E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendet e eurozonës bien në recesion

Ekonomia e vendeve të
eurozonës ka rënë në recesion,
sipas të dhënave
të një dite më parë, duke
lënë të shtohen spekulimet se
Banka Qendrore Evropiane do të
ulë përqindjet e interesave sërish
në muajin dhjetor. Ndërkohë,
inflacioni vazhdon të bjerë me
shpejtësi. Ekonomia e 12 vendeve,
që përdorin monedhën e përbashkët,
ka rënë në masën 0.2%
në muajt korrik-shtator. Kjo është
hera e parë për bllokun e vendeve
që përdorin euron, që nga krijimi
i tij në vitin 1999, që përgjatë dy
tremujorëve rresht japin shenja
të një ekonomie të tkurrur, që janë
edhe simptomat e fenomenit të
recesionit. Për shumë analistë, për
fat të keq, bëhet fjalë vetëm për një
fillim të një procesi dhe jo për një
fenomen kalimtar. Tremujorët e
ardhshëm do të vazhdojnë të shënojnë
përqindje negative për sa i
përket Prodhimit Kombëtar Bruto
dhe kjo mund të vazhdojë deri në
tremujorin e katërt të vitit të ardhshëm.
Liderët e 20 vendeve më
të industrializuara të botës dhe të
ekonomive në zhvillim e sipër,
që janë mbledhur në Uashington
pritet të diskutojnë sot në
lidhje me mënyrat alternative të
shpëtimit të botës nga zhytja më
thellë në krizën ekonomike dhe
financiare. Sipas disa analistëve,
tani që recesioni është konfirmuar,
thelbi i çështjes është se sa
do të zgjasë një situatë e tillë. Kjo
situatë po shoqërohet edhe me
shkurtime të njëpasnjëshme të
vendeve të punës nëpër Evropë.
Prodhuesi i makinave "Renault",
bëri të ditur në shtator se do të
shkurtonte 6000 vende pune. Po
kështu edhe shumë ndërmarrje
të tjera pritet që të kryejnë të
njëjtin proces. Për sa i përket uljes
së mundshme të interesit nga ana
e Bankës Qendrore Evropiane ajo
e ka marrë një masë të tillë që në
fillim të muajit tetor, me 3.25%.
Qëllimi i kësaj uljeje ishte dhënia
e një shtyse për tregun financiar.
Pas lajmit të fundit për recesion,
kjo bankë ka shumë mundësi që
ta ulë përqindjen edhe me 1.75
pranverën e ardhshme. Të paktën
deri më tani drejtuesit e saj kryesorë
nuk kanë përjashtuar asnjë
lloj mase të tillë. Banka synon që
ta mbajë inflacionin në nivele
të ulëta. Recesioni në eurozonë
është shkaktuar nga recesione e
vogla në vendet e tij përbërëse,
duke filluar nga Gjermania, e
cila prej një kohe të gjatë ishte
luhatur në ujëra të turbullta për të
shpallur dy ditë më parë situatën
e recesionit, më pas edhe Italia.
Ndërsa Gjermania është ekonomia
më e madhe në Evropë,
Franca që renditet e dyta, duke
dalë jashtë parashikimeve të tregut
i shpëtoi recesionit, të paktën
për momentin, duke shënuar një
rritje prej 0.1% në tremujorin e
tretë. Ekonomia e katërt më e
madhe, Spanja, pësoi tkurrjen e
saj të parë në 15 vitet e fundit,
duke pësuar një humbje prej
0.2%. Por kjo lloj tendencë nuk
është e kufizuar vetëm brenda
vendeve të mëdha e të fuqishme
të eurozonës. Edhe ekonomia holandeze
nuk ka arritur të shënojë
rritje në tremujorët e dytë dhe të
tretë. Ndërsa ekonomia austriake
shënoi një humbje prej 0.1%.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›