E Diel, 1 Nëntor 2026

Kadare: Nuk mund të jem president i Shqipërisë (LETRA E PLOTE)

Share

Shkrimtari i njohur, Ismail Kadare, iu është përgjigjur studentëve të Shkodrës me anë të një letre, pas kërkesës së këtyre të fundit për tu bërë president i Shqipërisë. Kadare pasi ka lexuar letrën, i ka kthyer një përgjigje konfidenciale studentëve shkodrane, lidhur me mundësinë e zgjedhjes së tij si president. Kadare thotë se nuk mund të jetë president.

Në këtë letër, që ndonëse është konfidenciale, Këshilli Studentor e ka bërë publike në një prej mediave lokale të Shkodrës, Kadare shkruan:

“Së pari ju kërkoj ndjesë për vonesën e përgjigjes për letrën që më keni dërguar më 26 maj 2012. Dëshira për të vonuar një përgjigje zhgënjyese ka qenë arsyeja, jo fort e përligjur, ndoshta, për një gjë të tillë.

Në të vërtetë letra juaj më dha një besim dhe kënaqësi të veçantë. Për fjalët tuaja fisnike, për vlerësimin e shkrimtarit, e nëpërmjet tij të artit, e sidomos për shqetësimin tuaj të bukur për vendin ku jetoni e për kombin të cilit i përkisni.

Kur studentët e një kohe shqetësohen seriozisht për fatet e komunitetit, kjo është shenjë e sigurtë se gjendja e shëndetshme,ajo që aq gjatë ka munguar, nuk do të vonojë.

Ju keni të drejtë të zhgënjeheni me qëndrimin tim mospranues. Ka gjasë që një ditë unë vetë të them, ashtu si ju, se në përpjekjen për ti dhënë një ndihmë vendit tim, unë nuk arrita dot dhe u mposhta. Ndërkaq, nuk përjashtohet e kundërta, që me mospranimin tim, kam ndihmuar ndoshta për atë që ju, e bashkë me ju gjithë të tjerët, ëndërrojnë me padurim: Përparimin, Normalizimin dhe europianizimin e Shqipërisë, thuhet në letrën e shkrimtarit të njohur.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›