E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti: “Monopolet janë vënë në shërbim të Berishës”



Nënkryetari dhe deputeti i LSI-së, Dritan Prifti, ka denoncuar mënyrën se si maxhoranca kaloi në Parlament ligjin “Për Procedurat Tatimore” dhe ligjin “Për Falimentimin”.
Prifti tha se të dy ligjet në fjalë do të sjellin probleme të mëdha, deri në falimentim për shumë biznese shqiptare. Nënkryetari i LSI-së dënoi gjithashtu edhe paaftësinë e qeverisë “Berisha”, e cila ka shkaktuar thellimin e varfërisë në vend dhe rënien e investimeve publike në vend. “Të gjithë ju e dini se sa është niveli i investimeve publike për katër muajt e parë të vitit, është më pak se 10 për qind. Prandaj kemi sot rritje të mëtejshme të varfërisë dhe rënie të fuqisë blerëse të njerëzve, sepse qeveria nuk po hedh në ekonomi ato para që ka premtuar, me të cilat njerëzit do të kenë mundësi pastaj të përballojnë jetesën”, - tha Prifti. Ai akuzoi qeverinë “Berisha” se jo vetëm që ka dështuar në luftën ndaj monopoleve, por i ka kaluar ato në shërbim të interesave të saj ekonomike. “Nëse keni parasysh, qeveria ‘Berisha’ erdhi në pushtet me flamurin e antikorrupsionit dhe me flamurin e luftës kundër monopoleve. Me monopolet s’ka ndodhur asgjë tjetër veçse ato kanë kaluar nga në shërbim të ish-qeverisë socialiste, tashmë në shërbim të plotë të Berishës. Asnjë monopol nuk është çmontuar në këto vite qeverisje që ka Sali Berisha. Prandaj vazhdojnë të rriten çmimet e të gjitha produkteve bujqësore dhe blegtorale, se importet e tyre janë fiksuar në dy-tri kompani, të cilat sponsorizojnë dhe i shërbejnë qeverisë dhe qeveritarëve”, - tha Prifti.

21 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›