Kadri Aliaj: “Pushteti vendor duhet të strehojë jetimët në moshë madhore”
Në Ditën Kombëtare të Fëmijëve Jetim institucionet mbrojtëse të tyre kanë apleluar për më shumë mbrojtje dhe kujdes në trajtimin e kësaj kategorie. Fëmijë jetimë, sipas studimeve dhe statistikave sociale që disponojnë shoqatat, janë rreth 1600 fëmijë, të cilët jo domosdoshmërisht jetojnë në “Shtëpitë e fëmijëve”. I gjithë sistemi institucional i mbrojtjes rezidenciale për fëmijët jetimë pëbëhet nga nëntë Institucione publike dhe rreth 14 Institiucione jo publike (OJF). Ndërkohë që një nga problemet më madhore me të cilin hasen aktualisht fëmijët jetimë në moshë madhore është strehimi. Presidenti i Shoqatës së Jetimëve të Shqipërisë, Kadri Alija, në Ditën Kombëtare në ndihmë të Jetimëve duke e konsideruar këtë datë si një ditë apeli për të drejta dhe më shumë mundësi për fëmijët jetimë, tha se pushteti vendor duhet të trajtojë me përparësi strehimin e rreth 340 jetimëve në moshë madhore, të cilët aktualisht jetojnë nëpër konvikte. Ai ka bërë të ditur se përballë këtij realiteti, qeveria shqiptare ka siguruar fonde ndërkombëtare për ndërtimin e 1100 apartamenteve që do të merren me qera nga familjet me të ardhura të ulta, si pjesë e zotimit për të ndërtuar 4000 apartamente si ndërtesa sociale brenda dy viteve. Pjesë e këtij objektivi të ndërmarrë për zbatim janë edhe jetimët, mes grupeve që sipas ligjit u jepet prioritet në këto programe strehimi. Dje në ambientet e Teatrit të Operas dhe Baletit(TOB) u përkujtua 20 maji, Dita Kombëtare e Fëmijëve Jetimë. Aktiviteti i zhvilluar në formën e një spektakli për këta fëmijë, u organizua nga Shoqata Kombëtare e Jetimëve në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Shërbimin Social Shtetëror. Në fjalën e tij përshëndetëse, ministri i Punës Kosta Barka, theksoi faktin se mbrojtja shoqërore e fëmijëve në nevojë dhe ngritja e shërbimeve alternative për ta sa më pranë komunitetit zë një vend të rëndësishëm në politikat e ministrisë që ai drejton. Sipas tij, Ministria e Punës ka parashikuar realizimin e një reforme të plotë në sistemin e përkujdesit shoqëror për fëmijët në nevojë dhe fëmijët jetimë. Ndërsa drejtoresha e Përgjithshme e Shërbimit Social Vilma Premti, e ka cilësuar këtë datë si një ditë bilanci për të parë punën që institucionet përkatëse kanë bërë për mbrojtjen e fëmijëve jetim. J.Tashi
21 Maj 2008