E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kadaj: Thaçi është kreu i korrupsionit

Krimi i organizuar ka zënë vend në të gjitha institucionet pa përjashtim, duke përfshirë edhe ato që janë përgjegjëse për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, ka thënë deputetja e AAK-së në Kuvendin e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi.

Ajo këto komente i bëri sot në një konferencë për gazetarë, në të cilën ka shprehur shqetësimet e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) rreth nivelit të korrupsionit në vend.

Deputetja Kadaj-Bujupi ka thënë se niveli i korrupsionit në vend është alarmante, gjë e cila konstatohet edhe nga raportet ndërkombëtare dhe vendore dhe kjo dukuri si e tillë është duke i shkaktuar dëme të mëdha Kosovës, zhvillimit ekonomik dhe investime të huaja.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kërkon nga institucionet e Kosovës, nga Qeveria që të ndërpresë linjat politike, siç është ri-konfigurimi, i cili nuk është asgjë tjetër përveç një tendencë e qeverisë për të fituar kohë deri në privatizimin dhe shitjen e aseteve të fundit, të cilat janë të përcjella me afera shumë të mëdha korruptove, jo transparencë, të ndërmarrjeve publike, të pasurisë së qytetarëve të Kosovës, prandaj kërkojmë që rikonfigurimi do të merrte formën dhe substancën e vet, vetëm atëherë kur i pari i qeverisë do të largohej nga aty ku është, sepse ai është kreu i korrupsionit dhe të këqijave në vend”, tha Kadaj-Bujupi.

AAK-ja kërkon që sa më parë të themelohen prokurori speciale, të cilat do të merren me luftimin e korrupsionit, të avancohen ligjet në Kuvendin e Kosovës dhe të zbatohen ligjet në fuqi. (KosovaPress)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›