E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi shqyrton strategjinë e energjisë

Kuvendi i Kosovës po shqyrton propozim-strategjinë për energjinë për periudhën 2009-2018, të cilën para ligjvënësve e prezantoi ministrja e Energjisë dhe e Minierave, Justina Shiroka-Pula.

Futja e Termocentralit “Kosova B” në kuadër të pakos tenderuese dhe lokacioni për ndërtimin e kapaciteteve të reja të “Kosovës së Re”, që janë propozime të këshilltarëve të transakcionit, janë kundërshtuar nga ligjvënësit. Ndërsa më të zëshmit ishin deputetët opozitarë.

Ministrja Pula tha se strategjia synon stimulimin dhe përdorimin racional të energjisë dhe rritjen e efikasitetit të shfrytëzimit të saj, shfrytëzimin e energjisë së ripërtëritshme dhe futjen e teknologjisë së re në prodhimin energjisë, transmeton KosovaPress.

Kapacitetet e “Kosovës së Re”, sipas ministres Pula parashihet që deri në vitin 2025 të jenë rreth 2 mijë megavatë. “Këshilltarët e transaksionit vlerësojnë se investitorët janë të interesuar që të ndërtojmë 500 megavatë e më vonë edhe 500 megavatë të tjerë, deri në vitin 2018. Sepse investitorët e kanë vështirë të sigurojnë mjete”.

Komisioni parlamentar për energjetikë ka propozuar që “Kosova e Re” të ndërtohet në lokacionin e “Kosova A”. “Ne mendojmë se kjo është një çështje më shumë teknike, ekonomike, që duhet të zgjidhet me negociata me investitorët. Preferohet të ndërtohet te ‘Kosova B’, sepse sipas analizave, ky lokacion ofron zgjidhje më të mira dhe më të lira”, ka thënë Pula.

Kryetarja e komisionit për energjetikë , Myzejene Selmani, në emër edhe të Grupit Parlamentar të AKR-së, kundërshtoi edhe futjen e TC “Kosova B” në pakon tenderuese. “Kjo bien ndesh me Kushtetutën, e cila garanton ekonominë e lirë dhe konkurrencën”.

Fatmir Rexhepi në emër të LDK-së bëri vërejtje për vonesën e strategjisë, e cila është dashur të bëhet në vitin 2009. LDK-ja përkrah politikat që termocentrali të ndërtohet me 1000 megavatë kapacitet prodhues, plus 1000 të tjerë më vonë.

“LDK kërkon që qeveria të zbatojë ligjet dhe strategjinë për energjinë, e mos të veprojë jashtë tyre... Strategjia të jetë në funksion të tregut të konkurrencës e jo të monopolit”, tha Rexhepi, duke paralajmëruar votimin kundër nëse nuk përfillen rekomandimet.

Ethem Çeku i AAK-së konsideron se vendosja e “Kosovës B” në një pako tenderuese e mbyt konkurrencës në sektorin e energjisë, duke e vënë nën monopol privat.

Kurse Lulzim Zeneli i LDD-së theksoi se “ky dokument është në shërbim ekskluziv të grupeve të caktuara të interesit, vendore dhe ndërkombëtare”. Sipas tij, në këtë formë, shteti i Kosovës bëhet qiraxhi dhe krijohen obligime të mëdha për gjeneratat e ardhshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›