Bode: Projekti i Jalës do të vazhdojë
Problemet e brendshme të Bankës Botërore nuk do të bëhen pengesë e vazhdimit të projektit në Jalë. Kjo ka qenë deklarata që ka bërë ministri i Financave Ridvan Bode ditën e djeshme ku ndër të tjera ka shtuar se qeveria do të financojë të gjithë banorët e Jalës, të cilët pretendojnë se shtëpitë e tyre janë prishur në kundërshtim me ligjet shqiptare nga projekti i BB.
"Nuk mund të penalizohet një projekt kaq i rëndësishëm. Ai do të vazhdojë duke bërë vetëm një ristrukturim në një prej 6 komponentëve të tij", deklaroi Bode. Nga ana tjetër, ministri Bode përforcoi qëndrimin e mazhorancës qeverisëse se problemet me këtë projekt nuk kanë lidhje me qeverinë shqiptare. Ndryshe nga sa thuhet në disa artikuj të medias, asnjë nga zyrtarët e qeverisë, anëtarë të Njësisë së Koordinimit të Projektit, ose staf i Bankës nuk është nën hetim nga INT-ja për korrupsion. Në këtë kuadër, qeveria shqiptare mbetet e hapur për të trajtuar sipas ligjeve shqiptare të gjithë ata individë të cilët pretendojnë që ndërtimet e tyre janë prishur në dhunim me ligjin shqiptar. Sigurisht që qeveria mbetet gjithashtu e ndjeshme edhe ndaj rasteve që kanë patur pasoja dhe kanë çuar familje në varfëri, sipas kritereve të ndihmës ekonomike për të përfshirë në këtë trajtim të gjitha familjet të cilat për shkak të ndërtimeve pa leje janë në gjendje jo të përshtatshme ekonomike dhe financiare", deklaroi ministri i Financave, Ridvan Bode. Kreu i Financave Publike tha se raporti i BB plasi shumë shpejt tullumbacen e fryrë nga opozita. Ai 'plasi tullumbacen', që e fryu me shumë shpejtësi opozita shqiptare, e përdorur nga segmente të mafies së ndërtimit që vendosën në këtë projekt, njolla për ndërtimin e fshatrave turistike në bregdetin shqiptar. Sipas tij, "grupe të caktuara u përpoqën që të implikojnë qeverinë, duke formuluar edhe akuza për korrupsion apo duke akuzuar drejtorin e njësisë së projektit për influenca korruptive, çka nuk përputhet me asnjë fakt. Reagimi i ministrit Bode vjen një ditë pasi Bordi i drejtorëve, i Bankës Botërore e vlerësoi Projektin e këtij institucioni për Menaxhimin e Integruar dhe Pastrimin e Zonës Bregdetare me gabime serioze, që në përgatitjen e tij e më tej në mbikëqyrjen dhe në komunikimin me Bordin në fjalë.
Email This Klikime: 2
Email This Klikime: 2