11 prill 1994, gazetës ''Elefterotipia'' i kishte ardhur një faks, ku merrej përsipër autorësia e këtij krimi monstruoz nga një organizatë kriminale dhe terroriste siç ishte ''MAVI'' që do të thotë ''Fronti për Çlirimin e Epirit të Veriut''. Ky emër kujton të njëjtën organizatë që ishte krijuar në 1942 dhe kishte synime të qarta për shkëputjen e terësisë territoriale të Shqipërisë së jugut dhe bashkëngjitjen me Greqinë. Shtatë autorët e kësaj ngjarje, u kapën në orët e para të 18 marsit 1995, në rrethinat e fshatit grek Kastani, teksa kishin dështuar në një sulm tjetër ndaj Shqipërisë. Pas kontrollit në oborrin e mjekut shqiptar në Athinë Andrea Kokaveshi, u gjetën armët e grabitura në Peshkëpi, si dhe shumë prova të tjera. Por megjithëkëtë Gjykata e Diktimit të Athinës, i liroi këta të gjithë në 21 mars 1996, për mungesë provash, ndërsa populli grek i duartrokiste si heronj në rrugët e kryeqytetit, duke bërtitur në kor: ''Një dy tre, tanket në Shqipëri'', si dhe ''Sëpata dhe zjarr qenve shqiptarë''.
 
**************************************
Te akuzuarit si autore të masakrës
 1- Jorgo Anastasulis, 34 vjeç, oficer i ushtrisë greke
2-Apostolos Karvelas, 26 vjeç, punonjës i policisë greke
3-Mario Kutullas, 25 vjeç, qytetar shqiptar banues në Athinë, punëtor
4-Fredi Beleri, 23 vjeç, qytetar shqiptar në Athinë, hidraulik
5-Jorgo Kristo, 26 vjeç, qytetar shqiptar banues në Athinë
6-Harallamb Papa, 21vjeç, qytetar shqiptar banues në Athine, punëtor
7-Jorgo Papa, 30 vjeç, qytetar shqiptar, teknik frigoriferësh.

Last Updated on Saturday, 11 April 2009 21:41

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›