E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luzha nuk e di nëse ka konflikt interesi

Komuna e Kaçanikut i ka dhënë tender zyrtarit të vet në Kuvendin Komunal duke mos marr parasysh faktin se ka konflikt interesi.

Kompania e Shyqeri Luzhës, këshilltar komunal nga AAK-ja, ka lidhë kontratë me Komunën e Kaçanikut për furnizimin dhe montimin e kaldajave për nxehje në shkollat fillore, Emin Duraku dhe Kadri Zeka.

Vlera e këtij tenderi është 11 mijë e 570 euro.

Kontrata, mes Luzhës dhe prokurimit komunal është lidh me 17 dhjetor të këtij viti.
Hasan Preteni, drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit tha për Indeksonline se zyrtari i lartë komunal nuk mund të marrë tender aty ku punon vet.

“Kompania më të cilën zyrtari i lartë ka pronësi, apo pjesë të pronësisë, nuk ka të drejtë të lidhë kontratë, ose të përfitoi tender nga institucionet qendrore, apo lokale, aty ku zyrtari është në pozitë. Ngase në këtë rast do të kishte konflikt të interesit”, tha Preteni.

Këshilltari komunal, Shyqeri Luzha, ka pranuar që kompania “Termoluzha” është pronë e tij dhe para një jave ka marrë tender në komunë.

“Unë kam parë shpalljen për tender, dhe kam konkurruar. Nuk kam haber a ka konflikt a s’ka. Nuk i kam përpiluar kërkesat e tenderit. Fati ma ka lidh që më fitu unë. Është hera e parë që fitoj tender publik”, tha Luzha. Mentor Buzhala./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›