E Shtunë, 31 Tetor 2026

Withers: Shërbimi Informativ, jo në shërbim të pushtetit

18/03/2010 Ambasadorët e OSBE, Britanisë dhe SHBA në tryezë për SHISH

Takimi u organizua nga ish-presidentët Meidani dhe Moisiu

Debati në lidhje me miratimin e ligjit të SHISH-it ka mbledhur dje, në një tryezë të thirrur nga dy ish-president Rexhep Mejdani dhe Alfred Moisiu, ambasadorët e SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe OSBE-së. Gjatë fjalës së tyre në këtë tryezë, folësit vunë dhe një herë në dukje rëndësinë që merr reformimi i këtij institucioni sipas parametrave të NATO-s dhe vendeve të zhvilluara të Perëndimit. Përgjatë fjalës së tij, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Xhon Withers, u shpreh se në demokracitë e zhvilluara roli i shërbimeve është delikat, dhe ai në përgjithësi shërben për mbrojtjen dhe sigurinë kombëtare. Por në rast se nuk veprohet me kujdes, atëherë roli i tij mund të shtrembërohet, dhe në vend që tu shërbejë njerëzve, vihet në shërbim të pushtetit. “Roli i shërbimeve informative është të mbrojnë sigurinë e vendit. Por të gjithë ne kemi parë shumë shpesh në ato vende që nuk janë demokratike, që ai rol shtrembërohet dhe, në fakt, shndërrohet në rol për të mbrojtur ata që janë në pushtet pikërisht nga ata njerëz që ata qeverisin. Prandaj përvoja historike e të gjitha vendeve të përfaqësuara në këtë tryezë tregon që duhet siguruar roli i pavarur i një shërbimi informativ dhe që duhet vendosur me kujdes drejtpeshimi dhe duhen përcaktuar me kujdes përgjegjësitë e një shërbimi të tillë, sidomos kur këto përgjegjësi mund të marrin një natyrë të brendshme. Për rrjedhojë, është e nevojshme të sigurohet që aty ku kërkohen veprimtari të caktuara të brendshme, ato të kryhen të lira nga ndikimi politik dhe kjo çon drejtpërdrejt te nevoja që ata që punojnë në shërbimet informative të jenë jopartiakë dhe absolutisht profesionistë”, tha Withersi. Ambasadori amerikan në Tiranë, ishte i pari nga ndërkombëtarët që doli hapur për të kundërshtuar ligjin për Shërbimin Informativ të Shtetit, duke e cilësuar atë si të papranueshëm. Në një linjë me ambasadorin amerikan është vënë dhe opozita, e cila është shprehur se me anë të këtij ligji mazhoranca kërkon të vërë nën kontroll shërbimet informative. Ka qenë kjo arsyeja që dy presidentët, Moisiu dhe Mejdani, kanë organizuar dje një tryezë për të diskutuar në lidhje me këtë çështje, megjithëse një ditë më parë, komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi një variant të përpunuar të ligjit të mëparshëm, ku saktësohet se kreu i SHISH-it merr miratimin vetëm në parim të Kryeministrit, në lidhje me bashkëpunimin me shërbimet e tjera.

Mejdani - Moisiu

Ish-drejtuesit e shtetit, Rexhep Meidani dhe Alfred Moisiu, i kanë bërë thirrje dje mazhorancës që të reflektojë në lidhje me ligjin e ri për Shërbimin Informativ Kombëtar (SHISH). Në një takim të organizuar me diplomatët e BE-së dhe SHBA-së, ish-presidentët kanë theksuar se ligji në fjalë duhet të trajtohet me kujdes, për vetë ndjeshmërinë që ka institucioni i Shërbimit Informativ. “Shqipëria ndodhet në një status tjetër dhe ndodhet në NATO, dhe na vjen keq që klasa politike sillet në mënyrë jotransparente dhe na vë në pozita dhe në dyshime me partnerët tanë ndërkombëtarë”, ka thënë ish-presidenti Moisu.

