E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skema e Komitetit, si do te organizohet referendumi per mbrojtjen e Kushtetutës



Shaban Sulçe

Shpallja e amendimeve kushtetuese në Fletoren Zyrtare të Republikës së Shqipërisë pritet të shënojë startin zyrtar të mbledhjes së firmave për referendum nga ana e Komitetit Kombëtar të Mbrojtjes së Kushtetutës. Burime pranë këtij Komiteti bëjnë të ditur se menjëherë pasi të botohen në Fletoren Zyrtare ndryshimet kushtetuese të datës 21 prill, përfaqësuesit e Komitetit Kombëtar për Mbrojtjen e Kushtetutës do të depozitojnë një akt-kërkesë pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Me anë të kësaj akt-kërkese KQZ-ja do të njihet zyrtarisht me nismën për organizimin e referendumit dhe sipas ligjit ajo do të jetë e detyruar për të shpërndarë formularët e regjistrimit për referendumin. Formularët do të përmbajnë të dhënat zyrtare të shtetasve shqiptarë që do të nënshkruajnë për referendumin dhe në to do të përfshihen të dhënat, si: emër, mbiemër, datëlindje, vendlindje dhe numër pasaporte. Sipas ligjit, duhet të jetë mbi 50 mijë numri i shtetasve që duhet të nënshkruajnë kërkesën për referendum, ndërkohë që LSI-ja dhe Komiteti për Mbrojtjen e Kushtetutës janë shprehur optimistë se ky numër do të jetë disa herë më i madh.
Firmat jashtë Shqipërisë
Kur Lëvizja Socialiste për Integrim shpalli nismën e saj për organizimin e referendumit, kreu i LSI-së, Ilir Meta, deklaroi se synonte mbledhjen e 500 mijë firmave jo vetëm brenda kufijve të Shqipërisë, por edhe në vendet në Perëndim, ku jetojnë dhe punojnë emigrantët shqiptarë. Për të realizuar me sukses procesin e mbledhjes së firmave jashtë Shqipërisë mësohet se një funksion të rëndësishëm do të kryejnë degët e LSI-së në diasporë. LSI-ja ka disa degë të saj në vende të ndryshme të botës, si në Itali, Ahen të Gjermanisë, Athinë dhe Kretë të Greqisë, në Londër etj. Përveç anëtarësisë së LSI-së në këto degë, kërkesën për referendum priten ta firmosin edhe qindra emigrantë të tjerë. Ndërkohë, organizimi tashmë ka filluar edhe brenda Shqipërisë, ku janë hapur disa zyra, të cilat do të koordinojnë procesin e mbledhjes së firmave. Përveç zyrës në selinë qendrore të këtij Komiteti, do të hapen edhe disa zyra në qytetet më të mëdha të vendit.
Gjykata Kushtetuese
Aktualisht Komiteti Kombëtar për Mbrojtjen e Kushtetutës ka nisur fushatën sensibilizuese në qytete të ndryshme të vendit, në disa takime ku është shpjeguar rëndësia e referendumit dhe arsyet se përse u duhen thënë jo ndryshimeve kushtetuese të 21 prillit. Kjo fushatë sensibilizimi do të zgjasë deri në momentin e botimit të amendimeve kushtetuese në Fletoren Zyrtare. Më pas do të nisë procesi i mbledhjes së firmave dhe fushata referendare në çdo qytet të vendit. Pas mbledhjes së firmave, Komiteti Kombëtar për Mbrojtjen e Kushtetutës do ta paraqesë kërkesën për organizimin e referendumit në Gjykatën Kushtetuese, e cila do të shqyrtojë kushtetutshmërinë e kësaj kërkese. Sipas ekspertëve, parashikohet që mbajtja e referendumit të zhvillohet pas 6 muajsh.

21 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›