E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liberalizimi i vizave, PE në Tiranë për përmbushjen e kushteve

18/03/2010 Përfaqësia do të kryesohet nga shefi i delegacionit për Ballkanin, Kuka

Fajon-Bostinaru: Mazhoranca të plotësojë kushtet e opozitës për transparencë të zgjedhjeve

Se cila ka qenë ecuria e plotësimit të kushteve për liberalizimin e vizave nga ana e Shqipërisë, kjo do të jetë një çështje e vëzhgimit dhe e gjykimit të një delegacioni të Parlamentit Evropian, i cili do të vizitojë vendin tonë pas dy ditëve. Përfaqësia do të kryesohet nga shefi i delegacionit për Ballkanin, Eduard Kukan, dhe në përbërje të tij do të jenë deputetët Jelko Kacin, Simon Busuttil nga Malta, holandezja Marije Cornalissen, si dhe raportuesja e Parlamentit për liberalizimin e vizave Tanja Fajon.

“Koha është shumë e rëndësishme, ndaj po shkojmë dhe kaq shpejt pa lajmëruar në Shqipëri, sepse liberalizimi i vizave do të kishte kuptim, nëse do realizohej përpara pushimeve të verës, në mënyrë që njerëzit të mund të udhëtonin lirshëm. Po aq i rëndësishëm është fakti që janë dërguar 3 grupe ekspertësh në Tiranë për të verifikuar përmbushjen e kritereve dhe raportet e dy grupeve të para ishin pozitive, ndaj presim që dhe grupi i fundit të ketë po ashtu qëndrim pozitiv. Pra, kemi të bëjmë me një situatë ku Shqipëria po përmbush kriteret dhe logjikisht Komisioni përcaktoi kushtet, ju po i plotësoni ato dhe ne duam të rekomandojmë gjithandej se nuk duhet pritur më”, u shpreh Kukan gjatë një prononcimi për mediat. Nuk dihet nëse vlerësimet edhe këtë herë do të jenë pozitive, duke ditur që ndërkombëtarët kanë theksuar se kriza politike rrezikon proceset integruese në vend, përfshirë edhe procesin e liberalizimit të vizave. “Shqipëria ka nevojë të tregojë pjekurinë e saj politike më shumë se kurrë në këtë moment vendimtar për liberalizimin e vizave, dhe duke pasur parasysh fuqizimin e procesit të integrimit evropian të vendit”, deklaroi përmes një njoftimi për mediat Tanja Fajon. Por, edhe nëse vlerësimet e ekspertëve për Shqipërinë do të jenë pozitive, atëherë vlerësimi përfundimtar pritet të jepet nga Bashkimi Evropian. “Përpara se të shkojmë te Komisioni, ne duam të shohim vetë situatën në vend, të flasim me personat përgjegjës, do vizitojmë gjithashtu gjatë qëndrimit tonë atje disa qendra kontrolli për çështjet teknike, në mënyrë që të kemi kështu më shumë peshë para Komisionit”, vijoi ai. Në procesin e liberalizimit të vizave me Shqipërinë, sipas kryesuesit të delegacionit, Kukan, ka ndikuar edhe fluksi i azilkërkuesve maqedonas e serb në Evropë. “Fakti që mediat raportuan çështjen e azilkërkuesve nuk po e ndihmon situatën, përkundrazi, po u jep argumente atyre që nuk kanë qëndrim të qartë pro heqjes së regjimit të vizave”, tha ai. Vizita e përfaqësisë së Parlamentit Evropian konsiderohet private për Parlamentin Evropian, edhe pse ajo zhvillohet me ftesë zyrtare nga autoritetet shqiptare. Gjatë qëndrimit të tyre në vendin tonë, delegacioni në fjalë ka planifikuar të zhvillojnë takime me drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptar, si: kreun e shtetit, Bamir Topi; Kryeministrin Sali Berisha, ministrin e Jashtëm Ilir Meta dhe ministrin e Brendshëm Lulzim Basha. Po ashtu, ata do të vizitojnë zyrat kryesore përgjegjëse për përmbushjen e kritereve të kërkuara nga BE-ja.

Viktor Bostinaru

Mesazhi im si zv/kryetar i delegacionit për Evropën Juglindore në PE është i qartë si kristali: Qeveria duhet të gjejë zgjidhje. Qeveria dhe Kryeministri duhet të jenë në Kuvend, për të realizuar më në fund, për të negociuar për zgjidhje politike, për të zgjidhur krizën ekzistuese politike. Unë besoj se zoti Berisha dhe partia e tij do të ndërmarrin vendime të zgjuara për mirëfunksionimin e Parlamentit, nëse jo, duhet të jetë përgatitur për kostot.

Tanja Fajon

“Shpresoj që mazhoranca, pas kthimit të opozitës në Parlament, do të japë një përgjigje pozitive ndaj kërkesave të saj për të ngritur një komision hetimor. Hetimi dhe masat e propozuara nga opozita duhet të arrijnë transparencën e plotë, si themeli i përmirësimeve në mënyrën se si do të zhvillohen zgjedhjet në të ardhmen për të përmbushur standardet. Vetëm në këtë mënyrë do të mund të vendoset themeli i një dialogu konstruktiv mes Qeverisë dhe opozitës.

Grupet e ekspertëve

Që nga nisja e procesit për liberalizimin e vizave mes Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë, vendin tonë e kanë vizituar dy grupe ekspertësh, raportet e të cilëve ishin pozitive. Nuk dihet ende se cili do të jetë qëndrimi i grupit të tretë, duke iu referuar zhvillimeve politike në vendin tonë, kur sa vjen e thellohet kriza politike mes mazhorancës dhe opozitës. Kjo krizë, sipas autoriteteve ndërkombëtare dhe shqiptare ndikon jo vetëm në liberalizimin e vizave, por edhe për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›