E Shtunë, 31 Tetor 2026

Karli: "Nuk më pëlqen të jem princ"

Princi i Anglisë, Karli, trashëgimtar i fronit që kur ishte tre vjeç, mbushi dje plot 60 vjeç. Është princi i parë i Uellsit që, edhe pse ka hyrë tashmë në moshën e tretë, nuk është kurorëzuar ende si mbret. Karli është njohur më tepër për martesën e mundimshme me Dianën, për lidhjen e tij të hershme me dashurinë e përjetshme Kamilën dhe për angazhimin në favor të problemeve ambientaliste. Karli i Anglisë nuk e ka pritur kurrë me padurim ngjitjen në fron.

Gjatë festimeve të Jubileut të Diamantë, për 60-vjetorin e Mbretëreshës Viktoria, në Abacinë e Westminster-it në 1897, princi i atëhershëm i Uellsit, që duhej të priste moshën 60-vjeçare për të pasuar të ëmën, i pëshpëriti në vesh arqipeshkvit: "Jam i lumtur që kam një baba dhe nënë të përjetshme".

Princi aktual i Uellsit, që mbushi 60 vjeç, duhet ta festojë Jubileun e Diamantë në vitin 2012. Dhe nëse ka trashëguar edhe genin e jetëgjatësisë së të ëmës, ka gjasa që të festojë edhe përvjetorin e 100-të. Gjithsesi, kur Karli është pyetur nëse i pëlqente "puna e trashëgimtarit të fronit", u përgjigj me ngërdheshje: "Si t‘ju them... Po, pak, por është një detyrë". Kreu i shtetit britanik ka të drejtë t‘i japë këshilla qeverisë, por duhet t‘i përmbahet me rigorozitet kërkesës që të mos i bëjë në publik. Dhe Princi Karl, duke pasur një punë për të cilën nuk ka rregulla përdorimi, pjesën më të madhe të tyre i ka sajuar dhe dëshiron t‘i vazhdojë derisa, siç thotë, të ngjitet në njërin prej dy vendeve që prej kohësh i sheh me stoicizëm dhe sens humori: fronin ose jetën e përtejshme. "Është në duart e Zotit deri në ç‘moshë do jetoj. Jetëgjatësia jonë është e shkurtër dhe e parëndësishme në skemën e madhe të gjërave".

Shumë prej gjërave që ka realizuar i detyrohen faktit se që prej viteve ‘60, kur ishte një student i pasionuar pas antropologjisë në Kembrixh, i njihte mirë planet e "Establishment" (Istabilishmentit) për të. Kur Karli ishte 18 vjeç, "Establishment" krijoi një komitet, me të atin president, për të organizuar jetën e tij. Studime në Australi, Kembrixh, "Royal Navy" dhe natyrisht një martesë të nderuar dhe një trashëgimtar. Kamila, në këtë rast vlen të thuhet, do të konsiderohej si "një dashnore materiale", sepse edhe stërgjyshja e saj kishte qenë dashnorja e hershme e Eduartit VII. "Duhej të notoje ose të mbyteshe. Ishin të paktë ata që dukeshin sikur kuptonin. Duhej të bëja të ashtuquajturat "gjëra normale", që askush nuk e priste, dhe pasi i kisha bërë, lidhesha gjithnjë e më shumë pas tyre e i doja shumë", kujton Karli.

Windsor-ët mbijetuan duke ripërkufizuar traditën. Karli e zgjodhi vetë rrugën e tij. Gjyshi Xhorxhi VI, djali i dytë, u martua me një vajzë vendase dhe jo me një princeshë gjermane, ashtu siç ishte rregulli. Ai e braktisi marinën dhe u bë inspektor i përgjithshëm i industrive. Edhe familjen e quante "kompani".

Kohë më vonë, pasi Elisabeta hipi në fron, Princi Filip krijoi një organizatë ku punësoi miliona të rinj të familjeve të varfra nga e gjithë bota dhe themeloi "Wwf"-në. Karli e la marinën në 1976-ën, i përdori 4000 sterlinat e likuidimit për të krijuar "The Prince Trust", që sot faturon 119 milionë sterlina dhe ka mijëra vullnetarë. Iniciativa e tij për të punësuar të rinjtë e lagjeve të degraduara, për të luftuar krimin, në rikualifikimin urbanistik dhe bujqësinë biologjike, ka nxitur programet e laburistëve dhe konservatorëve.

Programet e rikualifikimit të të papunëve kanë pasur një përqindje të lartë suksesi, nga 7 deri në 10%, dhe 60 mijë të rinj kanë arritur të paraqesin një aktivitet të tyrin. Por dy pasionet më të mëdha të Karlit janë bujqësia organike dhe urbanistika, pjesë të një vizioni holistik të njeriut dhe tokës. Kur praktikoi kultivimet biologjike në 165 mijë hektarë në vitet ‘70, të gjithë e cilësuan si një njeri të çmendur. Në fakt, Karli e hodhi poshtë me vepra opinionin e njerëzve dhe tregoi se bujqësia organike mund të jetë shumë përfituese. Madje ajo i ka dyfishuar të ardhurat. Linja e produkteve të tij ushqimore, "Duchy Originals", është sot një nga markat më të përhapura të ushqimeve biologjike të Mbretërisë. Por pasioni i tij më intim është kopshti që ka krijuar në Highgrove (Hajgruv). Ai është vendi ku mund ta gjesh të ulur në gjunjë, qoftë në diell apo në shi, sepse motoja e tij është: "Nëse kultivon ëndrrat e tua, efekti që kanë te të tjerët është i jashtëzakonshëm".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›