Kabuni, sulmuesi që nxori Vllazninë U-17 në vend të parë
Shtatlartësia e tij të krijon përshtypjen se më në fund pas dy apo tre vjetësh tek Vllaznia do kemi lojtarin e gjatë në majë të sulmit
I gjatë 1.90 m dhe të krijohet përshtypja se pika më e fortë e këtij sulmuesi është shtatlartësia dhe goditjet me kokë. Por nuk është kështu. Kabuni më shumë gola ka shënuar me këmbë sesa me kokë dhe kjo falë teknikës, vendosjes së mirë brenda zonës së kundërshtarit, për tu gjendur në kohën e duhur, në vendin e duhur, por edhe falë potencës në gjuajtje.
Në kampionatin aktual ka qenë shumë përcaktues me golat që ka shënuar. I ardhur nga ekipi i 15-vjeçarëve me trajner Alban Volumin pas shpalljes kampion, u mendua që ndoshta Kabuni nuk do të kishte shumë hapësira në formacion edhe për shkak të moshës së tij. Njëkohësisht edhe për shkak të konkurrencës në sulm, pasi pjesë e kësaj skuadre ishin edhe sulmues të tjerë, si Kalaja, Kozmaj etj.
Megjithatë, ai ka fituar besimin e trajnerit dhe është shndërruar në protagonistin kryesor të kësaj skuadre me golat e tij. Gjatë këtij kampionati ka arritur të shënojë 9 gola në 13 ndeshje, duke qenë shënuesi më i mirë i skuadrës dhe, për më tepër, ka arritur të shënojë gola të rëndësishëm ndaj skuadrave me emër.
I ka shënuar Dinamos, Besës, i ka shënuar edhe Tiranës në ndeshjen e fundit në kryeqytet, duke i dhënë fitoren Vllaznisë në këtë përballje shumë të rëndësishme. Me këtë fitore Vllaznia tashmë është në vendin e parë në renditje. Falë Kabunit, por edhe lojtarëve të tjerë.
Drejt Vllaznisë së madhe
Ëndrra e madhe e Elisit është që të afirmohet sa më shumë dhe të vazhdojë rrugën që ka nisur, në mënyrë që shpejt të jetë pjesë e ekipit të parë të Vllaznisë. Jam i kënaqur me mënyrën si më kanë shkuar gjërat deri tani. Kam qenë i suksesshëm me ekipin e 15-vjeçarëve, po luaj dhe po shënoj me 17-vjeçarët dhe për momentin nuk kam se çfarë pretendoj më tepër, por të vazhdoj në këtë rrugë, në mënyrë që një ditë të vesh fanellën e ekipit të parë të Vllaznisë.
Jam shumë i lumtur që jam pjesë e këtij klubi, i cili u jep prioritet lojtarëve të rinj. Besoj se shpejt do të gjej edhe unë mundësinë për të kontribuar për këtë skuadër, ashtu siç ka bërë edhe idhulli im, Xhevahir Sukaj,- thotë Kabuni në prononcimin e tij për Sportin shqiptar.
Vlerësimet e specialistëve
I datëlindjes 12.1.1993, ai premton shumë për të ardhmen. E thonë këtë jo vetëm trajnerët që e kanë stërvitur, por edhe gjithë specialistët, që e shohin në fushën e lojës. I kënaqur që e ka në skuadër në këto momente është edhe trajneri i ekipit të 17-vjeçarëve të Vllaznisë, Entri Çaku, që flet shumë mirë për këtë lojtar, për mënyrën e tij të përkushtimit në stërvitje dhe prandaj beson shumë tek e ardhmja e tij.
Të gjithë këto gjëra, e kanë motivuar edhe më tepër Kabunin që dëshiron tia shpërblejë me suksesin e tij edhe mundin dhe sakrificën që familja e tij po bën për ti krijuar të gjitha kushtet për tu bërë futbollist. Shtatlartësia e tij të krijon përshtypjen se më në fund pas dy apo tre vjetësh tek Vllaznia do kemi lojtarin e gjatë në majë të sulmit, lojtar që i mungon prej vitesh kësaj skuadre. Premisat janë të mira, megjithatë duhet pritur edhe pak kohë.
