Kadare edhe në romnisht
Prishtinë - Kryevepra e shkrimtarit shqiptar, Ismail Kadare, romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” është përkthyer tashmë edhe në gjuhën rome. I titulluar “Mula armadako generalo”, kjo kryevepër e Kadaresë, e përkthyer rrjedhshëm nga gjuhëtari Ibrahim Elshani, është promovuar dje në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës në Prishtinë. Elshani, i cili dallohet për përkthimin e disa veprave të tjera nga gjuha shqipe në gjuhën rome, ka thënë se përkthimi i kësaj të fundit ishte i vështirë për faktin se gjuha rome është e varfër nga leksiku. Romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” është botuar në dhjetëra gjuhë të huaja, ndërsa në Francë është realizuar edhe një film sipas një skenari të kësaj vepre.