E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kadiu dhe Toromani kërcejnë ‘Napolonin’ në Itali

Kledi Kadiu dhe Anbeta Toromani kanë kërcyer së bashku “Vallen e napolonit” në emisionin e pasdites në kanalin italian “5” që drejtohet nga Barbara D’Urso. I ftuar në rubrikën “Me zemër”, balerini shqiptar është përballur me pyetje nga më të ndryshmet, por dhe me surpriza të shumta. Në këtë intervistë të gjatë Kledi rrëfeu jetën e tij, nga fëmijëria e deri te suksesi i fundit i RAI5, duke kaluar edhe në momentet më të rëndësishme të jetës së tij familjare, si martesa e para pak ditëve e të motrës, që ai e cilësoi si “ditën më të bukur të jetës”, si dhe eksperiencën e fundit si vullnetar i UNICEF-it.

Fëmija i ndrojtur Kledi

Siç u rrëfye për herë të parë për fëmijërinë e tij, balerini tregon se ka qenë një fëmijë shumë i ndrojtur dhe vetëm kur dëgjonte muzikë, sidomos muzikë popullore, ai ngrihej dhe bëhej i zhdërvjellët. E teksa rrëfente këtë “sekret” në studion emisionit të pasdites në kanalin italian 5 ka hyrë një tjetër balerinë e njohur shqiptare në Itali, Anbeta Toromani. Në sfond autorët e programit kishin vënë muzikën e “valles së napolonit” dhe të dy balerinët janë ngritur e kanë kërcyer për publikun italian vallen tradicionale shqiptare. Të dy balerinët i tregojnë publikut miqësinë e bukur mes tyre, e madje përfshihen edhe duke bërë shaka herë pas here me “gabimet” e italishtes së Kledit.

Dhuratat për prindërit

Për herë të parë në Itali, Kledi Kadiu mbërriti me anijen Vlora, por shumë shpejt u riatdhesua dhe kështu arriti të përfundonte studimet. U përfshi pas kësaj në një turne me një grup balerinësh shqiptarë thuajse në qytet kryesore të Europës. Në kthim, Kledi vendos të qëndrojë në Itali, por meraku i tij ishin dhuratat që kishte blerë për prindërit. Për këtë i vjen në ndihmë miku i tij Ilir Lusha, i cili surprizon balerinin në një lidhje direkte me telefon, ku i rrëfen momentin që i kishte dhënë dhuratat prindërve dhe lajmin se Kledi nuk do të kthehej në Shqipëri. Kledi në fillim e përshëndet mikun e rinisë Ilir Lusha, në shqip, me fjalën “Si je Lali?” dhe në fund me përshëndetjen “Mirupafshim”. “Ma mëso dhe mua këtë fjalë se qenka shumë e bukur - i lutet prezantuesja D’Urso.

Luftë partizanësh me gjyshin në Dajt

Kur flet për familjen, ai thotë se mamaja ishte ajo që e llastonte, ndërsa babai ishte mësuesi. Por pika e dobët e balerinit shqiptar mbetet gjyshi i tij, një ish-veteran i Luftës partizane, me të cilin Kledi kujton fëmijërinë dhe shëtitjet në Dajt që bëheshin çdo pasdite. Aty ata luanin luftash me pushkë druri dhe kapele letre. “Gjyshi më çonte të shëtisnim shpesh herë në Dajt dhe aty improvizonin lojë luftash me pushkë prej druri dhe kapele prej letre. Një herë mbaj mend se më la vetëm për disa minuta në mes të shiut dhe unë u tremba shumë, por kur erdhi më tha: “Partizanët kanë qenë të fortë dhe duronin dhe shiun e breshrin”.

Takimi i parë me Maria De Filippi-n huton Kledin

Në një moment balerini e tradhton veten, kur prezantuesja e programit e pyet për takimin e tij të parë me moderatoren e emisionit “Amici”, Maria de Filppi-n. Shpesh në mediat rozë italiane, por dhe shqiptare, është folur për një lidhje më shumë se miqësore mes tyre, por me sa duket pikërisht thashethemet e kanë hutuar Kledin, kur Barabra D’Urso e pyet: Si ka qenë takimi i parë me Maria-n? Kledi i hutuar nga pyetja i kërkon prezantuesen të specifikojë natyrën e takimit dhe pas një të qeshure ajo i jep pyetjes së saj shtojcën “Takim pune”.

Ambasadori ynë në Itali përshëndet live balerinin

Një tjetër homazh i përgatitur nga stafi i emisionit për Kledin, ishte edhe përshëndetja e ambasadorit të Shqipërisë në Romë, Llesh Kola, i cili kujton që Kledi është ambasador i Kombit, dhe e falënderon për kontributin e vyer që ai ka dhënë për ngritjen e imazhit të Shqipërisë. “E them gjithnjë” - tha ambasadori. - “Unë jam ambasadori i radhës, ndërsa ti je ambasador i përhershëm”. Ambasadori kujton me kënaqësi një episod të vitit 2008, kur ka qenë i pranishëm në Festivalin e Këngës në Sanremo: “E mban mend kur më shoqërove në Sanremo? Atëherë pashë me sytë e mi dashurinë e italianëve për ty. Dhe unë nga një person i shoqëruar u ktheva në shoqëruesin tënd. Kjo më bëri të ndihesha krenar”. E më pas përshëndet të gjithë shqiptarët që me ndershmërinë e punën e tyre bëjnë aq shumë për imazhin e vendit të tyre.

Pasioni për syzet dhe teknologjinë

Kledi Kadiu ka ndoshta koleksionin më të madh të syzeve, sepse ai është shumë i pasionuar pas tyre, por përveç këtij “vesi” një tjetër që ua ka sjellë në majë të hundës miqve të tij dhe kolegëve është korrektësia e tij në orar. Kledi duke qenë maniak pas korrektësisë bëhet “bishë” kur të tjerët i vijnë me vonesë. Miku tjetër Mario Marozzi tregon për maninë e Kledit për teknologjinë; Pino Alosa, balerin, kujton që është tepër i përpiktë në orare; Fabrizio Bartoli, balerin tregon për pasionin e Kledit për syzat; në zemër të Romës, në Trastevere, ku Kledi ka shtëpinë, flasin me simpati kamerierët e restoranteve që ai frekuenton. Një video prekëse ishte padyshim edhe ajo e Maksudës, një vajze të vogël nga Bangladesh, që Kledi ka takuar gjatë vizitës në këtë vend si vullnetar i UNICEF-it. E në fund fundi flet paksa për jetën private, pa u zgjatur shumë, pasi si gjithnjë parapëlqen që jeta private të mbetet e tillë. Përgatiti: Aida Tuci

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›