E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Petro Marko" i shkon Kosovës

Qenka punë e "ngatërrume" të jesh shkrimtar, herë-herë edhe e bezdisshme, e mundimshme natyrisht, por edhe e lehtë është, patjetër. Por kur vlerësohesh e kur arrin më të mirën, kur dikush të lexon e të vlerëson, është një kënaqësi e madhe të jesh shkrimtar. Mehmet Kraja është burrë shtatlartë, me flokë e mjekër të thinjur. I flasin, e urojnë dhe e përshëndesin. Shkrimtari, i cili ka ardhur nga Kosova në Tiranë, nderon me një të lëvizur të kokës, e me një të shtrënguar të duarve. "Faleminderit!". Dhe ulet në vend mes kolegëve shkrimtarë e përkthyes, mes dashamirësve të letërsisë e personaliteteve në sallë. Mehmet Kraja, sapo ka fituar çmimin "Petro Marko" në Konkursin Kombëtar të Letërsisë për vitin 2008. Shkrimtari nga Kosova ndihet i vlerësuar. Romani i tij, "Selvitë e Tivarit", ka fituar ndër të tjerët. Ai ka fituar çmimin që mban emrin e shkrimtarit të madh shqiptar me motivacionin si vepra që ka pasuruar letërsinë shqipe dhe njëkohësisht ka dëshmuar se kjo letërsi është pjesë integrale e letërsisë evropiane. Kaq i mjafton shkrimtarit Mehmet Kraja për t‘u ndier i emocionuar, por edhe për t‘i thënë lexuesit të Shqipërisë se ndoshta të tilla vlerësime do të ndikojnë e ndihmojnë për ta parë me një sy tjetër letërsinë e Kosovës. "Unë vlerësohem me një çmim në konkursin kombëtar të letërsisë për herë të dytë. Në konkursin paraardhës, më vlerësuan me çmimin ‘Mitrush Kuteli‘ për tregimin më të mirë. Kësaj here u vlerësova me çmimin ‘Petro Marko‘ për roman. Unë besoj se të tilla vlerësime janë të bukura, jo vetëm se vijnë si mirënjohje nga vetë shkrimtarët, por edhe sepse besoj se çmime të tilla ndihmojnë dhe ndikojnë në njohjen e letërsisë së Kosovës në Shqipëri. Letërsia e Kosovës, për fat të keq nuk qarkullon, ose qarkullon fare pak në Shqipëri. Madje ndodh që edhe atëherë kur autorët e Kosovës botohen nga botuesit e Tiranës, ata nuk janë shumë të preferuar nga lexuesit", deklaron menjëherë pas marrjes së çmimit shkrimtari Kraja. Duket se i pëlqen të flasë pak, ndoshta i vjen më mbarë të shkruajë, të derdhë në letër mendimin, por edhe komunikimin me botën e lexuesin. Mendimi i parë që i vjen është pikërisht ky, si të zgjidhen hendeqet e formuara prej një paragjykimi të kotë ndaj letërsisë së Kosovës. Lexuesi shqiptar duhet të vështrojë përtej një mendimi të keqformuar. "Letërsia e Kosovës, vërtet që ka mungesat e veta, në punë gjuhe apo komunikimi dhe unë nuk i justifikoj, nuk jam këtu për të bërë këtë. Megjithatë nuk e quaj të pamundshëm shmangien e keqkuptimeve. Unë them se një pjesë e mirë e letërsisë së Kosovës mund të komunikojë mjaft mirë me lexuesin e shqiptar", vazhdon më tej ai. Vepra e Mehmet Krajës është nga më cilësoret e prozës sonë dhe e përbërë nga dhjetëra vëllime me tregime, me kritikë letrare, me publicistikë eseistike, si dhe prej një sërë romanesh të suksesshme. E tillë cilësohet edhe trilogjia, pjesë e së cilës është edhe romani "Selvitë e Tivarit". Të tre këto romane, përfshijnë tri ngjarje të mëdha të kohës së kaluar. "Selvitë e Tivarit" ka të bëjë me periudhën e Kongresit të Berlinit. Ai flet për një entitet i cili, për pasojë të atyre zhvillimeve historike, zhduket pastaj. Ky është Tivari që fatkeqësisht nuk ekziston më si hapësirë shqiptare. Libri i dytë i trilogjisë, që ka të bëjë me Luftën e Dytë Botërore, titullohet "Im atë donte Adolfin". Vepra e tretë rrëfen luftën, por edhe zhvillimet e pas luftës së Kosovës. Ajo titullohet "Edhe të çmendurit fluturojnë". Ka shkruar për ngjarje të mëdha, por atë e frymëzon gjithçka. Të gjitha nga pak i zgjojnë ndjesitë, e bëjnë të ulet e të mendohet, të lërë shpirtin të lirë e të shkruajë. E frymëzon çdo gjë që ekziston, çdo gjë përreth. E gjithë bota është një frymëzim për shkrimtarin. "Çdo gjë që e përjetoj unë vetë, por edhe të tjerët, ajo që shikon e dëgjon, është një univers i tërë frymëzimi. Nuk mund të specifikohet e për këtë as nuk mund të identifikohet vetëm një pjesë e tij. Për këtë arsye, them se frymëzimin e gjen gjithkund, gjithandej", shpjegon Kraja. Por kur flitet për fëmijërinë e tij, e zbulon dhe e kupton më mirë gjithë tisin ëndërrimtar që mbërthen shkrimtarin kur frymëzohet e nis të shkruajë. Imagjinata dhe trilli artistik duket se ka lindur bashkë me të, atë ditë të nxehtë në kohën e të korrave (27 qershor) në vitin 1952, në Kështenjë të Krajës, fshat afër Liqenit të Shkodrës, në Mal të Zi. Shkollimin e mesëm e kreu në Ulqin, ndërsa të lartin në Universitetin e Prishtinës, në degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe pranë Fakultetit Filozofik. Për herë të parë, drejtoi gazetën e studentëve "Bota e re" që i çeli rrugën edhe drejt gazetarisë. Më pas, punoi si gazetar dhe redaktor i kulturës në gazetën "Rilindja", ku botoi tekste të shumta publicistike për çështje të ndryshme nga problematika kulturore dhe recenca e shkrime për letërsinë. Në fund të viteve tetëdhjetë dhe në fillim të viteve nëntëdhjetë u inkuadrua në lëvizjet politike të kohës, duke u bërë njëri nga themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe anëtar i kryesisë së parë të saj. Për gjashtë vjet, nga vitet 1992-1999, Mehmet Kraja jetoi dhe punoi në Tiranë ku angazhimi politik u anashkalua dhe ku vendin e zuri edhe një herë letërsia e publicistika. Deri më tani ka botuar tetë romane, katër vëllime me tregime, dhjetë drama, një libër me kritikë letrare dhe dy libra nga fusha e publicistikës politike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›