Në të njëjtin qëndrim ka qenë dhe ish-kreu i shtetit, Rexhep Meidani, i cili u shpreh se ky institucion është mjaft delikat dhe duhet më shumë vëmendje në reformat që bëhen në strukturën e tij. Përgjatë kohës që në krye të shtetit ka qenë ish-presidenti Meidani, SHIK-u i asaj kohe është kritikuar së tepërmi nga opozita e asaj kohe, ndërkohë që vetë Meidani akuzohej për ndikimin e tij të drejtpërdrejtë në këtë institucion.

Ambasadorja britanike

Ambasadorja britanike në Tiranë Fiona McIlwham, tha dje se Shqipëria nuk duhet të nxitojë me miratimin e projektligjit të Shërbimit Informativ. Ndërsa po fliste në një tryezë debati të organizuar nga dy ish-presidentët, Alfred Moisiu dhe Rexhep Meidani, ambasadorja britanike Fiona McIlwam bëri thirrje për kujdes në disa reforma delikate.

“Vendi nuk duhet të nxitohet me reformat, që progresi i arritur deri më tani nga Shqipëria të mos dëmtohet”, tha ambasadorja britanike. Ajo shtoi më tej se “vendi duhet të jetë krenar për progresin e arritur dhe duhet ta mbrojë atë progres që është arritur deri tani. Duhet tu jepet më shumë rëndësi institucioneve. Ndarja e pushteteve ka rëndësi kritike në një vend demokratik”, theksoi ajo në një tryezë të mbajtur dje në Tiranë. McIlwham shtoi se Shërbimi Sekret është një partner i denjë ndërkombëtar. Ambasadorja britanike i bashkohet kështu homologut të saj amerikan, në lidhje me një çështje që kohët e fundit është vënë në qendër të debateve politike në Shqipëri.

Ambasadori i OSBE-së

Ambasadori i OSBE-së, Robert Bosch, është shprehur se shqetësimet që kanë në lidhje me ligjin e SHISH-it ia kanë shprehur Qeverisë. Sipas tij, ata nuk kanë shumë të qartë se çfarë ndryshimesh janë bërë në të. “Nuk dimë ndryshimet e miratuara, nuk kemi parë versionin e rifreskuar të pr./ligjit, që ka rëndësi shumë të madhe. Shqetësimet tona ia kemi paraqitur Qeverisë, pasi në të mungon edhe dallimi polici-SHISH”, shprehet Bosch. Vetëm dy ditë më parë, edhe organizata ushtarake NATO i ka dërguar një letër Qeverisë shqiptare nga zyra përgjegjëse për koordinimin global të sigurisë, e ashtuquajtur NOS. Kjo zyrë i kërkon Qeverisë shqiptare që projektligji i ri për SHISH-in (para së të miratohet në Kuvend) të kalojë më parë nga kjo zyrë, që përbëhet nga 3 degë: Orientimet e përgjithshme, Inteligjenca për sigurinë dhe Siguria e mbrojtjes. Pikërisht ditën kur komisioni i Sigurisë do të diskutonte në parim draftin në fjalë, Qeveria shqiptare mori në dorë letrën që i kërkonte shpjegime në lidhje me ligjin.

Deklarata e Nishanit

Ministri i Drejtësisë Bujar Nishani është shprehur një ditë më parë, gjatë një interviste televizive, se shumica mund të tërhiqet nga ligji për shërbimin sekret dhe tia nënshtrojë atë një konsultimi me ekspertë të misionit të Bashkimit Evropian, duke paralajmëruar mospërfshirjen e ligjit për votim në seancën e sotme. Por deri dje, zyrtarisht projektligji për shërbimet sekrete ishte ende i përfshirë në rendin e ditës së Parlamentit. Nishani u shpreh se ka marrë porosi nga Kryeministri se ligji, përpara se ti nënshtrohet votimit, të konsultohet dhe me organizmat ndërkombëtarë që veprojnë në Shqipëri në fushën e drejtësisë. Gjithsesi, në lidhje me këtë ligj të propozuar nga Qeveria, pritet të ketë zhvillime të mëtejshme, sidomos dhe pas deklaratave të ambasadorëve të akredituar në vendin tonë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›