E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kadeli: Do e vlerësoj çdo ofertë që më bëhet nga PD

Deputeti i larguar nga Partia Socialiste, Gjovalin Kadeli deklaroi dje, se do të vlerësojë çdo ofertë që mund t’i vijë edhe nga ana e Partisë Demokratike, për të kandiduar si deputet në qarkun e Lezhës. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Kadeli tha se: “Do të vlerësoja çdo ofertë që mund të bëhet edhe nga Partia Demokratike, pasi kam gjithë të drejtën ta vlerësoj, nisur nga fakti se nga listat e Partisë Socialiste po largohen socialistët duke u zëvendësuar me demokratët, miq të kryetarit”. Ndërkaq ai tha se ka oferta edhe nga parti të vogla majtas dhe djathtas dhe është duke i vlerësuar. Ai shtoi se me koalicionin me LSI-në, PS ka humbur kauzën e saj. Ndërkaq, Kadeli e shikon të pamundur fitoren e PS-së, në rast se Rama heq dhe vë në listat e kandidatëve për deputetë njerëz sipas dëshirave të tij dhe atyre që e rrethojnë.
Zoti Kadeli, ju deklaruat largimin tuaj nga grupi parlamentar i PS-së, pikërisht në një moment kur doli lajmi i ftesës së LSI-së në koalicion me PS-në. A ka lidhje largimi juaj edhe me këtë levizje të re?
Padyshim qe ka shumë lidhje. Një lëvizje e tillë do të thotë se kauza jonë ka rënë. Pavarësisht demagogjisë dhe përdredhjes së fjalëve të politikës, ky veprim na kthen prapa duke i dhënë të drejtë Sali Berishës për gjithçka e kemi akuzuar deri më sot.
Si e vlerësoni ju, këtë koalicion, duke patur parasysh gjithë historinë e kaluar të marrëdhënieve, jo vetëm PS-LSI, por edhe Rama-Meta?
Unë kam arritur në pikën kulminante të debatit publik mbi moralin e politikës. Kur shohim se si bashkëpunojne gjoja në emër të së ardhmes, duke anatemuar plotësisht të shkuarën, kjo mua dhe shumë të tjerëve u duket jo e drejtë dhe njëkohësisht zhgënjyese për rezultatin e 23 qershorit. Ajo që kanë thënë për njëri-tjetrin Rama –Meta më kujton shprehjen e aktorit të madh shqiptar, Ndrek Luca; Kjo ishte loja….
Ju në fakt deklaruat se po largoheni, sepse kryetari i partisë nuk ju njeh kontributet dhe ka planifikuar të tjerë emra në listat për deputetë në qarkun e Lezhës. A jeni njoftuar prej tij për këtë fakt. Pra, nga e morët vesh se ju nuk do ishit në listën e kandidatëve?
Nuk bëhet fjalë vetëm për rikandidimin tim, pasi kjo është çështje personale, por kur shoh se si veprohet në gjithë Shqipërinë për kandidatët kam të drejtën të bëj pyetjen: A njihen kontributet në këtë parti? A ka kryesi apo forume kjo parti? Unë mendoj sipas gjykimit tim dhe veprimeve të kryetarit Rama se demokracia e brendëshme e Partisë Socialiste ka vdekur dhe partia është marrë peng nga një njeri i vetëm që quhet Edi Rama, ku vendimet për kandidimet dhe gjithçka lidhet me zgjedhje apo emërime, merren vetëm nga një numër i vogël njerëzish pranë kryetarit, servilë të cilët presin me gojën hapur çfarë t’u japë kryetari, sepse nuk janë të aftë të mbajnë gjallë frymën e politikës apo marrëdhenien e domosdoshme deputet-votues në zonën elektorale, pasi i harrojnë votuesit dhe pastaj si servilë të kryetarit ndërrojnë zonat elektorale sa herë të ketë zgjedhje, që janë të gatshëm në çdo moment me parrullën në gojë: “Rroftë Mbreti! Poshtë Mbreti!”, sipas rastit dhe porosisë.
Thatë që do kandidoni si i pavarur. Së pari a e keni konsultuar këtë vendim me mbështetësit tuaj dhe e dyta a mendoni se kështu i prishni punë Partisë Socialiste?
Kam deklaruar largimin nga Partia Socialiste dhe për momentin jam duke u konsultuar me ofertat që më kanë bërë partitë e vogla, qoftë majtas apo djathtas. Në këto momente s’kam arsye të mendoj se a i prish punë PS-së apo jo, sepse për këtë ka menduar më së miri njeriu përgjegjës Edi Rama duke më larguar nga lista, që do të thotë se kontributi im atje është i panevojshëm.
Nëse ju u bëhet ndonjë ftesë nga Partia Demokratike, mund t’i bashkoheni asaj?
Do të vlerësoja çdo ofertë që mund të bëhet edhe nga Partia Demokratike, pasi kam gjithë të drejtën ta vlerësoj, nisur nga fakti se nga listat e Partisë Socialiste po largohen socialistët duke u zëvendësuar me demokratët, miq të kryetarit. Mbase kjo mund të jetë një marrëveshje e heshtur mes liderve politikë për huazimin e kandidatëve.
Si i parashikoni këto zgjedhje?
Shpresoj me largimin tim dhe të Asllan Dogjanit, Edi Rama të ketë marrë një mësim që të mos luajë me deputetët e tjerë që ka në plan t’i largojë nga listat, nisur nga dëshira e mirë që e majta të fitojë. Por, nëse ndodh kjo, edhe socialistët e thjeshtë që kanë marrë pjesë në protestat e 21 janarit dhe më vonë në të gjitha demonstratat e heshtura, nuk mund të votojnë për atë që i shkaktoi. Besoj se fitorja është e pamundur. 

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›