Kadare: Lexuesi shqiptar, rikthim te letërsia e mirë
"Falënderoj lexuesit shqiptarë, të cilët kam përshtypjen se po i rikthehen shijes së mirë për letërsinë që kanë pasur prej vitesh". Kështu u shpreh dje shkrimtari i madh, Ismail Kadare, ndërsa është vlerësuar me çmimin e madh të letërsisë për botimin e romanit të tij "Darka e gabuar", në ndarjen e Çmimeve Kombëtare të Letërsisë 2008, shpallur nga Ministria e Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve. Kjo është hera e parë gjatë këtij aktiviteti të rëndësishëm të letrave shqipe që akordohet një çmim i tillë për letërsinë. Përveç shkrimtarit Ismail Kadare, dje juria e përbërë nga shkrimtarë e kritikë si Zija Çela, Mark Marku, Mirela Kumbaro, Parid Teferici dhe Agron Gjekmarkaj, bëri të ditur edhe emrat e fituesve të tjerë të këtij aktiviteti kushtuar letërsisë, i cili tashmë po kthehet në një traditë të përvitshme. U vlerësua me çmimin "Gjergj Fishta" Artan Fuga për veprën "Brirët e dhisë". Ky çmim i jepet atij autori që me esenë e tij ka ndikuar në mënyrë të veçantë në mendimin kombëtar shqiptar. Jorgo Bulo, me "Veprën e plotë të Çajupit", meritoi çmimin "Faik Konica", pasi me këtë vepër ka ofruar zbulime dhe interpretime bashkëkohore në fushën e kritikës letrare. Çmimi "Fan Noli" i ka shkuar përkthyesve Pashk Gjeçi e Shpëtim Çuçka, për përkthimin e veprës "Fausti" i Gëtes. Ky çmim i jepet atij përkthyesi shqiptar dhe të huaj, i cili përgjatë një viti ka sjellë në nivele të larta në gjuhën shqipe, vepra të rëndësishme nga letërsia botërore. Me veprën "Selvitë e Tivarit", shkrimtari dhe gazetari nga Kosova, Mehmet Kraja, u vlerësua me çmimin "Petro Marko", pasi me romanin e tij, ka pasuruar letërsinë shqipe dhe njëkohësisht ka dëshmuar se kjo letërsi është pjesë integrale e letërsisë evropiane. Poetja e re, Albana Shala, u vlerësua me çmimin "Migjeni" me vëllimin "Papa Dixhital". E ka merituar çmimin "Lasgush Poradeci" poeti Preç Zogaj, me vëllimin poetik "Gjallë unë pashë". I është dhënë ky çmim, pasi me veprën e tij poetike ka përcjellë te lexuesi risi dhe vlera të reja në poezinë shqipe. Çmimi "Jusuf Vrioni" i ka shkuar përkthyesit John Hodgson, pasi ka dhënë një ndihmesë të ndjeshme në njohjen dhe promovimin e letërsisë shqipe në gjuhë dhe kultura të huaja. Çmimi "Mitrush Kuteli", kushtuar letërsisë për fëmijë, nuk i ka shkuar asnjë autori apo vepre. Mark Marku, kryetar i jurisë për çmimet e letërsisë për vitin 2008, tha se veprat e prezantuara për këtë gjini të letërsisë nuk përmbanin standardet optimale. "Në këtë konkurs, ne nuk stimulojmë letërsinë mesatare, por atë më të mirë", u shpreh ai.
Shkrimtari dhe gazetari nga Kosova u vlerësua dje në Konkursin Kombëtar të Letërsisë 2008 me çmimin "Petro Marko" me romanin "Selvitë e Tivarit". Me motivacionin: Vepra që ka pasuruar letërsinë shqipe dhe njëkohësisht ka dëshmuar se kjo letërsi është pjesë integrale e letërsisë evropiane, ky roman është pjesë e një trilogjie. "Im atë donte Adolfin" dhe "Edhe të çmendurit fluturojnë", së bashku me "Selvitë e Tivarit", janë pjesë e së tërës. Këto romane sjellin në vëmendje tri ngjarje të mëdha të kohës së kaluar...
Shkrimtari dhe gazetari nga Kosova u vlerësua dje në Konkursin Kombëtar të Letërsisë 2008 me çmimin "Petro Marko" me romanin "Selvitë e Tivarit". Me motivacionin: Vepra që ka pasuruar letërsinë shqipe dhe njëkohësisht ka dëshmuar se kjo letërsi është pjesë integrale e letërsisë evropiane, ky roman është pjesë e një trilogjie. "Im atë donte Adolfin" dhe "Edhe të çmendurit fluturojnë", së bashku me "Selvitë e Tivarit", janë pjesë e së tërës. Këto romane sjellin në vëmendje tri ngjarje të mëdha të kohës së kaluar...