Ylli Pinari, së shpejti libër mbi tregtimin e armëve nga MEICO
Ylli Pinari ka vendosur që përmes një libri të hedhë dritë mbi tregtinë e armëve nga Shqipëria drejt vendeve të tjera. Fakti është konfirmuar nga vetë ish-drejtori i MEICO-s, Pinari, i cili gjatë një aktiviteti sportiv të zhvilluar në burgje tregoi vetëm pak detaje rreth projektit të tij që pritet të konkretizohet në një libër gjatë kohës që ndodhet në burg. Përgjatë 10 minutave në oborrin e pasmë të paraburgimit 313-të, Pinari ka qëndruar në shoqërinë e bashkë të pandehurit të dosjes së bujshme “Gërdeci”, Dritan Minxholli, i akuzuar për tragjedinë e 15 marsit 2008, ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën 300 të tjerë. Nuk kanë preferuar të rrinë më tepër, ndërkohë që edhe policët e burgjeve janë treguar mjaft kërcënues ndaj gazetarëve që tentonin të komunikonin apo të hiqnin kureshtjen për ndonjë pyetje drejtuar Pinarit. Për herë të parë, Pinari rrëfeu se kishte projekt botimin e një libri, i cili ka si temë tregtinë e armëve përgjatë kohës që ka qenë drejtues i kompanisë shtetërore të tregtimit të municioneve. Ndërsa lidhur me procesin gjyqësor në ngarkim të tij, ish-drejtori i MEICO-s dhe një ndër të pandehurit kryesorë të tragjedisë së Gërdecit, u shpreh se kërkonte nga gjykata vetëm drejtësi, ndërsa akuzat që rëndojnë mbi të, i etiketoi si tërësisht politike. I pandehuri tjetër, Minxholli, nuk ka preferuar të flasë lidhur me situatën në të cilën ndodhet, ndërsa ra në sy mosprania e Mihal Delijorgjit në këtë aktivitet sportiv.
Zgjedhjet
Si përherë, strukturat drejtuese në burgun 313-të kanë menduar të zhvillojnë aktivitetet e programuara për të pandehurit. Kësaj radhe bëhej fjalë për një ndeshje futbolli midis disa të pandehurve, ndërsa është ndjekur edhe nga drejtuesit e lartë të këtij burgu dhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Në fund të këtij aktiviteti, drejtori Kalemi i është përgjigjur interesimit të medias së pranishme lidhur me procesin e aplikimit dhe pajisjes me karta për të pandehurit, ndërkohë që shpjegoi edhe faktin që të gjithë janë gati për votimet e 28 qershorit. Sipas tij, paraburgimi “Jordan Misja” është i pari që ka përfunduar aplikimin për pajisje me karta identiteti dhe rrjedhimisht janë edhe të parët që janë pajisur me kartat e identitetit të prodhuara. Tashmë, sipas tij, të paraburgosurit janë gati për votimet e 28 qershorit.