E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kabul, është vrarë negociatori për paqen

Arsala Rahmani

Një person i armatosur e ka vrarë sot pjesëtarin kryesor të Këshillit Paqësor të Afganistanit, që ishte një ish-udhëheqës taliban, i cili më vonë u bë negociator.

Vrasja është parë si goditje ndaj përpjekjeve të qeverisë afgane për të zhvilluar negociata për zgjidhje politike të luftës kundër militantëve talebanë.

Policia tha se negociatori, Arsala Rahmani, ishte në veturën e tij kur u vra nga personi i panjohur i armatosur në një udhëkryq, në pjesën perëndimore të Kabulit.

Talebanët i kanë hedhur poshtë pohimet për përgjegjësi, megjithëse më herët ata kishin indikuar se do ti marrin në shënjestër negociatorët për paqe.

I ndjeri Rahmani ishte njëri nga 70 afganët dhe ish talebanët me ndikim, që ishte nominuar nga presidenti afgan, Hamid Karzai, për të bërë përpjekje për pajtim me militantët talebanë.

Arsala Rahmani kishte shërbyer si ministër i arsimit të lartë në regjimin taliban.

Pas rënies së regjimit taleban, ai kishte bashkëpunuar me qeverinë e Karzait dhe kishte shërbyer edhe në Parlament./rel/

Përgatiti: E.L

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›