E Diel, 1 Nëntor 2026

Liqeni i Ohrit, pjesë e Listës së Monumenteve të Trashëgimisë Botërore



Liqeni i Ohrit pritet të kthehet për pak ditë në kandidat për t`u përfshirë në Listën e Monumenteve të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Lajmi bëhet i ditur nga Ministria e Mjedisit, e cila njofton se UNESCO ka hapur dritën jeshile të aplikimit të pjesës shqiptare të liqenit të Ohrit, në listën e trashëgimisë botërore. Drejtori i Përgjithshëm i UNESCO-s z. Kiochira Macura dhe Drejtori i Qendrës Botërore të Trashëgimisë z. Francesco Bandarin iu përgjigjën pozitivisht kërkesës së bërë në shkurt të këtij viti nga ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, prof. Lufter Xhuveli.

“Pranimi nga UNESCO i kërkesës së Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave për përfshirjen e liqenit në Listën e Trashëgimisë Botërore është një vlerësim pozitiv për plotësimin e standardeve mjedisore dhe rezultateve të arritura nga Shqipëria”, - u shpreh Ministria e Mjedisit.

Drejtuesit e UNESCO-s përgëzuan qeverinë shqiptare për bashkëpunimin me Maqedoninë për menaxhimin e liqenit të Ohrit, e cila ka plotësuar kriteret e përcaktuara nga Komiteti Ekzekutiv i Qendrës Botërore të Monumenteve, për përfshirjen në Listën e Trashëgimisë Botërore të kësaj pjese të Shqipërisë.

Aktualisht, në listën e trashëgimisë kulturore të UNESCO-s ekzistojnë katër elementë shqiptar: Butrinti, Gjirokastra, Berati dhe muzika iso-polifonike. Liqeni i Ohrit duket se do të marrë shumë shpejt përgjigjen pozitive për të qenë anëtar i listës, duke u shndërruar në një tjetër vend tërheqës për turizmin kulturor dhe natyror në vendin tonë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›