E Diel, 1 Nëntor 2026

Kabul, shtatë vite më vonë

Edhe pse kanë kaluar plot shtatë vjet nga ikja e talebanëve, Kabuli ka mbetur po i njëjti, madje është më i pasigurt se gjatë atyre ditëve të nëntorit 2001. Por nëse në atë kohë frika ishte e të gjithëve, sot siguria është dhe mbetet statusi i vetëm simbol. "Katër vite më parë njerëzit ishin të mbushur plot shpresë. Tani iluzioni është zhdukur. Nuk ka punë. Për ne terrorizmi i vërtetë janë i ftohti, uria dhe dëshpërimi, që na shtyjnë të bëjmë zgjidhje të tmerrshme", tregon një operues humanitar afgan. Sipas parashikimeve të ndërkombëtarëve, dimri do të jetë dramatik. Për shkak të rritjes së çmimit të grurit dhe klimës së ftohtë, vullnetarët kanë kërkuar shumë ndihma humanitare. Për shkak të kushteve të këqija ekonomike, shumë njerëz provojnë të bëhen pjesë e rrjeteve kriminale. Numri i bandave sa vjen e rritet; rrëmbimet janë gjithnjë e më të shpeshta; perëndimorët dhe afganët që gëzojnë shëndet të mirë janë mbyllur në shtëpi. Tashmë sekuestrimet janë bërë një lloj industrie. Sipas Dhomës së Tregtisë, tri vitet e fundit numri i rrëmbimeve ka arritur në 173. Kryesisht janë biznesmenë, drejtorë bankash dhe gazetarë të huaj. Qeveria thotë se është e pamundur të bësh marrëveshje me këta persona. Besimi te policia është zero: edhe diplomatët perëndimorë sugjerojnë se ata që i drejtojnë vjedhjet dhe rrëmbimet ndonjëherë mund të jenë vetëm agjentët, të cilët kundrejt një page të caktuar zhveshin uniformat dhe lirojnë banditët.

Talebanët që dinë të përdorin armët e kanë më të lehtë ta kapërcejnë situatën. Falë "taksave" të paguara nga zotërinjtë e drogës, studentët e Kuranit janë bërë punëdhënës konkurrentë. Kush përqafon çështjen integraliste, i bindur ose jo, merr 400 dollarë në muaj. Kështu, kufiri mes militantëve islamikë, trafikantëve të drogës dhe banditëve të thjeshtë është i pandashëm. "Me mafien mund të ngrihet një lidhje paralele. Disa talebanë janë shumë të egër dhe mund të krahasohen lehtësisht me kafshët. Përdorin dhunën e paskrupullt, madje nuk respektojnë as gratë e as fëmijët", thotë përfaqësuesi i BE-së në Kabul.

Për të mos u lënë hapësirë politike integralistëve, Parlamenti po merr në shqyrtim idenë për "të ringjallur" departamentin e zakoneve dhe vlerave, që në të shkuarën ishte i famshëm për "mullah"-ët, të cilët dilnin në rrugë dhe rrihnin me kamxhik gratë e veshura në mënyrë të pahijshme dhe burrat pa mjekër. Natyrisht që viktimat e para do të ishin studentet që vërdalloseshin në Kabul me fytyra të zbuluara. Por fatkeqësisht rruga e fanatizmit nuk praktikohet më. Madje edhe dyqanet e rrugës ekspozojnë fotografi me femrat perëndimore të veshura me veshje intime. Kompjuterë, DVD dhe televizorë me ngjyra kanë filluar të shiten ngado. "Nuk do të pranojmë kurrë rikthimin e së shkuarës. Nëse do të bëjmë paqe me talebanët, kjo nuk do të thotë se do të rikthejnë rregullat e tyre", thotë sekretari i partisë kombëtare aktiviste për paqen.

Tashmë shpresa e vetme e afganëve mbeten të huajt. Në vend, kontingjentet kanë regjistruar shumë vështirësi. Presidenti i zgjedhur ka thënë se dëshiron të çojë në Afganistan ushtarët e tërhequr nga Iraku. Përmes telefonit, Marvin Weinbaum, këshilltari i Barack Obama-s për Afganistanin dhe Pakistanin, qartëson se, ndryshe nga koha e ish-presidentit Bush, gjërat po ndryshojnë vërtet. "Ka shumë të ngjarë që ushtarët të fokusohen në misionin e NATO-s, jo në atë të ‘Enduring Freedom‘", thotë studiuesi. Presidenti ka premtuar se impenjimi i tij do të jetë maksimal për kapjen e Osama Bin Laden-it, por doktrina e tij fokusohet më tepër te ndërtimi sesa kapja e radikalëve islamikë. Qëndrimi politik ndaj qeverisë vendase do të jetë i prerë: "E dimë se me talebanët marrëveshjet janë të vështira, prandaj do t‘i ndihmojmë aleatët tanë, afganët. Gjithsesi, Shtetet e Bashkuara nuk kanë ndërmend të vënë në rrezik negociatorët e parë". Pra, ashtu si shumica e vende të tjera, edhe Kabuli ëndërron Obama-n.

Etapat

Nëntor 2001

Më 12 nëntor të 2001-shit, talebanët braktisin qytetin për shkak të bombardimeve amerikane dhe Kabuli përfundon nën kontrollin e aleancës së veriut

Dhjetor 2004

Zgjidhet si President Hamid Karzai. Që prej dhjetorit të vitit 2001, ai kishte kryer rolin e shefit të përkohshëm të administratës afgane dhe të Presidentit në internim

Qershor 2008

Më 13 qershor u krye një sulm në burgun e Kandaharit. Nga një shteg i hapur u arratisën 350 talebanë. Kjo është arratisja më e madhe dhe dështimi i më i rëndë i sigurisë në Afganistan

Nëntor 2008

Sot Kabuli është më pak i sigurt, krahasuar me 7 vjet më parë. Rrëmbimi i njerëzve është shndërruar në një makth. Tre vitet e fundit, numri i të rrëmbyerve ka arritur në 173

"Katër vite më parë njerëzit ishin të mbushur plot shpresë. Tani iluzioni është zhdukur. Nuk ka punë. Për ne, terrorizmi i vërtetë janë i ftohti, uria dhe dëshpërimi, që na shtyjnë të bëjmë zgjidhje të tmerrshme"


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›