E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kabllogrami i Withers: Shefi i Shtabit, i korruptuar

TIRANE-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare është një njeri i korruptuar që merrte deri në 7 mijë dollarë për të dërguar një ushtarak shqiptar në Irak. Kjo bëhet e ditur në një kabllogram shokues që ish ambasadori amerikan Xhon Withers i ka dërguar Departamentit të Shtetit në nëntor të vitit 2008, lidhur shefin aktual të shtabit, kolonel Xhemal Gjunkshi. Kabllogrami zbulon një skemë të mirëfilltë korruptive në ushtrinë shqiptare. Sipas tij, kolonel Gjunkshi, në atë kohë komandat i regjimentit të komandove është akuzuar nga një grup oficerësh të ushtrisë shqiptare se merrte ryshfet për të emëruar ushtarakët në misionet paqeruajtëse jashtë shtetit, kryesisht Irak. Ambasadori amerikan thekson në kabllogram se pagesa e ryshfetit që një ushtarak duhet të paguajë për të shkuar në Irak është 7 mijë dollarë, gati gjysma e shpërblimit që ata do të merrnin për një periudhë 6 mujore qëndrimi atje.
Ankesa e oficerëve
Grupi i oficerëve, që ka akuzuar kolonel Gjunkshin, përmes një letre konfidenciale kanë vënë në dijeni për këtë aferë drejtuesit më të lartë të qeverisë. Shefi aktual i shtabit akuzohej jo vetëm për ryshfete në përcaktimin e komandove që shkonin me misione jashtë shtetit, por edhe si i përfshirë në skema të tjera korruptive. Siç zbulon dhe kabllogrami oficerët madje kanë kërcënuar se do ia dërgojnë letrën edhe gazetës prestigjioze “New York Times”, e cila në atë kohë ishte bërë shumë e njohur në Shqipëri për shkak të investigimeve mbi korrupsionin në ngjarjen e Gërdecit.
Praktika e ryshfeteve
Ambasada shkruan se praktikë e ryshfeteve në misionet paqeruajtëse nuk është e re për ushtrinë shqiptare dhe pasojat e saj janë se në misionet komando jashtë po dërgohen edhe njerëz të patrajnuar. Shtetet e Bashkuara kanë qenë mjaft të shqetësuara nga kjo skemë e gjerë ryshfetesh në ushtri dhe vetë ambasadori Withers shkruan në dokumentet nisur Uashingtonit se do e ngrinte këtë shqetësim tek drejtuesit më të lartë të qeverisë. Nuk dihet nëse ambasadori amerikan e ka bërë këtë, por vetëm pak javë më parë njeriu që përshkruhej prej tij si një element i korruptuar i ushtrisë shqiptare është ngritur në detyrë, duke u bërë nga komandanti i regjimentit të komandove shef i shtabit të ushtrisë shqiptare.
(s.g/GSH/BalkanWeb) Lidhje te tjera Wikileaks, Rama editorial: Gërdeci, Shqipëria, Amerika Wikileaks, Withers për Berishën, Topin e Ramën Olldashi: Akuzat tek Wikileaks, qesharake Mediat ndërkombëtare dënojnë WikiLeaks-in KLIKONI KETU PER TE LEXUAR TE GJITHA SHKRIMET E WIKILEAKS

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›