E Diel, 1 Nëntor 2026

Kabllogrami tronditës i SHBA-së:Deputetët shqiptarë, të lidhur me krimin

Tom Doshi, Lefter Koka, Sokol Olldashi, Lulzim Basha, Paulin Sterkaj e Gramoz Ruçi i përkasin partive të ndryshme, por për Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë kanë një element të përbashkët. Janë të gjithë deputetë që kanë lidhje me krimin e organizuar.

Një kabllogram i koduar 09TIRANA552 me titull: Kriminelët bëjnë ligjin në Parlamentin e Shqipërisë, liston deputetët e të majtës dhe të djathtës me lidhje me krimin e organizuar. Kabllogramin po e publikojmë të plotë

Titulli: Kriminelët bëjnë ligjin në Parlamentin shqiptar

Pavarësisht qetësisë relative në ditën e zgjedhjeve, në vëmendjen tonë ka ardhur fakti se ka një numër të madh njerëzish të lidhur me krimin e organizuar, të cilët kanë marrë pjesë ose janë përfshirë në manipulime të mundshme në zgjedhjet e 28 qershorit [2009]. Të tria partitë kryesore: Partia Demokratike, Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, të gjitha kanë deputetë me lidhje me krimin e organizuar. Ndonëse ambasada nuk mund të provojë ligjërisht këto lidhje, dituria konvencionale, e mbështetur nga raporte të tjera, tregon se Parlamenti i ri ka disa trafikantë droge dhe pastrues parash. Gjatë fushatës elektorale, një politikan, Aleks Keka, kreu vendor i Partisë Kristian-Demokrate në Shqipërinë e Veriut u vra me një bombë në makinë. Keka dyshohej se qe përfshirë në trafikimin e armëve dhe drogës. (Shënim: Keka nuk kandidoi për në Parlament, megjithëse shumë anëtarë të tjerë të partisë së tij kandiduan. Fundi i shënimit).

Ligjthyes të kthyer në ligjvënës

Disa nga deputetët më të njohur për lidhje me krimin e organizuar janë:

Tom Doshi: Një deputet socialist nga Shkodra, Doshi është i raportuar në Raportin për të Drejtat e Njeriut, sepse sulmoi një gazetar në hotelin Sheraton dhe qe një figurë kyçe në financimin e fushatës elektorale të Partisë Socialiste. Ai është i njohur si deputeti më i pasur, me një pasuri prej më shumë se 15 milionë dollarë dhe është gjithashtu i dyshuar për trafik droge. Doshi ka shërbyer në Parlamentin e mëparshëm si deputet i PD-së dhe ndryshoi krah pak kohë para zgjedhjeve.

Lefter Koka: Përfaqëson LSI-në, nga Durrësi. Koka është një anëtar, i ndoshta familjes së krimit të organizuar më të njohur në Shqipëri, me lidhje në narkotikë, trafikimin njerëzor e aktivitete të tjera ilegale.

Sokol Olldashi: Olldashi është ministri aktual i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit si dhe deputet i PD-së nga Fieri, është i dyshuar për kontrabandë mallrash dhe droge. Prova rrethanore e lidhin Olldashin dhe Fatmir Kajollin në Fier me ministrin e Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, në një skemë për lirimin e të burgosurve nga burgu për të shërbyer si gangsterë zgjedhorë.

Lulzim Basha: Sipas një burimi nga Partia Socialiste, ministri i Jashtëm, Basha, i cili përfaqëson PD-në në Elbasan, është përfshirë në lehtësimin e lirimit nga burgu të kriminelëve të njohur në Elbasan në këmbim të mbështetjes nga familjet kriminale. Të afërm të kriminelit premtuan të organizojnë njerëzit e tyre në Elbasan në mbështetje të Bashës. Krimineli u lirua më 29 qershor, ditën pas zgjedhjeve.

Paulin Sterkaj: Deputeti 48-vjeçar i Partisë Demokratike, nga Shkodra është një ish-mundës profesional me pak ose aspak arsimim formal. Sterkaj ka qenë më herët deputet i PS-së dhe është akuzuar nga një ish-mik për vrasjen e një politikani në Shkodër disa vite më parë. Sterkaj pretendon se ka interesa biznesi në naftë, restorante dhe ndërtim, por shumë pak gjëra dihen mbi aktivitetet e tij.

Gramoz Ruçi: Deputet i PS-së dhe sekretar i përgjithshëm i kësaj partie, Ruçi ka lidhje afatgjata me trafikantët e drogës dhe krimin e organizuar. Ruçi është ndaluar të hyjë në SHBA që nga viti 2005, për shkak se ka marrë refuzim permanent vize.

Koment: Ambasada nuk është e sigurt se çfarë qëndrimi do të mbajë raporti i ODIHR-it mbi zgjedhjet kur të publikohet, por është gjerësisht e pranuar në vend se shumë deputetë që pozojnë si biznesmenë, në fakt janë të dyshuar të fortë për lidhje me krimin e organizuar. Këta individë janë tashmë deputetë, kanë imunitet me ligj dhe janë përgjegjës për të bërë ligje që duhet ti dërgojnë shqiptarët drejt Bashkimit Europian. Sjellja e sëmurë dhe ndoshta kriminale e shumë deputetëve shqiptarë është shqetësuese dhe nuk është e përshtatshme për zhvillimet demokratike. Është gjerësisht i pranuar në Shqipëri se, të gjitha partitë kanë deputetë me lidhje me krimin e organizuar dhe pranojnë para nga krimi i organizuar. Ky është një fenomen shumë shqetësues, që ne dhe bashkësia ndërkombëtare do të duhet të përballemi në një pikë në të ardhmen. Një fakt pozitiv, gjithsesi, është se ka disa deputetë që kanë filluar të kuptojnë se Shqipëria nuk duhet të ketë personazhe të tilla në Parlament. Se sa kohë do të duhet për të hequr këta rufjanë nga pushteti, kjo është një pyetje tjetër. Në fund të fundit, paraja është gjaku i politikës dhe në një vend të varfër dhe me fushatë pa transparencë financiare apo traditë të donacioneve të vogla në mbështetje të kandidatëve, kriminelët janë një burim i lehtë për fonde fushate.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›