E Diel, 1 Nëntor 2026

Kadastra: Aplikimi brenda 30 ditëve për regjistrimin e kontratës së shitjes shmang kamatëvonesën

TIRANË, 15 shtator/ATSH/ Regjistrimi i kontratës së shitjes në regjistrin kadastral është hapi që konfirmon të drejtën e pronësisë në favor të blerësit, ndërsa aplikimi brenda 30 ditëve nga nënshkrimi i kontratës mundëson kryerjen e shërbimit pa kamatëvonesë.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) informoi qytetarët mbi procedurën e aplikimit për regjistrimin e kontratës së shitjes, e cila kryhet online përmes portalit e-Albania.

Për të aplikuar, qytetari duhet të identifikohet në “e-Albania” dhe të zgjedhë shërbimin “Aplikim për regjistrimin e kontratave të shitjes – KP1”, të plotësojë formularin dhe të ngarkojë dokumentacionin në format PDF.

Pas aplikimit, mandati i pagesës mund të shkarkohet dhe pagesa të kryhet online, në bankë ose pranë çdo pike të Postës Shqiptare.

Dokumentacioni i kërkuar përfshin kontratën e shitjes, së bashku me certifikatën e pronësisë, kartelën e përditësuar dhe hartën kadastrale, si dhe certifikatën familjare ose martesore të palës blerëse.

Në rastet kur pasuria është ndërtesë kërkohet edhe vërtetimi nga bashkia për shlyerjen e taksës së ndërtesës, ndërsa kur gjen zbatim, duhet të paraqitet edhe mandati i pagesës së tatimit ose taksës së kalimit të pronësisë.

Për kontratat e lidhura ndërmjet ndërtuesit, zhvilluesit apo investitorit dhe blerësit kërkohet kontratë sigurimi 10-vjeçare në favor të blerësit. Në rast se aplikimi nuk kryhet nga pronari apo bashkëpronari, nevojitet edhe akti i përfaqësimit, ose prokura.

ASHK sqaron se dokumentacioni origjinal duhet të dërgohet me postë në drejtorinë vendore të ASHK-së që administron zonën kadastrale ku ndodhet pasuria.

/e.xh/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›